Kosova me këtë qeveri është krejtësisht ndryshe
Kryeministri Ramush Haradinaj ka bërë me dije se qeveria nën drejtimin e tij gjatë vitit 2018 ka marrë vendime në të mirë të qytetarëve të saj si ai për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe Bosnjë Hercegovinës.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka theksuar se Kosova me këtë qeveri është krejtësisht ndryshe. Haradinaj ka thënë se Kosova e ka edhe një shans për liberalizimin e vizave në vitin 2019.
Në këtë drejtim, ai ka thënë se është e pashpjegueshme mbajtja e Kosovës në izolim. Në këtë intervistë Haradinaj ka folur edhe për partneritetin që ka me partnerët e koalicionit dhe me partinë opozitare – PSD-në.
Muhamet KOCI
“Epoka e re”: Z. Haradinaj, Qeveria e Kosovës ka marrë vendime të shumta gjatë këtij viti. Ndër to veçohet vendimi për demarkacionin me Malin e Zi, për taksën 100 për qind ndaj produkteve të Serbisë dhe miratimi i ligjeve për formimin e ushtrisë. Këto dy të fundit sa kanë qenë të vështira për ju, duke ditur se ka pasur edhe reagime të ndërkombëtarëve?
Haradinaj: Ratifikimi i marrëveshjes për demarkacionin me Malin e Zi është bërë në një pako, në të cilën kemi pasur tri dokumente: marrëveshjen, deklaratën e presidentëve të Malit të Zi dhe Kosovës për korrigjim dhe raportin e komisionit shtetëror të kryesuar nga profesor Bulliqi. Pra, ratifikimi i marrëveshje në këtë pako nënkupton edhe vendimin e institucioneve të Kosovës për korrigjim në drejtim të Kullës dhe Çakorrit. Implementimi i korrigjimit ka mbetur pezull, mirëpo ekziston si e drejtë dhe si detyrë e jona për ta bërë. Ka mbetur pezull për faktin se ishin në proces të liberalizimit të vizave dhe idesë që mos të hapim shumë tema. Çështja e ushtrisë është një çështje që ekziston prej vitit 1998, ku vazhdimisht Kosova është identifikuar me forcën e vet. Në fillim ka qenë UÇK-ja, TMK-ja dhe pastaj FSK-ja. Përpjekjet tona institucionale për të ardhur te ushtria nuk janë ndalur asnjëherë. Së fundi u krijua një momentum politik dhe një dakordim që të lëvizim me miratimin e pakos së ligjeve për formimin e ushtrisë dhe Qeveria e bëri detyrën që i takonte. Ligjet ishin transparente dhe në këtë mënyrë FSK-së iu dha mandati mbrojtës. Që nga votimi në Kuvend, çdo herë Kosova e ka rreshtin e vet të ushtrisë, të cilit i prinë Amerika. Është një moment kulmor me domethënie të jashtëzakonshme.
“Epoka e re”: Cila ka qenë ndjesia juaj në momentin e votimit të ushtrisë, meqenëse keni qenë gjeneral lufte?
Haradinaj: Ne e kemi pasur këtë detyrë dhe çdo qytetar i Kosovës e ka pasur këtë detyrë, posaçërisht ish-luftëtarët e UÇK-së dhe ish-udhëheqësit e përpjekjeve për liri. Unë e kam ndjerë peshën e kësaj detyre, ashtu siç kam thënë atë ditë, se me këtë vendim janë gëzuar varret dhe janë gëzuar të gjallët. Janë gëzuar ushtarët e Ibrahim Rugovës dhe ushtarët e Adem Jasharit. Këtë e them me qëllim sepse ushtria është e çdo qytetari, jo vetëm e një krahu, jo vetëm e atyre që kanë luftuar me pushkë, por edhe atyre që kanë luftuar me pendë.
“Epoka e re”: Po vendimi për taksën, sa sfidues ka qenë?
Haradinaj: Kjo ka qenë taksë e zorit sepse nuk kemi pasur zgjidhje tjetër. Serbia e rriti agresivitetin ndaj nesh në shumë drejtime, në këtë mënyrë u detyruam t’i tregojmë se kështu nuk mund të vazhdosh më me Kosovën. Ose e respekton si fqinjë ose ka reciprocitet në vendime.
“Epoka e re”: Cilat kanë qenë efektet e këtij vendimi?
