Kosova mposhti Estoninë
Përfaqësuesja e Kosovës në konkurrencën e femrave e ka realizuar fitoren e dytë në kuadër të kualifikimeve për “Euro 2021”.
“Dardanet”, të martën në mbrëmje, në Tartu, kanë arritur të mposhtin Estoninë, me rezultat 2:1, duke e regjistruar fitoren e dytë në tri ndeshjet e zhvilluara deri më tash në ciklin e parë të saj të parë kualifikues.
Kosova kishte debutuar me fitore në shtëpi kundër Turqisë në fund të muajit gusht, por në ndeshjen e dytë kishte pësuar humbje si mysafire kundër Sllovenisë. Megjithatë, të përzgjedhurat e Afërdita Fazlijajt në ndeshjen e tretë sërish treguan lojë të mirë, madje duke e përmbysur rezultatin. Në fakt, të parat në epërsi kaluan estonet në minutën e 22-të, kur realizuan nga penalltia. Mirëpo, ky gol vetëm sa ndikoi në rritjen e intensitetit të lojës tek vashat tona, të cilat në minutën e 41-të e barazuan rezultatin me golin e Modesta Ukës. E njëjta futbolliste shënoi edhe në pjesën e dytë, në minutën e 56-të për t’i dhuruar tri pikë të rëndësishme kombëtares tonë.