Kosova lanson patentëshoferin e parë elektronik/mobil në botë
Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nëpërmjet Agjencisë për Regjistrim Civil, e mbështetur nga kompania gjermane “Veridos GmbH – Identity Solutions by Giesecke+Devrient and Bundesdruckerei”, ka lansuar të premten në Prishtinë projektin “Patentëshoferi mobil”.
Ministri i kësaj ministrie, Flamur Sefaj, ka thënë se është shumë krenar që Republika e Kosovës prezanton patentëshoferin e parë elektronik/mobil në botë, i cili që do të zbatohet në të gjithë vendin dhe jo vetëm si pilotprogram, por si projekt me shtrirje të plotë.
“Është kënaqësi t’iu prezantojë inovacionin tonë më të ri të identitetit për qytetarët tanë, aplikacionin ‘RKSmobileID’. Të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës që kanë patentë shofer të vlefshëm mund të shkarkojnë aplikacionin ‘RKSmobileID’ dhe ta përdorin atë. Ai u ofron qytetarëve tanë një nivel të ri komoditeti dhe sigurie të të dhënave” ka thënë Sefaj.
Ndërsa shefi i operacioneve i kompanisë Verdios, Hermann Sterzinger, ka përgëzuar Kosovën për patentëshoferin e parë elektronik/mobil në botë.
Ai ka thënë se ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt një bashkëveprimi modern, ndërmjet qeverisë dhe qytetarëve dhe drejt digjitalizimit të proceseve publike.
“Patentëshoferi elektronik/mobil nuk është vetëm një produkt shumë miqësor për përdoruesin, por gjithashtu është edhe produkt shumë i sigurt. Organet e zbatimit të ligjit mund të verifikojnë identitetin e poseduesit të patentë shoferit duke hyrë në të dhënat përkatëse në sistemin në prapavijë (back-end). Kjo e bën praktikisht të pamundur falsifikimin e patentë shoferit elektronik/mobil”, ka thënë Sterzinger.