Kosova lejon vizitën e kryeministres së Serbisë
Kryeministrja e Serbisë, Ana Brnabiq pritet ta vizitojë Kosovën më 5 shtator.
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka konfirmuar për “Radion Evropa e Lirë” se “i janë përgjigjur pozitivisht kërkesës” për këtë vizitë.
“Dhënia e lejes për vizitë bazohet në marrëveshjen lidhur me vizitat e ndërsjellta të përfaqësuesve politikë mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë”, është thënë në përgjigjen e ministrisë.
Sipas njoftimit që e ka bërë e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Brnabiqi do të realizojë një vizitë një ditore në komunat veriore të Kosovës, përkatësisht në Mitrovicën e Veriut, Zveçan dhe Leposaviq.
Sipas këtij njoftimi, në vizitë do të jetë edhe Petar Petkoviq, drejtor i kësaj zyreje.
“Kryeministrja do vizitojë qendrën e parë multimediale në veri të Kosovës… Pas kësaj ajo do të bëjë një vizitë te Manastiri i Banjskës në Komunën e Zveçanit”, është thënë në njoftim.
E ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë tha se vizita e Brnabiqit ishte lajmëruar të enjten, 72 orë para vizitës “sipas marrëveshjes për vizita zyrtare”.