Kosova mëson kundërshtarët e fazës interkontinentale
Federata Ndërkombëtare e Hendbollit (IHF) ka njoftuar për ekipet kombëtare që do ta paraqiten në garën e rëndësishme “IHF Trophy”, në fazën interkontinentale të saj. Përfaqësueset U20 dhe U18 të Kosovës i kanë zënë vendet e para në “IHF Trophy” për Evropë, gara që janë mbajtur javë më parë në Prishtinë.
Hendbollistët deri 18-vjeç dhe ata deri 20-vjeç me vendet e para në “IHF Trophy” për Evropë kanë fituar të drejtën që të paraqiten në “IHF Trophy Interkontinentale”. Faza interkontinentale do të mbahet në pjesën e parë të vitit të ardhshëm, me shumë mundësi në muajin prill. IHF-ja nuk ka vendosur ende terminin përfundimtar e poashtu vendin nikoqir. Ka shpresë që kjo ngjarje mund t’i besohet Federatës së Hendbollit të Kosovës pas vlerësimeve shumë pozitive për “IHF Trophy” për Evropë.
“Nëse Kosova e fiton fazën interkontinentale me 20-vjeçarët, atëherë do të sigurojë paraqitjen në kampionatin botëror të vitit të ardhshëm. Ka optimizëm për të arritur këtë sukses, që gjithsesi do të ishte historik për Kosovën në përgjithësi. Ende asnjë ekip sportiv i Kosovës nuk është paraqitur në kampionat botëror dhe djelmoshat e Fatmir Muhaxherit mund të jenë të parët që do të bëjnë këtë”, thuhet në njoftimin e Federatës së Hendbollit.
Në fazën interkontinentale te U20-shat do të garojnë Kosova, Nigeria, Taipei Kinez, SHBA-ja, Australia dhe Paraguai. Ndërsa te 18-vjeçarët garojnë Kosova, Nigeria, Taipei Kinez, Kanadaja, Zelanda e Re dhe Paraguai.