Haradinaj: Ky ka qenë vendim i drejtë dhe shumë i nevojshëm. Tani po shihet se është edhe vendim i dobishëm për Kosovën, sepse ka dhënë edhe efekte të mira edhe në ekonominë e vendit. Tani kompanitë e vendit prodhojnë shumë më tepër dhe ka më shumë punë. Kjo është edhe një porsi politike për Serbinë dhe për të tjerët, se ne do ta mbrojmë sigurinë tonë kombëtare.
“Epoka e re”: Megjithatë, ky vendim i Qeverisë së Kosovës çoi në një përplasje me Brukselin dhe aleatët e saj, të cilët vazhdimisht po kërkojnë heqjen e kësaj takse?
Haradinaj: Ne Brukselit dhe aleatëve u kemi shpjeguar në vazhdimësi për arsyet e marrjes së këtij vendimi. Ne e kuptojmë pozicionin e tyre parimor se taksa duhet të hiqet. Ne i respektojmë aleatët dhe nga letra e presidentit Trump nuk ndërmorëm veprime të tjera, ndërsa shihet që Serbia po vazhdon agresivitetin e saj. Kryeministrja e Serbisë sërish u ka dërguar letra qeverive të vendeve të tjera, ku kërkon ta tërheqin njohjen. Madje i ka kërkuar edhe Shqipërisë ta tërheqë njohjen. Po e them këtë për të treguar se ka qenë një masë e nevojshme dhe është një masë që do të mbetet në fuqi deri në njohjen e Kosovës nga Serbia.
“Epoka e re”: Ndonëse si Qeveri kishit pritje të mëdha se do të ndodhë liberalizmi i vizave këtë vit, një gjë e tillë nuk ndodhi. A besoni se ka gjasa në fillim të vitit 2019 që Këshilli i Ministrave të marrë një vendim?
Haradinaj: Ne e kemi mundësinë për liberalizimin nëse në muajin shkurt mblidhet Këshilli i Ministrave dhe po punojmë në këtë drejtim. Në fakt, e kemi shumë me rëndësi ta marrin liberalizimin e vizave në shkurt apo mars të 2019-s. E di që evropianët po thonë që mos caktoni datë. Ne nuk po caktojmë data, por e kemi interes këtë çështje. Tani ka filluar edhe një valë e ftesave të ish-luftëtarëve të UÇK-së për Hagë. Në këtë mënyrë është e pashpjegueshme mbajtja e Kosovës në izolim. Lëvizja e lirë do ta rriste besimin e qytetarit të Kosovës për BE-në. Kam kërkuar miqësisht, sidomos prej vendeve të Quntit, që vërtet të ketë lëvizje në këtë drejtim, ngaqë Kosova i ka plotësuar kriteret e parapara për këtë proces.
“Epoka e re”: Përveç këtyre vendimeve të madhe, cilat janë vendimet e tjera që i keni marrë dhe do t’i veçonit për vitin që po lëmë pas?
Haradinaj: Puna kryesore e kësaj qeverie është se nuk u kemi ikur temave. Vendim i madh ka qenë që mos të rritet çmimi i energjisë. Prej ardhjes sime në pushtet nuk është rritur çmimi i energjisë. Janë pastaj vendimet e tjera ekonomike, si miratimi i Ligjit për Prishtinën, i cili ia mundëson kryeqytetit zhvillimin. Pastaj është zbatimi i politikave fiskale, miratimi i pakos ligjore për luftimin e korrupsionit dhe shumë vendime të tjera. Mund të them se brenda një viti Kosova është krejtësisht ndryshe nga jo që ka qenë. Mos të harrojmë se prokurorit të Kosovës iu ka dyfishuar paga me vendim të kësaj Qeverie.
“Epoka e re”: Por mendim të njëjtë nuk ka opozita, e cila thotë se kjo qeveri është e dëmshme për vendin?
Haradinaj: I kam përcjell deklarimet e saj, por nuk janë të argumentueshme. Këto qëndrime opozita i ka vetëm në bazë të detyrës. Është lehtë të thuash se kjo qeveri i shkakton dëme Kosovës dhe të vetmin argumentim e ka te numri i zëvendësministrave dhe kostos së tyre.
“Epoka e re”: Vazhdimisht ju kritikon se ia keni rritur vetes pagën.
