Kosova me fitore synon t’i nisë kualifikimet për “Euro 2020”
Kosova po synon t’i nisë me këmbë të mbarë kualifikueset për “Euro 2020”. Trajneri Bernard Challandes ka thënë se, nëse “Dardanët” luajnë mirë, mund ta mposhtin sonte Bullgarinë në “Fadil Vokrri”.
Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e hënë) fillon ciklin kualifikues për Kampionatin Evropian “Euro 2020”. “Dardanët” e drejtuar nga trajneri Bernard Challandes janë gati ta fitojnë ndeshjen e parë ndaj Bullgarisë, pasi motivi në përfaqësuese është i madh për faktin se në njëmbëdhjetë ndeshjet e fundit nuk kanë pësuar asnjë humbje.
Suksesi historik në Ligën e Kombeve dhe paraqitja e rezultatit në miqësore ndaj Danimarkës ditë më parë në stadiumin “Fadil Vokrri” është një tjetër motiv për Kosovën. Trajneri Bernard Challandes në konferencën e fundit para ndeshjes me Bullgarinë ka thënë se “Dardanët” mund të shënojnë fitore nëse luajnë mirë. Ai është ndalur edhe në analizën e kundërshtarit, duke thënë se bullgarët janë një ekip me përvojë të madhe. “Jam i kënaqur me paraqitjen kundër Danimarkës, por tani është më ndryshe. Ndaj Bullgarisë do të jetë ndeshje krejt tjetër. Bullgaria është ekip i fortë dhe ne duhet të luftojmë për çdo top. E dimë se Bullgaria ka përvojë më shumë se ne. Nëse luajmë mirë, kemi mundësi t’i marrim tri pikët. Ekipi është në një situatë të mirë, por mos të harrojmë se ata janë agresivë dhe do të na i vështirësojnë gjërat”, ka thënë Challandesi.
Në konferencë për medie foli edhe mesfushori Hekuran Kryeziu, i cili mungoi në ndeshjen miqësore që u zhvillua më 21 mars ndaj Danimarkës. Anëtari i skuadrës së Zurichit ka thënë se me ndihmën e shikuesve Kosova mund të dalë fitimtare. “Kam stërvitur dhe besoj se do të jem gati për ndeshje. I kemi bërë disa analiza dhe jemi optimist pas lojës sonë kundër Danimarkës dhe me ndihmën e shikuesve mund t’ia dalim. Do të na presë një ndeshje më fizike pasi Bullgaria ka një ekip me lojtarë fizikë dhe do të na bëjnë ndeshjen e vështirë”, ka thënë Kryeziu. Ndërsa anësori Arbër Zeneli në lidhje me përballjen ndaj Bullgarisë ka deklaruar: “Ndeshja me Bullgarinë është shumë e rëndësishme për ne dhe mendoj se miqësorja me Danimarkën na ka ndihmuar të hyjmë në ritmin tonë. Ai gol i pësuar në sekondat e fundit të ndeshjes me danezët na ka zhgënjyer paksa, por atmosfera është shumë e mirë dhe të gjithë jemi të përqendruar te dueli me bullgarët për ta dhënë 100 përqindëshin tonë. Në çdo lojë që hyjmë kemi respekt për kundërshtarin, por edhe ata tashmë kanë respekt të madh për ne, ngaqë e dinë se çfarë ekipi kemi. Realisht kemi sulmues shumë të mirë dhe jemi të bashkuar si ekip. Secili futbollist po e pret me padurim ndeshjen, sepse do të luajmë në fushën tonë para tifozëve tanë të zjarrtë, prandaj emocionet janë të mëdha”.
Optimist për fitore është treguar edhe mbrojtësi i Bullgarisë, Petar Zanev. Ai ka thënë se bullgarët kanë marrë mësim pas barazimit 1-1 ndaj Malit të Zi dhe ndaj Kosovës duan tri pikë. “Jemi në gjendje të mirë, kemi marr mësim nga ndeshja me Malin e Zi dhe në ndeshjen ndaj Kosovës duhet të përqendrohemi. Kundërshtari ynë është një ekip nga ish-Jugosllavia dhe ka lojtarë të mirë, por ne do të fitojmë. Është gjithmonë mirë të luajmë në stadiume të mbushura, nuk mendoj se është një minus”, ka thënë Zanev.
Ndeshja Kosovë – Bullgari zhvillohet sonte (e hënë) në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 20:45.
/Veton ZYMBERI/