Kosova mbi 5 miliardë import gjatë vitit 2023, vetëm 819 milionë eksport
Në emisionin EURO n’7 me Menduh Abazi është diskutuar shkëmbimi tregtar i Kosovës. Sipas të dhënave gjatë vitit 2023 Kosova ka eksportuar mallra në vlerë prej 819 milionë euro ndërsa ka importuar mallra me vlerë prej 5.77 miliardë euro.
Sipas ekspertëve të ekonomisë viti 2023 ka shënuar edhe deficitin më të madh tregtar ndonjëherë, derisa kanë kritikuar qeverinë që nuk ka marrë asnjë masë që të ndihmonte prodhueseve vendor për prodhimin dhe eksportin e mallrave të tyre.
Suat Berisha nënkryetar i AKB-së ka thënë se ky deficit kaq i madh tregtar është kryekput si pasojë e mosangazhimit të qeverisë.
Sipas tij edhe përkundër që ndër vite bizneset kosovare kanë shtuar prodhimin e tyre nuk po arrihet të mbulohet më shumë se 11% e konsumit të përgjithshëm.
“Mbi 800 milion është eksporti i mallrave kosovare, derisa importi është mbi 5.7 miliard, që i bie që shkëmbimet tregtare për vitin 2023 është rreth 6.8 miliard euro. Këto të dhëna tregojnë se deficiti tregtar është mbi 4 miliard euro dhe fatkeqësisht ky deficit tregtar është rritur viteve të fundit. Ky deficit po rritet për shkak të mungesës së reformave në ekonomi, reforma e fundit ka qenë në vitin 2015-16.Nuk ka ndryshime fiskale të cilat do të ndikonin në rritjen e prodhimit vendor dhe domosdoshmërisht edhe pasimin e tyre në tregjet e huaja. Të bërit biznes ka pësuar ndryshime të mëdha që atëherë ndërsa tek ne nuk ka ndryshuar asgjë dhe si rrjedhojë kemi këtë deficit të madh tregtar”, ka thënë nënkryetari i AKB-së, Suat Berisha.
Në anën tjetër profesori Bashkim Mustafa ka thënë se ky deficit i kaq është fatkeqësi e madhe ngase tregon se ka munguar dhe mungon përkushtimi institucional për të bërë reforma në ekonomi.
“Kjo është një fatkeqësi e madhe ngase qeveria aktuale nuk ka gatishmëri që t’i përkrahë bizneset që kanë për qëllim zhvillimin e vendit, përkundrazi qeveria po i demotivon bizneset duke ju vënë pengesa dhe duke ju bërë presione të ndryshme. E keqja më e madhe e kësaj qeverie është se pothuajse të gjitha veprimet i ka kundër kushtetuese dhe kundër ekonomisë së lirë të tregut, pra qeveria nuk po e kryen detyrën e vet”, ka thënë profesor Mustafa.
Eksperti i ekonomisë, Mustafë Kadrijaj duke analizuar të dhënat e shkëmbimit tregtar ka thënë se partia e kryeministrit Kurti ka ardhur në pushtet duke pas moton duaje tendën derisa sot po vepron në kundërshtim të plotë më atë që ka promovuar sa ishte në opozitë.
“Na kujtohet kur kryeministri Kurti ju printe protestave për parandalimin e importit të mallrave të huaja dhe rrokullisnin kamionë. Në atë kohë kryeministri premtonte se buxheti do ta mbushin duke fuqizuar prodhimin vendor dhe duke ulur deficitin tregtar derisa në tri vitet e kësaj qeverie prodhimet vendore nuk ka marr asnjë përkrahje dhe nuk janë fuqizuar ndërsa që deficit tregtar është rritur si kurrë më parë. Pra sikurse në fushatë tjera edhe në ekonomi posaçërisht për përkrahjen e prodhueseve vendor kryeministri nuk e ka mbajtur fjalën”, ka thënë eksperti i ekonomisë Kadrijaj.
Sipas të dhënave të përpunuara për nevoja të emisionit prej vitit 2001 e deri në fund të vitit 2023 ka importuar produkte me vlerë mbi 51 miliardë euro.