Kosova mund të ndodhet në vijën frontale të konfliktit Rusi-NATO
Shkruan: Hajdin Abazi
Për të gjithë vëzhguesit e vëmendshëm, sidomos për ata që përcjellin kahet e trendëve midis superfuqive, se si ndizen vatrat e krizave dhe luftërave lokale në funksion të gjeopolitikave, nuk mundet t’ju shpëtojnë nga vëmendja zhvillimet në Ballkanin Perëndimor në dekadat e kaluara, me theks të veçantë këto të dy viteve të fundit dhe të këtyre ditëve, dhe rreziqet që ato ekspozojnë.
Faktorët dhe rrethanat janë mjaft sinjikative.
Lufta agresore e Rusisë në Ukrainë, si dhe rezistenca mbrojtëse e kësaj të fundit, po vazhdojnë thuaja me intensitet të njëjtë. Rusia është strategjikisht e interesuar për të hapur konflikte të tjera, në anët të ndryshme të globit, e sidomos në ato vatra ku ka probleme të akumuluara, si p.sh. raportet Palestinë-Izrael, por edhe raportet serbe me shqiptarët, boshnjakët, malazezët dhe maqedonasit.
Në Ballkan, politika shoviniste serbe, që në substancë ka ekspansionin dhe pushtimin e popujve të tjerë, është një vëllam gjenetik i gjeopolitikës së Rusisë. Ajo edhe ashtu, ka krijuar lidhje të ndryshme ushtarake, ekonomike e të strukturave të ndryshme me Rusinë, por edhe me Kinën që ka shqetësuar Bashkimin Evropian (BE) dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Viteve të fundit është armatosur aq shumë me armë të sofistikuara, sa arsenali i tillë luftarak duket sikur një përgatitje për luftë me një mekanizëm ushtarak që nuk mund ta përbejnë bashkërisht të gjitha shtetet e Ballkanit.
Vendet Euro-Atlantike janë munduar të shmangin involvimin luftarak dhe kështu kanë shmangur një konflikt midis superfuqive, dhe mbase edhe një luftë të re botërore, Luftën e Tretë, që do të mund të ishte fatale për njerizimin, për shkak të arsenalit nuklear dhe gjasave që ai të vihet në përdorim.
*
Përkundër përmbajtjes së NATO-s, megjithatë gjasat janë shumë reale, fatkeqësisht, për një konflikt shumë potencial në Ballkanin Perëndimor. Që nga luftërat e vitit 1991, me rastin e divorcimit shtetëror midis popujve të ish-Jugosllavisë, ishte Serbia ajo që me aspiratën e vet shoviniste për dominancë ndaj të tjerëve, që jo vetëm shkaktoi luftëra të përgjakshme, por edhe po vazhdon t’i mbajë si vatra krize katër shtete: Kosovën, Bosnjë e Hercegovinën (BeH), Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut.
Nga këto, dy vatra krize u mbajtën në mënyrë permanente të hapura dhe aktive, ajo në Bosnjë-Hercegovinë dhe në Kosovë.
Në vatrën e parë të krizës, përmes Republikës Serbe, në krye me Milorad Dodik, shovinizmi serb i Beogradit e mban gjendjen të tensionuar dhe me kërcënime të vazhdueshme për shkëputje nga federata e BeH, me çka e kanë sfiduar gjeopolitikën perëndimore (BE, SHBA e NATO dhe bazat e Marrëveshjes së Daytonit 1995).
Në vatrën e dytë të krizës, përmes instrumentalizimit të kastave të inkriminuara politike të minoritetit serb në Kosovë shovinizmi serb i Beogradit ka arritur për më shumë se dy dekada e gjysmë ta mbajë edhe konstituimin shtetëror të Kosovës peng dhe ta shndërrojë dialogun në farsë prej të cilit ka përfituar shumë Serbia pa bërë asnjë ndryshim real. Sfidimi i gjeopolitikës perëndimore në rastin e Kosovës është edhe më evident, pasi që ka të bëjë drejtpërdrejtë me relacionet me vetë NATO-n SHBA-në dhe BE-në.
