Kosova me synime të mëdha ndaj Polonisë

12 qershor 2019 | 05:49

Trajneri i Kosovës, Taip Ramadani, ka bërë me dije se e ka studiuar mirë kundërshtaren e radhës, Poloninë, dhe se i njeh mirë përparësitë dhe dobësitë e saj. Ai beson se hendbollistët ‘dardanë’ do t’i shfrytëzojnë pikat e dobëta të polakëve për të arritur deri te suksesi. Ndërsa hendbollisti Enis Kabashi ka thënë se synohet që në këtë ndeshje të tregohet se suksesi ndaj Izraelit nuk ka qenë i rastësishëm. Ndeshja Kosova – Polonia zhvillohet sonte nga ora 20:00.

Përfaqësuesja e Kosovës në hendboll është maksimalisht e përgatitur për ndeshjen e radhës ndaj Polonisë, e cila është ndeshja e parafundit e fazës së dytë kualifikuese për “Euro 2020”. Kjo ndeshje zhvillohet sonte (e mërkurë) nga ora 20:00 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, kurse synim i “dardanëve” është fitorja.

Trajneri Taip Ramadani ka thënë para kësaj ndeshje se e njeh shumë mirë ekipin kundërshtar dhe se Kosovës i duhet t’i shfrytëzojë dobësitë e polakëve. “Është hera e tretë që takohemi me Poloninë, prandaj i njohim mirë cilësitë dhe dobësitë që ka. Neve na mbetet të përfitojmë nga këto dobësi. Jam i kënaqur me përgatitjet tona deri më tani, pasi djemtë kanë punuar në nivel të lartë dhe janë të fokusuar në detyra. Më lë përshtypje fakti që janë duke diskutuar më shumë mes vete gjatë stërvitjeve dhe janë duke analizuar lojën e polakëve më shumë vëmendje”, ka thënë Ramadani, i cili ka konfirmuar edhe mungesat e dy hendbollistëve: Bujar Ramosajn dhe Rron Ramadani.

“Na mungon mbrojtësi Ramosaj, që ka bërë një operim në dorë para pak ditësh dhe Rron Ramadani. Shpresoj se mund t’i kompensojmë këto mungesa në mënyra të tjera. Alo e majtë, Lulzim Shabani, do të debutojë në Prishtinë pas një sezoni të mrekullueshëm me Kastriotin. Ka shpejtësi mahnitëse dhe potencial që në të ardhmen të zhvillohet në lojtar të nivelit të lartë. Familja, shoqëria dhe klubi duhet të krenohen me të. Shpresojmë për një mbështetje nga tribunat dhe të jeni të sigurt se do të derdhim edhe djersën e fundit në parket”, ka shtuar Ramadani.

Për ndeshjen ndaj kombëtares polake ka folur edhe një nga hendbollistët më të mirë të Kosovës, Enis Kabashi. Ai ka thënë se Kosova dëshiron t’i tregojë Evropës që fitorja kundër Izraelit nuk ishte e rastësishme. “Jemi një grup lojtarësh që njihemi mirë, jemi shumë vite bashkë. Atmosfera në ekip është shumë e mirë. Kundër Polonisë presim përkrahje të madhe nga publiku, që të jetë lojtari ynë i tetë. Duam t’i tregojmë Evropës që fitorja kundër Izraelit nuk ishte e rastësishme, por mesazh për të gjitha ekipet mesatare evropiane, se Kosovën nuk do ta mposhtin lehtë, sidomos në shtëpinë tonë”, ka deklaruar Kabashi.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ylli brazilian i Paris Saint Germainit, Neymar, ka prishur çdo…