Kosova mbështet integritetin territorial të Ukrainës
Kosova e mbështet integritetin territorial të Ukrainës si një shtet të pavarur dhe sovran brenda kufijve të saj të njohur ndërkombëtarisht.
Nëpërmjet një komunikate, Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, ka shprehur qëndrimin e saj se Republika e Kosovës kundërshtoi mbajtjen e “zgjedhjeve” më 11 nëntor, 2018, në të ashtuquajturën “Republika Popullore e Donjeckut dhe Luhanskut”, pasi kjo, siç është thënë është kundër frymës së Marrëveshjeve të Minskut, të cilat rregullojnë organizimin e zgjedhjeve lokale në atë rajon.
“Ministria e Punëve të Jashtme konsideron se ky proces i jashtëligjshëm mund t’i minojë të gjitha përpjekjet e deritanishme për arritjen e paqes në rajon dhe thërret të gjitha palët të respektojnë dhe zbatojnë Marrëveshjet e Minskut, të cilat janë jetike për arritjen e një zgjidhje të qëndrueshme dhe paqësore për konfliktin e Ukrainës lindore”, është thënë në komunikatën e MPJ-së.
Separatistë të mbështetur nga Rusia në lindje të Ukrainës kanë mbajtur të dielën zgjedhje, të cilat janë konsideruar si të paligjshme nga Kievi dhe Perëndimi.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian kanë thënë se zgjedhjet e së dielës do të pengojnë edhe më tej përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit midis forcave qeveritare dhe separatistëve në lindje të Ukrainës, që ka vrarë më shumë se 10,300 persona, që prej prillit të vitit 2014.