Shovinizmi i Beogradit ka arritur të manipulojë perëndi, e posaçërisht SHBA dhe BE, duke luajtur poteza të shumëfishtë, herë duke lozur viktimën, herë duke koketuar, herë duke flirtuar e më së shpeshti duke premtuar prapa perdeve gatishmërinë për integrim në gjeopolitikën perëndimore, por me shumë kujdes për shkak të rrezikut rus. Dhe perëndimi, bukur shumë ka rënë në të – për shumë gjëra dhe me dekada. Por shovinizmi serb nuk mund të zbutet, as të emancipohet e as të iluminohet, me asnjë koncesion, sepse nuk mundet të heq dorë nga substanca ekspansioniste përgjithësisht ndaj popujve të tjerë e sidomos ndaj shqiptarëve. Mbase është koha e fundit kur Perëndimi duhet të shtrojë pyetjen: vullneti i deklaruar verbalisht përse në praktikë e veprime po shkon krejt në drejtim të kundërt? Përse qëndrimet verbale duke si vullnet i ndrydhur për bashkëpunim me Perëndimin, kurse ato janë shumë të hapura e intensive në shërbim të gjeopolitikës ruse?
*
Shovinizmi serb i Beogradit ka dhe dy vatra të tjera të krizës potenciale, të cilat mund t’i aktivizojë në interes të gjeopolitikës agresioniste Ruse, por edhe të tij, në sinkronizim.
Njëra, më potenciale, është Mali i Zi. Tashmë disa herë ka provuar të ndezë konflikte të brendshme dhe e ka trazuar seriozisht këtë vend. Të gjitha këto janë veprime drejtpërdrejt kundër një vendi kandidat për BE, e për më tepër edhe anëtari i 29-të i NATO-s (25 qershor 2017). Minoriteti serb është një bazë ku mbështetet shovinizmi serb, për shkak të numrit relativisht të madh. Një mbështetje tjetër është kisha ortodokse serbe, e cila ka ndikim të madh. Në zgjedhjet e vitit 2023, nën ndikimin e Beogradit shovinist, arritën të marrin pushtetin në Podgoricë forca politike pro shovinizmit serb, gjë që mund të rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë e këtij shteti. Këtu, shovinizmi i Beogradit e shmang konfliktin drejtpërdrejtë ne NATO-n duke e nxitur konfliktin e brendshëm qytetar – kundër shtetit.
Një tjetër vend, po ashtu potencial, është Maqedonia e Veriut, vendi i 30-të anëtar i NATO-s (27 mars 2020), dhe vend kandidat për anëtarësim në BE. Ndonëse numri i minoritetit serb nuk paraqet ndonjë rrezik real, është kisha ortodokse ajo që mundet të ndikojë në funksion të shovinizmit serb. Po ashtu, elementët politik shovinistë maqedonas mund të nxiten përmes kanaleve të ndryshme për të provokuar shqiptarët dhe kështu të shkaktojnë tensione ndëretnike. Ende është i freskët rasti se si forcat shoviniste mësynë marrjen me dhunë të parlamentit maqedonas, ku, ndër të tjerë, u vunë në fokus edhe politikanë shqiptarë.
Ndonëse në NATO, edhe për këto dy vende rreziku i shovinizmit serb të Beogradit mbetet real dhe mundet të marrë trajta të tilla që ta trazojë edhe vetë NATO-n.
*
Se cilën apo cilat nga këto katër vatra do t’i aktivizojë shovinizmi serb do të varet nga interesat e tij dhe të vëllamit të tij rus.
Në BeH Dodik jo rrallë ka kërcënuar me konflikt, me vënien në veprim të arsenalit ushtarak serb. Po ashtu ai ka takuar dhe komunikon shpesh edhe me vetë Putinin, krahas kanaleve dhe mekanizmave të tjerë të komunikimit intern. Kjo bëhet për t’i treguar Perëndimit qëllimshëm afërsinë me Rusinë. Nuk do mend se Dodik yshtet edhe nga Vuçiq e edhe nga Putini. Duke i parë kërcënimet që i bënë Dodik, EUFOR-i atje ia ktheu me të njëjtën gjuhë, duke i treguar se ku janë kufijtë përtej të cilëve nuk do të tolerohet. Madje, edhe avionë luftarak amerikanë në stërvitje kaluan mbi territorin ajror të BeH, për të demonstruar prezencën dhe seriozitetin e mbrojtjes së territorin evropian. Të gjitha këto, tregojnë potencën e një konflikti në interes të gjeostrategjisë ruso-serbe kundër BE-së e SHBA-së, si dhe kundër Perëndimit.
