Kosova me numrin më të vogël të bakomatëve në rajon
Në vitet e fundit në Kosovë është vërejtur dukshëm reduktimi i degëve bankare dhe i infrastrukturës së bankomatëve (ATM) nga bankat në Kosovë, duke e bërë më të vështirë qasjen dhe kryerjen e shërbimeve për qytetarët në vend.
ATM-të janë pajisje elektronike të cilat vendosen afër bankave, mirëpo edhe në lokacione të tjera nëpër qytete për t’ua bërë më të lehtë qytetarëve tërheqjen e parave “cash”, si dhe kryerjen e disa shërbimeve të tjera siç janë: inicimi i transfereve, pagesa e faturave, si dhe pagesa e kartave të kreditit.
Ndonëse sipas të dhënave të raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës (BQK) me titull: “Strategjia kombëtare për pagesat me vlerë të vogël në Kosovë”, Kosova është e fundit në rajon për nga numri i degëve bankare dhe infrastrukturës së bankomatëve. BQK-ja në një përgjigje për “Buletinin Ekonomik” i ka dalë në mbrojtje bankave komerciale, duke thënë se krahasuar me vendet e rajonit dhe disa vende evropiane, Kosova ka një pozitë më të mirë sa i përket terminaleve ATM, nëse merret për bazë numri i banorëve dhe sipërfaqja e vendit.
Por, duke u bazuar në të dhënat e këtij raporti, qartazi shihet se deri në vitin 2018, numri i degëve të bankave për 100 mijë banorë të moshës madhore është zvogëluar në 16.8 në krahasim me 20.6 sa ka qenë në vitin 2015. E pikërisht këto të dhëna e paraqesin Kosovën si vendin me më së paku degë bankare në rajon.
Sipas po të njëjtit raport, më së shumti degë bankare në 100 mijë banorë ka Mali i Zi, e pasuar nga Bosnja dhe Hercegovina, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.
Sipas zëdhënësit të BQK-së, Kushtrim Ahmetit, janë bankat ato të cilat vendosin për përcaktimin e numrit të ATM-ve apo distancën që duhet ta kenë bankomatët në mes të tyre. BQK-ja, zvogëlimin e ATM-ve dhe degëve bankare në Kosovë, ia ka atribuuar teknologjisë së avancuar nga bankat e jashtme që operojnë në vend. Me këtë teknologji, sipas zëdhënësit të BQK-së, ofrohen shërbime të cilat mund të kryhen nëpërmjet telefonit pa pasur nevojë fare të vizitohet banka fizikisht, siç janë platformat “e-banking” dhe “m-banking”.
“Kjo ngërthen në vete edhe çmime më të lira të shërbimeve bankare. Bankat komerciale vendosin për rritje të numrit, sigurisht se në bazë të kërkesave të tregut, klientëve. Dhe, viteve të fundit është evidente se kanë zhvilluar dhe ngritur cilësinë në terminale (të quajtur si vetëshërbim/self serve) me 24/7, që ua bën të mundshme klientëve, që përveç tërheqjes ‘cash’, në ATM të kryhen edhe shërbime të tjera, përfshirë inicimin e transfereve, pagesat e faturave, pagesat e kartës së kreditit, etj.”, ka thënë Ahmeti .