Kosova mbështet financiarisht koalicionin kundër ISIS-it
Ministri i Financave (MF), Bedri Hamza, dhe ambasadori amerikan në Kosovë, Greg Delawie, kanë nënshkruar një memorandum të mirëkuptimit, me të cilin shteti i Kosovës mbështet financiarisht Koalicionin Global Kundër ISIS-it.
Ky memorandum përveç që implementon vendimin e Qeverisë të 20 tetorit, sipas të cilit vendim janë ndarë 100 mijë euro dëshmon edhe për marrëdhëniet e shkëlqyeshme dhe bashkëpunimin e ngushtë me ShBA-në në interesa strategjike të përbashkëta.
Hamza është shprehur i lumtur që Kosova ka arritur këtë fazë të zhvillimit që t’i ofrojë mbështetje financiare Koalicionit Global Kundër ISIS-it.
Sipas tij, me këtë veprim, Kosova është rreshtuar krah shteteve mike që e kanë ndihmuar dhe po e ndihmojnë Kosovën.
Ndërsa ambasadori i ShBA-së, Greg Delawie, ka thënë se ai është i kënaqur me faktin që Republika e Kosovës e ka riafirmuar angazhimin e saj në Koalicionin Global Kundër ISIS. Ai ka theksuar se bashkëpunimi është kyç për luftimin e ekstremizmit.