Megjithatë më real dhe më i mundshmi mbetet skenari i Kosovës. Ky skenar sa drejtohet kundër shqiptarëve, po aq edhe kundër Perëndimit, pasi që NATO-ja e ka përgjegjësinë e sigurisë së Kosovës. Me një konflikt në Kosovë do të goditej sa shtetndërtimi i Kosovës, po aq edhe gjeostrategjia dhe gjeopolitika amerikano-evropiane. Dihet se disa herë Serbia e ka mësyrë Kosovën: ju kujtohet treni me parulla kundër Kosovës? ju kujtohet kur edhe aviacioni luftarak serb u vu në lëvizje dhe cenoi madje edhe hapësirën ajrore të Kosovës? ju kujtohet parulla “Kur të kthehet ushtria serbe në Kosovë” që po bëhet një vit që shfaqet gjithandej e orkestruar nga shovinizmi serb? nuk ka se si të mos ju kujtohet edhe përleshja e forcave kriminale serbe në veri të Kosovës me forcat e KFOR-it (ky ishte, de facto, sulmi i parë direkt i shovinizmit serb kundër NATO-s)? dhe së fundi ju kujtohen njësitet diversioniste që hynë nga Serbia, ku edhe u përgatitën dhe u furnizuan me armë, për të shkaktuar një kryengritje të armatosur – kryengritje e secila ishte vetëm një insert më 24 shtator?
Të gjitha këto janë indikatorë se në shënjestër është Kosova.
*
Shovinizmi serb ka arritur t’ia hedhë Perëndimit, para se gjithash SHBA dhe BE, duke aktruar sikur Vuçiq dëshiron të bashkëpunojë me Perëndimin e të integrohet në mekanizmat e saj, porse me një takt më të ngadaltë, gjoja për mos ta acaruar Rusinë. E vërtetë se shovinizmi serb ka lejuar instalimin e forcave të ndryshme ruse në Serbi, në mënyrë legale e jo legale, ndikimi i të cilave mund të jetë me përmasa të panjohura në jetën e vendit, dhe sidomos ne mekanizmat e sigurisë.
Shovinizmi serb nuk ndjehet i kërcënuar nga rusët, por i mbështetur, ua shton besimin në mundësitë e tyre, dhe është streha e fundit në kundërvënien ndaj Perëndimit.
Shovinizmi serb ndonëse trumbeton interesat serbe, në të vërtetë, ato janë interesa për pushtet, për përfitime financiare nga shteti e kriminaliteti. Kjo u pa qartë në demonstratat qytetare kundër vjedhjes së zgjedhjeve në dhjetor të vitit të kaluar, ku dhuna ndaj tyre më kujtonte skenat e dhunës ndaj shqiptarëve të Kosovës në vitet e ’90-ta. Për të është armik gjithkush që i kundërvihet, armik që duhet trajtuar armiqësisht. Një shembull drastik është sjellja aq brutale e javës së parë të janarit të këtij viti ndaj ish-kandidatit për president Nikola Sanduloviç i cili vendosi lule te një varr i fëmijëve të Jasharajve në Prekaz dhe kërkoi falje për këtë krim, rrahja brutale e të cilit më kujton skenat e torturave të shqiptarëve të burgosur, të cilët nuk kishin bërë asnjë krim përveç se kishin kërkuar liri dhe barazi me kombet e tjera.
Me këtë manifestim të dhunës së hapur e të egër shtetërore ndaj civilëve duan t’i dërgojnë mesazh edhe serbëve e edhe Perëndimit, se nuk do të tolerohet as vullneti qytetar serb e as Perëndimit që të preket pushteti shovinist në Beograd, se çdo ndërhyrjeje do t’i kundërpërgjigjen me anë të forcës. Për këtë Serbia është mjaft mirë e armatosur, dhe po synohet me shpejtësi edhe futja e shërbimit ushtarak të detyrueshëm – që po ashtu është indikator për përgatitje për mobilizim të detyruar të popullit për luftë!
*
Tashmë është dhënë alarmi se në afërsi të kufijve me Kosovën po stërviten me qindra serbë por edhe mercenarë. Në këto përmasa, nuk mund të bëhet pa dijeninë dhe pa mbështetjen e organeve të sigurisë së Serbisë. Kjo është një sjellje provokuese kundër NATO-s.
Se ky është një rrezik real, tërthorazi, e nxjerr në pah edhe shtimi i numrit të ushtarëve të NATO-s në Kosovë, si dhe shtimi i patrullimit të këtyre forcave në kufirin me Serbinë.
