Kosova mund të përfundojë në grup me Shqipërinë në kualifikimet e Botërorit, zbulohen vazot
Kombëtarja e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë nuk do të përballen mes vete në “play-off” të Ligës së Kombeve, ndonëse ekzistonte një mundësi e tillë.
Por, kjo nuk nënkupton që dy ekipet shqiptare nuk do të ballafaqohen kokë më kokë në vitin 2025.
Në fakt, pas përfundimit të fazës së grupeve të Ligës së Kombeve tashmë e kemi një pasqyrë rreth kundërshtarëve të mundshëm të Dardanëve në kualifikimet e Kampionatit Botëror 2026, edhe pse nuk janë përcaktuar edhe zyrtarisht vazot.
Verdhekaltrit përfunduan në vazon e katërt, ndërsa Kuqezinjtë në atë të tretë, shkruan “Express”.
Prandaj, është e mundshme që dy Kombëtaret shqiptare të përballen pikërisht në eliminatoret e Kupës së Botës.
Shorti i kualifikimeve të Botërorit do të hidhet të premten e 13 dhjetorit, duke filluar nga ora 12:00.
Në kualifikimet paraprake, Kosova kishte përfunduar në vazon e pestë, që i bie se logjikisht i kishte katër kundërshtarë më të fortë se vetë.
Dardanët do t’i nisin kualifikimet e Botërorit në qershor ose në shtator të vitit të ardhshëm, varësisht nëse përfundojnë në grup me pesë apo me gjashtë Kombëtare.
Kampionati Botëror i vitit 2026 do të mbahet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Kanada dhe në Meksikë.
Vazot e kualifikimeve të Botërorit
Vazo 1: Spanja, Portugalia, Gjermania, Franca, Italia, Holanda, Danimarka, Kroacia, Anglia, Belgjika, Zvicra, Austria.
Vazo 2: Ukraina, Turqia, Suedia, Uellsi, Hungaria, Serbia, Polonia, Greqia, Rumania, Sllovakia, Çekia, Norvegjia.
Vazo 3: Skocia, Sllovenia, Irlanda, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Gjeorgjia, Finlanda, Islanda, Irlanda e Veriut, Bosnjë-Hercegovina, Mali i Zi, Izraeli.
Vazo 4: Bullgaria, Luksemburgu, Bjellorusia, Kosova, Armenia, Kazakistani, Azerbajxhani, Estonia, Qipro, Ishujt Faroe, Letonia, Lituania.
Vazo 5: Moldavia, Malta, Andorra, Gjibraltari, Lihtenshtajni, San Marino.