Kosova, mundësi për investime të huaja, kërkohet ofertë serioze dhe atraktive

08 prill 2021 | 15:13

Investitorët e huaj potencialë për të mësuar më shumë rreth arsyeve për të investuar në Kosovë tashmë kanë në dispozicion “Manualin për investitorët e huaj” të hartuar nga autoret Sytrime Dervisholli dhe Nora Hasani. Një publikim i Fondacionit gjerman Konrad-Adenauer-Stiftung dhe Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare.

Gjatë promovimit të këtij manuali është kërkuar nga institucionet qeveritare që të paraqesin një ofertë serioze dhe atraktive, jo vetëm për investitorët gjermanë, por për të gjithë investitorët e huaj të cilët e shohin Kosovën si vend potencial për investim.

Daniel Braun nga Fondacioni Konrad Adenauer theksoi se Kosova nuk është vetëm në fokusin e zhvillimeve politike, për çka shpesh është, por edhe për mundësitë ekonomike.

Braun beson se Kosova duhet të ketë gjithashtu një perspektivë ekonomike për të ardhmen, posaçërisht nëse merret parasysh fakti që ka popullsinë më të re në Evropë, dhe të rinjtë kanë nevojë për perspektivë në vend, si dhe ata kanë nevojë për investime sidomos nga jashtë.

Braun: Kosova duhet të krijojë mundësi për investime të huaja

 

 

“Kosova është një vend i bukur, ka një peizazh të bukur natyrisht me shumë histori dhe ne e dimë që politikisht nuk ishte aq e lehtë që nga pavarësia e Kosovës, shpresojmë që tani do të shohim një rrugë me më shumë stabilitet politik në të ardhmen dhe duhet të jetë një rrugë e mirë me mundësi për investime të huaja në Kosovë, dhe kjo është arsyeja pse është shumë e rëndësishme të ketë një manual si ky, ku tregohet se ku janë sektorët, ku mund të investosh, cilat janë parakushtet, cilat janë shanset, cilët janë sektorët në ekonominë e Kosovës ku keni mundësinë për të investuar dhe kjo është diçka që ne vërtet dëshirojmë ta promovojmë si fondacion”, theksoi Braun.

Ai po ashtu tha se Kosova ka një diasporë të madhe jashtë vendit, në Gjermani, Austri dhe Zvicër, njerëz të cilët dëshirojnë të investojnë në atdheun e tyre dhe kjo është diçka që është vërtet e nevojshme dhe do të promovonte zhvillimin e Kosovës.

Ndërsa, Sytrime Dervisholli nga Ministria e Tregtisë dhe Industrisë theksoi se qëllimi primar i manualit është që t’iu ofrojë investitorëve informata të vlefshme, të përgjithshme dhe specifike për sektor të caktuar ku ata kanë interesin për të investuar.

Ky manual, sipas autores Dervisholli, përveç informative të përgjithshme ka edhe informacione të cilat mund të udhëzojnë investitorët e huaj për fushat e caktuara si për energji, shërbimet profesionale, dhe pastaj shërbimet e transportit dhe fushat e tjera të cilat mund të jenë interes për investitorët e huaj.

Dervisholli: Investitorët e huaj ta konsiderojnë Kosovën si një destinacion atraktiv

 

 

“Duke marrë parasysh që Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka pasuar rritje të vazhdueshme të GDP-së, ky manual sigurisht që do të bënte vendimmarrjen më të lehtë për investitorët e huaj që të vendosin të vijnë të investojnë në Kosovë. Gjithashtu nga publikime të ndryshme së fundi nga Fondi Monetar Ndërkombëtar del që Kosova është ndër vendet e pakta në rajonin e Ballkanit Perëndimor që është dëmtuar ekonomikisht nga pandemia COVID-19. Pra, kjo në një farë forme është edhe një mesazh, le të themi optimist për investitorët e huaj, që ta konsiderojnë Kosovën si një destinacion atraktiv për të sjellë kapitalin e tyre këtu në Kosovë. Siç e kemi edhe një thënie le të themi të famshme në ekonomi ‘Në kohën e krizave vjen edhe një zhvillim ekonomik’, prandaj Kosova dhe Qeveria duhet ta shfrytëzojnë këtë moment, në këtë krizë të pandemisë COVID-19, që të krijojnë ose të paraqesin një ofertë të mirë, atraktive të huaj, pra jo vetëm investitorët gjermanë, por të gjithë investitorët të cilët mund të shohin si destinacion potencial vendin tonë, pra Kosovën”, tha Dervisholli.

Drejtoresha ekzekutive e Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Nora Hasani, theksoi se “Manuali për investitorët e huaj” ka për qëllim që ta promovoi Kosovën si një vend për investime dhe për bashkëpunim.

Autorja Hasani tha se për të dhënë një kontribut sa do të vogël për tërheqjen e investitorëve të huaj, janë përpjekur që në këtë manual për investitorët të përmblidhen të gjitha informacionet që mund t’i duhen një investitori potencial.

Hasani: Kemi vendosur që ta ndajmë një vizion për Kosovën përtej pandemisë

 

 

“Në këtë periudhë ku jemi para një kolapsi të sistemit shëndetësor, në këtë periudhë ku akoma nuk dimë çfarë ndikimi do të ketë pandemia në ekonomi dhe çfarë humbjesh ekonomike do të kemi nga COVID-19, ne kemi vendosur që ta ndajmë një vizion për Kosovën përtej pandemisë. Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare në vazhdimësi ka dhënë mesazhin që secila krizë sjell mundësi të reja, dhe në shkëputjen e zinxhirëve të furnizimit dhe kërkesës së madhe që është rritur ad-hoc, pra për digjitalizim në sektorin privat, por edhe publik solli mundësi të reja. Në veçanti, tash ku çdo e dyta kompani gjermane që prodhon apo furnizohet në Kinë është duke menduar që ta zhvendos prodhimin edhe të jetë sa më afër Evropës, ofrohen prapë mundësi të reja. Tani që kompani të mëdha evropiane janë në proces të diversifikimit të furnitorëve të tyre sytë janë drejtuar nga Ballkani Perëndimor, dhe nga Kosova”, theksoi Hasani.

Drejtues të OEGK kanë bërë ftesë të gjitha institucioneve të Kosovës, por edhe përfaqësive diplomatike të Republikës së Kosovës, organizatave të ndryshme biznesore, partnerëve, në veçanti bashkatdhetarëve që këtë manual ta shfrytëzojnë sa më shumë që t’i informojnë investitorët potencialë në mënyrë të saktë për kushtet që i ofron Kosova për të bërë biznes dhe për të investuar këtu.

Ky manual është i qasshëm në tri gjuhët e huaja, gjermanisht, shqip dhe anglisht. Manuali është praktik ku jepen informacione jo vetëm për klimën e të bërit biznes, por edhe sa i përket shkathtësisë dhe aftësisë që ka fuqia punëtore në Kosovë.

Gjithashtu në manualin e dytë të publikuar edhe ne PDF ka informacione për sistemin fiskal dhe bankar në Kosovë, por dhe shumë informacione të tjera që i nevojiten një investitori për ta marrë një vendim të edukuar nëse është i interesuar të investojë në Kosovë./I. Shabani/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, ka…