Nga kjo rrjedhë se Kosova mund t’i ekspozohet realisht një rreziku serioz të një konflikti të armatosur, me ç’rast, 24 shtatori i Banjskës do të mbetej vetëm një sprovë për të hetuar dobësitë dhe se mund të jepen goditje, goditje nga brenda, ani se të ardhura në mënyrë diversante nga jashtë.
Por, nëse kjo do të ndodhte, gjasat janë që kësaj here, njësitet diversioniste do të kishin mbështetje jo vetëm logjistike, por edhe mbështetje ushtarake nga shteti serb.
*
A është diçka e gjasshme apo vetëm manovrim strategjik i shovinizmit serb të Beogradit, do ta tregojë koha, dhe e mira e popujve të Ballkanit do të ishte që ky të ishte vetëm një hamendësim, dhe të mos ndodhte në realitet.
Megjithatë, duhet t’i kushtohet vëmendje dhe të mos neglizhohet kjo prirje e Beogradit, pasi që dy herë brenda një shekulli ka goditur Perëndimin.
Le të sillet ndërmend se në dekadën e dytë të shekullit XX ishin atentatorët serbë që në Sarajevë, kryeqytetin e BeH, duke vrarë arkidukën Franz Ferdinand, shkaktuan Luftën e Parë Botërore. Mbase, po të gjurmohet, edhe nxitja e atentatorëve mund të shkojë deri në Rusi. Klima për luftë ishte krijuar nga fryma konfliktuoze dhe antagoniste midis shtetesh të ndryshme në Evropë. Sidoqoftë, në një rrethanë të tillë të mbarsur me tension, ka mjaftuar një atentat ndaj arkidukës – për të ndezur shkëndijat e një luftë botërore.
Edhe kur gjendja ishte në disfavorin e një agresioni të mundshëm, sikurse ishin dy vitet e fundit të shekullit XX, përsëri shovinizmi serb në krye me Milosheviçin nuk hezitoi të shkonte deri në fund, duke hyrë në luftë edhe me NATO. Ishte një luftë (24 mars – 11 qershor 1999) në të cilën Serbia ishte e vetme kundër NATO-s.
Kurse në këtë dekadë të tretë të shekullit XXI, gjendja në Evropë është edhe më e rënduar në aspektin e luftës se ç’ishte në dekadën e dytë të shekullit XX. Nga 24 shkurti 2022 kur filloi agresioni rus në Ukrainë, ai po vazhdon ende me të njëjtin intensitet. Politika agresive, luftënxitëse e Rusisë është bërë krejt e hapur dhe Rusia kërcënon edhe vendet e BE, si Suedinë dhe Finlandën, madje kërcënon edhe vendet Baltike, por edhe Poloninë e kënd do tjetër. Janë disa herë që Rusia e ka përsëritur mundësinë e përdorimit të armëve nuklear, madje në një rast ka dërguar një aeroplan të armëve nuklear në hapësirat ajrore të Suedisë. Vetëm për Serbinë ka shprehur gjithnjë mbështetje dhe këtë e bën edhe tash, e që ka domethënie sepse është mbështetje e veprimeve kundër NATO-s në Kosovë, pra është një nxitje për veprime kundër gjeopolitikës amerikano-evropiane.
*
E çka mundet specifikisht kjo të ketë rrjedhoja për Kosovën?
Klasat politike ruse në krye me Putinin i ka dhënë vazhdimisht mbështetje të hapur shovinizmit serb, në çdo veprim që drejtpërdrejt ose tërthorazi ka shkuar kundër gjeopolitikës perëndimore, ku janë shkaktuar tensione, konflikte, përpjekje për puçe e deri edhe te nismat për luftë të armatosur me objektivat kundër Kosovës, BeH, Malit të Zi e Maqedonisë së Veriut. Kjo mbështetje i ka dhënë guxim dhe forcë shovinizmit serb ne krye me Vuçiq që të mbahet dhe të vazhdojë. Dhe këtë qëndrim të Rusisë, si dhe raportet e kësaj me SHBA-Britaninë e Madhe e me BE ka ditur t’i shfrytëzojë shovinizmi serb në krye me Vuçiq.
