Kosova me renditje historike në FIFA, ngjitet për pesë pozita
Kombëtarja e Kosovës në futboll është ngjitur për pesë pozita në ranglistën e FIFA-s për kombëtare.
Me këtë ngjitje, kombëtarja jonë ka arritur edhe pozitën më të mirë ndonjëherë që prej pranimit në FIFA dhe UEFA.
Kosova, pas ndeshjeve kualifikuese për “Euro 2024” renditet në pozitën e 105-të, që është më e mira ndonjëherë.
Në ranglistën e shtatorit, Kosova renditej e 111-ta.
Kombëtarja e Kosovës në tetor ka zhvilluar vetëm një përballje, ndonëse në kalendar i kishte dy.
Ndeshjen me Andorrën, djemtë e Kosovës e kanë fituar me rezultat bindës 3-0, ndërsa përballja me Izraelin, e planifikuar të zhvillohej më 15 tetor është shtyrë pas sulmit brutal të Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor. Kjo ndeshje është riplanifikuar nga UEFA për 12 nëntor.
Megjithatë, ka mjaftuar kjo fitore që ekipit të Primoz Glihas t’i jepet kredit dhe të shënojë ndër ngritjet më të mëdha të kombëtareve në vlerësimin e FIFA-s për tetor.
Po ashtu në top-treshe nuk ka ndryshime: Argjentina mban vendin e parë bindshëm me 8.18 pikë, e ndjekur nga sfiduesi më i afër, Franca. Pas tyre është Brazili, por që rrezikohet nga Anglia në vendin e katërt. Belgjika është në pozitën e pestë, Portugalia në të gjashtën, Holanda në të shtatën, Spanja në pozitën e tetë, Italia në të nëntën dhe Kroacia në vendin e dhjetë.