Haradinaj: Një kryeministër që sot e ka Kosova punon minimumi në dy ndërrime. Pa punuar në dy orare të punës, shumica e temave që po i flasim nuk kishin ndodhur. Paga ime, megjithatë, do të zvogëlohet me ligjin për paga që do të miratohet. Ai vendim nuk është bërë për mua, por për institucionet e tjera. Opozita le të vazhdojë ta bëjë detyrën e saj, unë i respektoj kritikat, por që ato të jenë të argumentueshme.
“Epoka e re”: Si po ju shkon partneriteti qeverisës me PDK-në, Nismën, AKR-në dhe minoritetet?
Haradinaj: Ne kemi komunikim korrekt ndërpartiak, brenda Qeverisë dhe institucioneve të tjera. Nuk është se në tema pajtohemi apo kemi mendim të njëjtë, sepse ne jemi parti të ndryshme. Mirëpo ne gjejmë pajtim për shumë tema që janë të interesit nacional. Unë si kryeministër dhe si lider partie jam sjell në mënyrë korrekte me të gjithë partnerët e koalicionit. Natyrisht, i jam mirënjohës edhe AAK-së që më ka mirëkuptuar, ngaqë nuk kam mundur mjaftueshëm për të vrapuar pas partisë, sepse më është dashur të vrapoj pas interesave të vendit. I jam mirënjohës secilit votues të Aleancës, sepse vërtet janë njerëz të mirë dhe ata e kanë bërë të mundshme që unë sot të jem kryetar qeverie.
“Epoka e re”: Cilat janë raportet tuaja me presidentin e vendit?
Haradinaj: E kemi një ftohje të marrëdhënieve që një kohë. Kjo nuk është personale me presidentin, por nga frika që unë kam se mund të na ndodhë ndonjë befasi jo e mirë me territoret apo me kufij. Për fat të mirë, shihet se tani ka ndryshuar. Tani jemi të bashkuar në tavolinë, sepse e shoh presidentin, kryeparlamentarin, veten, zëvendëskryeministrat dhe gjithë delegacionin duke punuar për hartimin e një platforme që do t’i paraqitet Kuvendit në bazë të Kushtetutës. Kështu që, më nuk shoh rrezik të territorit dhe kufijve.
“Epoka e re”: Së fundi Qeveria ka krijuar një raport interesant me subjektin opozitar, PSD-në. Si do ta definoni këtë raport të PSD-së me Qeverinë?
Haradinaj: Moti kam një miqësi me z. Ahmeti, z. Ymeri, z. Molliqaj dhe kolegë të tjerë të PSD-së, pra që nga koha kur ishim në VLAN, kur bashkëpunonim si opozitë. Që nga ajo kohë ne kemi komunikuar për shumë tema. Kur e mora qeverisjen, e vizitova kryetarin e Prishtinës dhe e bëmë një listë të temave dhe të punëve që ai kishte nevojë për kryeqytetin. Dhe pastaj, kur e vizitova, pas gati një viti përsëri Komunën e Prishtinës, shkova me listën që i kisha përfunduar të gjitha obligimet që kisha marrë si kryeministër. Natyrisht, se ai ishte në një pozicion jo të mirë si opozitë dhe deklaroj se më pas mundësi do ta rrëzonte Qeverinë. Sa iu përket temave për kryeqytetin, ai e pranoi se të gjitha i kemi kryer. Pastaj, kjo marrëdhënie evuloi edhe me largimin e Listës Serbe nga koalicioni qeverisës, për të cilën kam respekt sepse kemi punuar shumë mirë me të, mirëpo dihet se unë i shërbej agjendës së Kosovës dhe më vjen keq që në raste të caktuara Lista Serbe është keqpërdorur nga Beogradi zyrtar. Me largimin e Listës Serbe, PSD-ja ia mundësoi Kosovës që Qeveria e saj t’i ketë duart e lira për marrjen e disa vendimeve të drejta, si rasti për ushtrinë. Pa përkrahjen e tyre ne nuk e kishim përkrahjen në Kuvend, pastaj përkrahjen për ushtrinë e dhanë edhe LDK-ja dhe LV-ja. Megjithatë, roli i PSD-së është më i drejtpërdrejtë dhe më paraprak, sepse qysh në fillim na ka përkrahur për të ardhur deri te dita kur të votohet. PSD-ja e ka një kontribut në disa tema të interesit kombëtar për të cilat e respektoj shumë. Ata që i ndihmojnë atdheut, edhe nëse janë kundërshtarë të mi, unë i respektoj. (Vazhdon në numrin e ardhshëm të gazetës)