Duke pasur përgjithësisht një linjë ideologjike shoviniste (thuhet se përjashtim bënte vetëm Zoran Gjingjiq, i cili donte ta bënte Serbinë perëndimore, mirëpo ndaj tij u bë atentat më 12 mars 2003, ende i pandriçuar), shovinizmi serb me dialogun, në të vërtetë, ka vepruar, në njërën anë, si amortizues i nismave amerikane, britanike e evropiane dhe, në anën tjetër, ka arritur t’i lajthisë e t’i bindë për t’u imponuar shqiptarëve marrëveshje që cungojnë e paralizojnë shtetin e Kosovës (enklavizimi i komunave, krijimi i komunave me tri fshatra serbe e pastaj lidhja e tyre në Asociacion (2013, 2023) që është një derivat i një shteti si Republika Serbe në Bosnjë, si dhe ekstra-territorialitet për kishat ortodokse serbe në Kosovë). Tashmë do të duhej të ishte e qartë se shovinizmi serb kishte një qasje me taktikë amortizimi të gjeopolitikës amerikano-evropiane për paqe, stabilitet e siguri në raport me Kosovën dhe me BeH, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, e drejtpërdrejt në funksion të gjeopolitikës ruse. Ajo krijoi perceptimin sikur Beogradi shovinist ishte konstruktiv, flirtonte me perëndimin e që vetëm lufta e Rusisë në Ukrainë, e sidomos përpjekja diversioniste e 24 shtatorit në Banjskë, dhe zgjedhjet e fundit ne Serbi – duket se i bënë amerikano-evropianët të kuptojnë se ishin manipuluar.
Synimi ishte për të krijuar një perceptim se amerikano-evropianët janë të pazotët për të bërë paqe e siguri në Ballkanin Perëndimor, se shovinizmi serb ishte i zoti të prishte çdo taktikë e strategji gjeopolitike. Për më tepër, të gjitha këto i kishte arritur Beogradi pa ia vënë asnjë sanksion Rusisë për agresionin ndaj Ukrainës e që nuk e ka bërë ende as sot.
*
Vatrat e hapura të krizës të shkaktuara nga shovinizmi serb në Kosovë e në BeH, kurse vatrat latente në Mal të Zi e në Maqedoni të Veriut, mbaheshin për të tërhequr vëmendje e perëndimit, për t’i shpërqendruar forcat dhe angazhimet e tyre dhe për t’i mbajtur të angazhuar në këto pjesë. Ky ishte një operim de facto në kuadër të gjeopolitikës së Putinit, i cili ka deklaruar hapur armiqësia ndaj SHBA dhe Britanisë së Madhe në frymën e filozofisë reaksionare të Aleksadër Dugin, përmbushjen e së cilës duket se e ka marrë përsipër. Shovinizmi serb është aleat i natyrshëm, gjenetik, me politikat ekspansioniste ruse.
Përmes shovinizmit serb, Rusia po i tregon perëndimit, se ka në duar një kartë, të cilën mund ta luajë kundër tyre. Madje ka dhe një koherencë ruso-serbe në politikat e jashtme (jo rastësisht kanë krijuar komisione të përbashkëta për koordinim). Serbia, për të justifikuar mosvënien e sanksioneve Rusisë për shkak të agresionit në Ukrainë, i ka kujtuar perëndimit intervenimin “e padrejtë” të NATO-s kundër Serbisë në pranverë të vitit 1999, duke e barazuar aktin rus prej agresori me aktin mbrojtës të NATO-s ndaj popullatës civile shqiptare. Si mbështetje, edhe Rusia përdorë të njëjtat argumente për agresionin në Ukrainë. Ky sinkronizim në gjeopolitikë paralajmëron një mundësi të një veprimi të orkestruar ekspansionist rus, për ta futur Evropën në senduiç.
Vatrat e krizave në Ballkanin Perëndimor që Serbia i ka mbajtur aktive mund të krijojnë një pretekst të ri shumë të rrezikshëm në funksion të Rusisë që t’i shtojë pretendimet e veta edhe në Ballkan Perëndimor.
*
Ajo që mund të ketë mbetur si e nënkuptueshme, këtu duhet të shtjellohet më konkretisht. Duke qenë Vuçiq në një krizë të madhe të pushtetit nga zgjedhjet dhe protestat në Serbi dhe nga paralajmërimet e BE se nuk do të tolerohet më loja manipuluese e Serbisë, ai është në dispozicion të çdo veprimi, me të cilin do të gjykonte se do të përfitonte personalisht për të shpëtuar veten e vet nga një përfundim si Milosheviç. Po t’i jepen garanci nga Perëndimi për një shtet serb brenda Kosovës dhe po ashtu për lënien e tij në pushtet – mundet të amortizohen ndoshta konfliktet potenciale, sado që Rusia do ta nxisë në veprime të tilla. Në të kundërtën, ai i ka gjithherë të hapur krihet e Rusisë për përqafim!
