Kosova kryen stërvitjen në Bukuresht, optimizëm për rezultat pozitiv
Kombëtarja e Kosovës e ka kryer stërvitjen e fundit para përballjes së nesërme kundër Rumanisë në stadiumin “National Arena” në Bukuresht.
Si zakonisht stërvitja zyrtare ka kaluar pa ngarkesë të madhe për futbollistët, por motivi për rezultat pozitiv është maksimal. E këtë objektiv nuk e ka fshehur as përzgjedhësi Primozh Gliha, i cili në konferencë për media ka deklaruar se Kosova ka udhëtuar me synim për të marrë rezultat pozitiv.
“Pres rezultat pozitiv dhe do të japim gjithçka për të arritur këtë. Luajmë kundër një ekipi që ka shumë lojtarë teknikë, por edhe ne kemi lojtarë të mirë dhe të luajnë në klube të mëdha. Jemi përgatitur mirë dhe ndihemi shumë mirë para kësaj ndeshje. Jam i bindur se do të jetë një lojë e shkëlqyeshme, sepse të dyja ekipet kemi nevojë për pikë”, tha Gliha.
Edhe Mërgim Vojvoda është shprehur optimist për rezultat pozitiv, teksa ka thënë se loja e treguar ndaj Zvicrës dhe rezultati i arritur e kanë ngritur moralin tek ekipi. Ai tha se nuk paraqet aspak problem fakti se stadiumi pritet të jetë i mbushur me tifozët vendas. Madje, ka thënë se kjo vetëm sa do t’i japë më shumë entuziazëm për të arritur objektivin. Ndërkaq i pyetur nga gazetari rumun rreth provokimeve të tifozëve rumun në Prishtinë dhe mundësisë së përsëritjes së provokimeve të tilla në Bukuresht, Vojvoda është përgjigjur: “Mjafton ta shihni këtë logo në zemrën tonë, është flamuri i Kosovës dhe ne e përfaqësojmë këtë shtet dhe askënd tjetër. Ne jemi Kosova. Jemi të lindur nga lufta dhe do të bëhemi më të fortë se guri”.
Ndeshja Rumani-Kosovë zhvillohet të martën në orën 20:45. Rumunët aktualisht janë në pozitën e dytë në Grupin I, me 9 pikë, derisa Kosova është në kuotën e 4 pikëve. Para kësaj përballje të dyja ekipet barazuan si vendase; Rumania kundër Izraelit (1:1), derisa Kosova kundër Zvicrës (2:2).