Kosova me gjashtë medalje përfundon pjesëmarrjen në Lojërat Mesdhetare
Kosova ka përfunduar garat në Lojërat Mesdhetare ‘Oran 2022’ me gjashtë medalje të fituara, duke u radhitur në vendin e 16-të sa i përket medaljeve.
Në garat që u mbajtën në Algjeri, xhudistet Distria Krasniqi, Loriana Kuka dhe Laura Fazliu morën medalje të arta në kategoritë e tyre respektive.
Medalje të bronztë fituan xhudistët Akil Gjakova dhe Flaka Loxha si dhe boksieri Shpejtim Bajoku.
Garat u mbajtën në Algjeri – shtet që nuk e njeh pavarësinë e Kosovës – nga 25 qershori deri më 5 korrik, ndërkaq ceremonia përmbyllëse zhvillohet më 6 korrik.
Lojërat Mesdhetare Oran 2022, Kosova u përfaqësua me 39 sportistë dhe gjyqtarë.
Sportistët e Kosovës garuan në 12 disiplina sportive: xhudo, boks, mundje, karate, atletikë, not, shigjetari, shenjëtari sportive, taekwondo, tenis, pingpong, gjimnastikë dhe badminton.