Kosova miqësore me Katarin
Aktivitetin e parë të vitit 2021 Përfaqësuesja U21 do ta zhvillojë në pranverë. Në fakt, më 26 mars “dardanët” e rinj do të përballen me Katarin në kryeqytetin Doha, ndërkohë që ekziston mundësia të zhvillohet edhe një miqësore tjetër tri ditë më pas.
Miqësorja me Katarin vjen si rezultat i Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet dy federatave.
“Ndonëse ky takim ka kohë që është aranzhuar, gjithçka do të varet nga gjendja me pandeminë. Situata me Covid-19 do ta determinojë edhe praninë e lojtarëve kosovarë të cilët janë të angazhuar në klubet evropiane”, thuhet në njoftimin e FFK-së. Në Doha të Katarit do ta ketë debutimin si përzgjedhës i U21, trajneri gjerman Michael Nees, i cili u emërua në këtë pozitë muajin e kaluar. Ai në këtë grumbullim do t’i ketë në dispozicion futbollistët e gjeneratës 2000/2001.
Ky grumbullim në Katar do t’i shërbejë Përfaqësueses U21 për t’u përgatitur për ndeshjet kualifikuese të Evropianit 2023, ku bën pjesë në Grupin G së bashku me Anglinë, Republikën e Çekisë, Slloveninë, Shqipërinë dhe Andorrën.
Ndeshjen e parë kualifikuese Kosova U21 do ta luajë më 8 qershor si vendase kundër Andorrës.
/Epoka e re/