Kosova luan sonte kundër Andorrës, shpreson në rezultat pozitiv
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka arritur në Andorra la Vella. Sot (e enjte) në orën 20:45 do të luajë kundër Andorrës në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2024”. Risi në listën e Kosovës janë futbollistët e ftuar nga Superliga e Kosovës: Ilir Krasniqi (Llapi), Lumbardh Dellova dhe Qëndrim Zyba (Ballkani), kurse është ftuar edhe Shkëlqim Vladi që është pjesë e Luganos në Zvicër.
Mungesa më e madhe për këtë ndeshje është ajo e kapitenit Amir Rrahmani si dhe e mbrojtësit të Torinos, Mërgim Vojvoda. Po ashtu, nuk janë ftuar edhe Arbër Zeneli, Valon Berisha, Ermal Krasniqi dhe Ibrahim Dresheviq.
“Dardanët” nuk e kanë aspak mirë gjendjen në Grupin I, pasi ëndrra për kualifikim në Kampionatin Evropian thuajse ka përfunduar.
Deri tash Kosova ka regjistruar tri barazime dhe dy humbje, derisa është ende në kërkim të fitores së parë. Para kësaj ndeshje, në konferencën për medie në Prishtinë, përzgjedhësi i Kosovës, Primoz Gliha, ka vlerësuar Andorrën si një kundërshtare mjaft të fortë për faktin se ka pasur rezultate të mira dhe se ka një mbrojtje mjaft të fortë.
Lista e futbollistëve: A. Muriq, V. Bekaj, S. Ujkani, L. Paqarada, F. Hadergjonaj, K. Hajrizi, L. Kastrati, F. Aliti, I. Beka, B. Fazliji, I. Krasniqi, L. Dellova, F. Loshaj, Q. Zyba, F. Muslija, M. Korenica, E. Zhegrova, M. Rashica, B. Berisha, E. Rashani, A. Zeqiri, Z. Bytyqi, V. Muriqi, A. Rrahmani, Sh. Vladi.