Kosova me ambasador të ri në Shqipëri
Presidenti i Shqipërisë, Ilir Meta, ka pritur të mërkurën në takim ambasadorin e ri të Kosovës në Tiranë, Skënder Durmishi me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale.
Meta i ka siguruar Durmishit mbështetje në përmbushjen e misionit të tij në Shqipëri.
“Mirëprita sot në një takim të ngrohtë, ambasadorin e ri të Republikës së Kosovës, SH. T. Z. Skënder Durmishi me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. E sigurova për mbështetje të plotë në përmbushjen me sukses të misionit diplomatik dhe shpreha besimin se përpjekjet e tij do t’i shërbejnë forcimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera dhe vëllazërore ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës”, ka shkruar Meta në llogarinë e vet në “Facebook”.
Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria duhet të bashkëpunojnë në fushën politike, kulturore, ekonomike dhe tregtare.
“Të dy vendet tona duhet të bashkëpunojnë edhe më ngushtësisht në lehtësimin e çdo pengese burokratike që ekziston në fushën politike, kulturore, ekonomike, tregtare dhe në të gjitha sferat e tjera të jetës, në dobi të qytetarëve tanë, si dhe në interes të përshpejtimit të proceseve integruese evropiane”, ka shkruar presidenti Meta.