Kosova mbetet pa legjendën Fadil Vokrri, stadiumi në Prishtinë merr emrin e tij
Legjenda e futbollit të Kosovës dhe kryetari i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK), Fadil Vokrri, ndërroi jetë më 9 qershor në moshën 57-vjeçare pas një sulmi në zemër.
Pikëllimi për humbjen e legjendës së futbollit ishte i madh në gjithë vendin, kurse presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, e shpalli ditë zie ditën e diele. Ish-futbollisti i Prishtinës, Partizanit, Fenerbaçes dhe reprezentacionit të ish-Jugosllavisë, Fadil Vokrri, i cili ishte njeriu kryesor në pranimin e Federatës së Futbollit të Kosovës në UEFA dhe FIFA, është varrosur me ceremoni shtetërore të organizuar nën përkujdesjen e kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, në varrezat e lagjes “Arbëria” në Prishtinë.
Në homazhe kanë marrë pjesë zyrtarë të lartë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia, përfaqësues të partive politike, zyrtarë e udhëheqës të klubeve sportive nga rajoni dhe më gjerë, sportistë dhe qindra qytetarë, si dhe legjenda e skuadrës së Milanit dhe Kroacisë, Zvonimir Boban. Ndërsa stadiumi i qytetit në Prishtinë, me një kapacitet prej rreth 13 mijë shikuesish, pas një rinovimi të tërësishëm, është testuar në muajin gusht me ndeshjen finale të Superkupës në mes të Prishtinës dhe Dritës.
Ndërsa ndeshjen e parë Përfaqësuesja e Kosovës si vendëse e fitoi ndaj Ishujve Faroe (2-0) në kuadër të grupit të 3-të të Ligës D në Ligën e Kombeve. Stadiumi tash e mban emrin e legjendës Fadil Vokrri, i cili kishte marrë iniciativën për rinovimin e këtij stadiumi.
/Epoka e re/