Kosova me fitore e nis garën IHF Trophy
Kombëtaret U-20 dhe U-18 të Kosovës në hendboll kanë nisur me fitore paraqitjen në IHF Trophy për zonën evropiane që prej të martës po zhvillohet në Prishtinë. Ndeshjet e juniorëve (U-20) luhen në Pallatin e Rinisë kurse ato të U-18 në palestrën 1 Tetori. Dy kombëtaret tona të martën në ditën e parë kishin përballë Britaninë e Madhe. Kombëtarja U-20 fitoi me rezultat 38:17 dhe menjëherë doli e para në grup. Djelmoshat e Fatmir Muhaxherit ishin bindshëm më të mirë se lojtarët britanik dhe fituan bindshëm. Pas pjesës së parë rezultat ishte 21:5 në të mirë të Kosovës. Muhaxheri ua dha rastin të gjithë lojtarëve dhe të gjithë shfaqën vlera. Për Komëbtaren U-20 kjo garë është rast i artë për të siguruar pjesëmarrjen në botëror. Edhe në grupmoshën U-18, Kosova ka dalur e para në grup pas ndeshjeve të para. Kosova U-18 fitoi ndaj Britanisë së Madhe me rezultat 33:24.
Të mërkurën Kombëtarja U-20 përballet me Irlandën nga ora 18:00 derisa ajo U-18 nga ora 16:00 luan ndaj Moldavisë.