Kosova me propozim unik për simbolin e gjenocidit

18 dhjetor 2022 | 08:28

Aktivisti dhe ish i burgosuri politik Bardhyl Mahmuti, që tashmë udhëheq me Qendrën “Gjenocidi në Kosovë – Plagë e hapur”, i ka dhënë vetes një detyrë të re.

Në kuadër të aktiviteteve për dokumentimin e gjenocidit të kryer ndaj qytetarëve të Kosovës nga ana e institucioneve shtetërore të Serbisë, Qendra ka filluar me kërkesa konkrete në institucionet e Kosovës që të përzgjedhin lulëkuqen me katër petale si simbol të gjenocidit të kryer në Kosovë.

Kjo fushatë ka gëzuar një mbështetje të gjerë.

Në një intervistë për FrontOnline, Mahmuti ka dhënë një përgjigje zërave se kjo lulëkuqe është simbol edhe i vendeve tjera për të rënit për atdhe dhe nëse kjo është një imitim i logove tjera.

Ai ka zbërthyer edhe mesazhin e shenjave që përmbanë rrethi brenda petaleve, për të simbolizuar gjenocidin e kryer nga ana e Serbisë në Kosovë.

Më 16 nëntor Qendra “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur” kërkoi nga institucionet shtetërore të Kosovës dhe nga forcat politike të vendit që të miratojnë lulëkuqen me katër petale si simbol të gjenocidit në Kosovë.

Udhëheqësi i kësaj qendre, Bardhyl Mahmuti, ka shpjeguar në detaje arsyet e kësaj kërkese, rëndësinë që të kemi një simbol për gjenocidin dhe angazhimin vullnetar që po bëjnë për informimin e drejtë dhe ndriçimin e plotë të gjenocidit në Kosovë.

Propozimi për simbolin e gjenocidit, sipas Mahmutit është bërë nga veprimtari Adnan Asllani, i cili ka dizajnuar edhe amblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  

“Para se të përcaktohemi për lulëkuqen si logo të Qendrës “Gjenocidi në Kosovë-Plagë e hapur”, janë analizuar hollësisht të gjitha propozimet, në mesin e të cilave ka qenë edhe propozimi për lulëgjaken. Duke pasur parasysh se me dokumentet e të Drejtës penale ndërkombëtare vrasjet, dhuna seksuale, spastrimi etnik dhe shkatërrimet e shtëpive, të shkollave, të shtëpive kulturore, të bibliotekave, të institucioneve shëndetësore dhe të objekteve të kultit fetar hyjnë në kategorinë e juridike të gjenocidit vetëm nëse këto vepra kriminale janë të drejtuara qëllimisht për të shkatërruar, tërësisht ose pjesërisht, një grup të caktuar kombëtar, etnik, racor apo religjioz, si të tillë, ne përzgjodhëm lulëkuqen. Kjo, për faktin se ka ngjyrat kuq e zi, me të cilat identifikohen shqiptarët kudo qofshin në botë. Petalet e lule bozhurit janë të kuqe, por theket e saj janë me ngjyrë të verdhë”, ka theksuar Bardhyl Mahmuti.

Intervistën e plotë mund ta lexoni në këtë link:

https://frontonline.net/kosova-me-propozim-unik-per-simbolin-e-gjenocidit/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se të dielën do…