Një skenar i mundshëm, fjala vjen, do të ishte ky. Serbia deklarohet se po i bëhet “presion i padrejtë dhe i papranueshëm nga Perëndimi për kompromise që do të dëmtojnë interesin e Serbisë” (në të vërtetë interesin shovinist) dhe të kërkojë shpëtimin nga Rusia!
Kjo mundësi nuk është fantazi, as imagjinatë, po deduktohet nga një deklaratë sinjikative e Maria Zakharova, zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme ruse. Ajo më 5 janar 2022, kishte thënë se gjatë dyqind viteve të fundit, mbrojtja e Serbisë në masë të madhe ishte varur nga reagimi i shpejtë i Rusisë ndaj kërcënimeve të jashtme ndaj atij vendi sllav jugor. Kjo ekspozonte qëllimshëm gjeostrategjinë sinkrone ruso-serbe. Në këtë linjë, kur Vuçiq kishte nxitur tensione në veri të Kosovës përmes instrumentalizimit të Listës Serbe, më 2 gusht 2022, ajo tha se Serbia nuk i ka kërkuar ndihmë Rusisë për zgjidhjen në veri. “Nuk na e ka kërkuar Serbia ndihmën tonë”, e theksoi ajo, menjë mesazh të nënkuptueshëm, që lidhje me “reagimin e shpejtë të Rusisë” në mbrojtje të Serbisë.
Dhe kjo deklaratë erdhi si mbështetje e tërthortë ndaj kërcënimeve të Vuçiq me sulm ushtarak mbi Kosovën, për çka Serbia është pajisur me arsenal modern ushtarak nga Rusia dhe nga Kina, merr përmasa serioze, dhe paralajmëron luftë në, brenda ose kundër territorit të Kosovës.
*
Këtu duhet lexuar një prapavijë tjetër, që duhet mbajtur kurdoherë parasysh.
“Nuk na e ka kërkuar ndihmën tonë Serbia” është një fjali që shpreh një mundësi krejt tjetër, që deri të ky deklarim, nuk është artikuluar asnjëherë me këtë dimension dhe nga askush. Edhe me këtë qëndrim, Rusia ia krijoi një favor dhe ia forcoi pozitat shovinizmit serb në Ballkan, duke i thënë se mund të na ftoni. Modeli është i ngjashëm ftesën e Luhansk dhe Donetsk që i bënë Rusisë, pretekst ky me të cilin nisi invadimi i tërë Ukrainës. Vetëm se në këtë rast, do të ishte me dimensione edhe më të mëdha.
Ky është një paralajmërim, që nuk duhet injoruar!
Ndonëse në dukje flitet vetëm “për ndihmë Serbisë”, është e qartë se nuk është fjala për ndihmë ekonomike, as për drithëra, as për energji, po është fjala për politikë, madje për dimensionin e saj ushtarak (le të kujtohet këtu thënia e Klausevicit se “lufta nuk është asgjë tjetër përveç se vazhdim i së njëjtës politikë, vetëm se me mjete të tjera dhe pikërisht me mjete luftarake”).
Objektivi formal është “mbrojtja e Serbisë” kundër Kosovës, por e vërteta është se goditja do të jetë shumë përtej: perëndim, SHBA e BE. Do të ishte një kërcënim drejtpërdrejtë ndaj NATO-s, pasi që kjo është garantuese ndërkombëtare e sigurisë në Kosovë, ku përfshihet edhe veriu si pjesë integrale e saj.
Duke u ftuar në emër të shtetit, forcat ruse do të vendoseshin në Serbi, pra në Ballkanin Perëndimor, në brendi të Evropës, në një terren gjeopolitik (Serbi, e mbase edhe në Republikën Serbe) me klimë pro ruse. Kjo, madje, jo rastësisht edhe u shpreh me manifestime demonstrative në Beograd (4 mars 2022), kur i kërkohej Serbisë të dënonte invadimin rus të Ukrainës, dhe mijëra qytetarë dolën me parulla në mbështetje të Rusisë (që më tepër dukej si një ftesë drejtuar Rusisë që të mos i braktisë politikat shoviniste serbe).
