Kosova mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare
Pavarësisht se gjatë vitit 2017 Kosova ka organizuar dy palë zgjedhje dhe ka kaluar nëpër një proces të gjatë elektoral, në nivel qendror e lokal, analistët politikë kanë vlerësuar se edhe në vitin 2018 vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.
Analisti Mazllum Baraliu, i ka thënë “Radio Kosovës” se qeveria aktuale përkundër deklarimeve, siç i quajti ai “pompoze”, nuk është në rrugën e duhur për të udhëhequr një mandat të plotë.
”Raporti i cili herë-herë edhe ndoshta jo në përputhje me ligjin, me ligjet në fuqi dhe Kushtetutën. Por sidoqoftë, një qeverisje e cila nuk ka ofruar shumë dhe duke e pasur parasysh fragjilitetin e këtij koalicioni, kjo qeverie në vitin e ardhshëm mund të këtë edhe mocione mosbesimi, mund të ketë edhe befasi”, ka thënë Baraliu.
Ndërsa Ismet Kyrziu, nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI) është shprehur se edhe po të shkohet në zgjedhje të reja, ai nuk sheh ndonjë alternativë apo rirreshtim tjetër politik i cili do t’i jepte Kosovës zgjidhje më të mira.
“Kjo, nuk mendoj. Do të thotë që kjo si shoqëri dhe agjendat që na presin qoftë agjendat e brendshme dhe qoftë ato në përgjithësi dhe rolin tonë në rajon duke përfshirë demarkacionin, asociacionin, liberalizimin e vizave, e të gjitha këto çështje”, ka thënë Kryeziu.