Kosova merr mbështetjen e Kroacisë dhe Sllovenisë për anëtarësim në organizata ndërkombëtare
Në kuadër të konferencës ministrore “Procesi i Brdos”, që është mbajtur në Shkup, ministri i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, ka zhvilluar takime bilaterale me ministrin e Brendshëm të Kroacisë, Davor Bozinoviq si dhe me ministrin e Brendshëm të Sllovenisë, Bostjan Poklukar.
Në takimi në mes të ministrit Mustafa dhe homologut të tij kroat, në mes të tjerash është diskutuar për bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe zbatimit të ligjit, marrëveshjet e bashkëpunimit me policinë, dhe fushën e forenzikës.
Gjithashtu, në këtë takim është biseduar për mundësinë e nënshkrimit të një marrëveshje bilaterale në mes të Kosovës dhe Kroacisë për njohjen e patentë shoferëve.
Ndërsa, në takim me ministrin e brendshëm të Sllovenisë, Bostjan Poklukar është diskutuar lidhur me marrëdhëniet e mira në mes të dy shteteve në fushën e sigurisë, me theks të veçantë në bashkëpunimin policor në mes të të dyja vendeve.
Në të dy takimet ministri Mustafa ka marrë përkrahje për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare të sigurisë.
/Epoka e re/