Kosova mëson grupin dhe kundërshtarët në rast kualifikimi në ‘Euro 2020’
Është hedhur shorti i fazës së grupeve të Kampionatit Evropian 2020. Në rast kualifikimi në ‘Euro 2020’, Kosova do të luajë në Grupin C kundër Holandës, Ukrainës dhe Austrisë.
Në mesin e ekipeve kombëtare që me ankth e emocione e kanë pritur shortin e së shtunës, ishte edhe Kosova. Kosova s’e arriti kualifikimin direkt në Kampionatin Evropian 2020 përmes Grupit A, pasi që mbeti në pozitën e tretë, prapa fitueses së grupit Anglisë dhe Çekisë.
Megjithatë, ëndrra e Kosovës nuk u mbyll me kaq. Dardanët kanë mundësi të kualifikohen në këtë kampionat përmes Rrugës D të “play-off”-it, ku në gjysmëfinale do të luajnë kundër Maqedonisë, ndërsa në finale i pret ose Gjeorgjia, ose Bjellorusia.
Po ta arrijë finalen dhe ta fitojë atë, Kosova do të kualifikohet në “Euro 2020”, ku tashmë është bërë e ditur se do të radhitet në Grupin C.
Nëse Kosova kualifikohet nga “play-off” i Nations League, do të ketë punë në Grupin C me Holandën, Ukrainën dhe Austrinë.