Ndonëse mundet të tingëllojë surrealiste kjo që po aludohet këtu, rreziku real është se njëmend Rusia mundet t’i dislokojë forcat e veta në Serbi dhe ta shpallë sferë interesi rus. Pretekstet: Serbia nuk është anëtare e NATO-s e as anëtare e BE-së.
Ky është një rrezik, i cili nuk mund të përjashtohet.
*
Dhe, në një rast të tillë, çfarë do të ndodhte?
Le të supozohet se Serbia kërkon ndihmën ruse, ose kjo mund të inskenohet edhe përmes ndonjë lëvizjeje politike shoviniste gjoja qytetare për të kërkuar ndihmën (që duhet ta bëjë, por që gjoja nuk po e bën, qeveria serbe e në vend të saj po e bën populli domethënë “sovrani”).
Atëherë, si do të vepronte Rusia? A ka gjasa, të dërgonte trupat e veta ushtarake në Serbi (e mbase edhe në Republikën Serbe) ? Nëse gjykohet me logjikën e Putinit, kjo do të mund të ndodhte, sepse do të ishte në funksion të gjeopolitikës antiperëndimore dhe si një veprim taktik në gjeostrategjinë anti-NATO. Gjasat janë që ai të mos hezitonte ta bënte këtë. Dhe krejt kjo do të kamuflohej në emër të mbrojtjes së “vëllezërve serbë nga terrori i SHBA dhe i Mbretërisë së Bashkuar”.
E si janë gjasat të veprojnë vendet anëtare të NATO-s, si SHBA, Mbretëria e Bashkuar, BE?
A do ta lejonin Rusinë të instalohej në Serbi, sidomos duke i pasur të qarta pasojat afatgjata: do të (ri)krijoheshin dy blloqet ushtarake ballë për ballë: Rusia dhe NATO? Nëse po, në miniaturë, Ballkani do të bëhej një vend ku ndahen dhe takohen dy botë, Perëndimi dhe Rusia, që të kujton botën dypolare: NATO – Traktati i Varshavës.
Nëse do të veprohej për ta penguar, kjo, afërmendsh, do të ishte nisje e një luftë midis NATO-s dhe Rusisë bashkë me aleatët e saj, ku, mbase, pas një kohë do të mund të përfshihej edhe Kina, Irani, Koreja e Veriut etj., dhe kështu të fillonte faktikisht një luftë e tretë botërore, me rrezik të eskalonte në një luftë nukleare.
Ministri i jashtëm britanik, këtyre ditëve në Kosovë, në një farë mënyre, dha një përgjigje ndaj skenarit të mundshëm për agresion, ashtu sikurse ishte ai i Banjskës më 24 shtator 2023. Ai tha se do të luftonin, në mbrojtje të Kosovës. Ky ishte një mesazh pa ekuivoke, të cilin e konfirmoi edhe Foreign Office i Mbretërisë së Bashkuar.
Arsyeja e qartë: një sulm ushtarak, nga jashtë ose i orkestruar nga Serbia kundër Kosovës, është sulm ndaj vetë NATO-s. Dhe NATO-ja nuk mund të durojë të sulmohet ushtarakisht, pa i kthyer goditjet. Nëse agresioni serb edhe pas këtij paralajmërimi ndodh, domethënë se bëhet me sinkronizim me Rusinë për të dislokuar forcat ushtarake ruse në Serbi, që do të ishte një pushtim realisht i Serbisë, por edhe një kërcënim me përmasa të panjohura deri më tash për Kosovën dhe për shqiptarët përgjithësisht.
*
Në një konstelacion të këtillë, shqiptarët do të gjendeshin në një rrethanë të mbarsur me rreziqe të shumta e të llojllojshme. Ata do të gjendeshin në vorbullën e një vatre krize që i kalon pakrahasimisht raportet Kosovë-Serbi, raportet në rajon dhe në kontinent, e merr përmasa ndërkombëtare, përmasa të krijimit të dy fronteve ballë për ballë, në llogoreve armiqësore: Rusi-NATO.
Kosova e shqiptarët do të gjendeshin, krejt pa dashje, në vijën frontale, në linjën e parë të zjarrit.
Si përfundim, i ngutshëm dhe imediat është bashkërendimi i përpiktë me SHBA-në dhe BE-në si dhe me NATO-n. Nëse nuk bëhet kjo në politikë, Kosova ka rrezik të mos e kryejë detyrën e shtëpisë.