Kosova krijon të martën Komisionin Hetimor për shtetasit turq
Shefat e Grupeve Parlamentare pritet të mblidhen ditën e martë, për të nisur punën rreth krijimit të komisionit hetimor për t’i ndriçuar rrethanat e dëbimit të gjashtë shtetasve turq më 29 mars.
Organizata të ndryshme ndërkombëtare si dhe kritikë vendorë kanë thënë se dëbimi i tyre paraqet shkelje të të drejtave të njeriut si dhe shkelje të Kushtetutës së Kosovës.
“Shefat e Grupeve Parlamentare do të takohemi ditën e martë dhe unë pres që po të njëjtën ditë ta konstituojmë Komisionin Hetimor”, ka thënë për “REL” shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Socialdemokrate Bilall Sherifi.
Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, beson që ky Komision do të fillojë punën këtë javë. Sipas saj Komisioni duhet të gjejë se kush ishin urdhëruesit e dëbimit të shtetasve turq.