Kosova ndaj Danimarkës për ta dëshmuar forcën

21 mars 2019 | 11:45

“Dardanët” e trimëruar pas suksesit historik në Ligën e Kosovës dhe përkrahjes së madhe që do të kenë nga tifozët në stadium janë gati të dëshmojnë sonte (e enjte) potencialin e vërtetë ndaj një kundërshtari të fortë siç është Danimarka. Këta të fundit po e vlerësojnë miqësoren ndaj Kosovës si një ndeshje stërvitore.

Përfaqësuesja e Kosovës në futboll sonte (e enjte) përballet në miqësore ndaj Danimarkës, e cila zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” nga ora 19:00. Danimarka është në mesin e dhjetë kombëtareve më të mira në ranglistën e FIFA-s, por kjo nuk i ka frikësuar aspak trajnerin dhe futbollistët e Kosovës të cilët janë të gatshëm që t’i masin forcat me danezët, sidomos pas suksesit historik në Ligën e Kombeve.

Trajneri zviceran i “Dardanëve”, Bernard Challandes, në konferencën e fundit para ndeshjes, ka thënë se nuk i bie pishman se zgjodhi danezët për kundërshtar kurse, sipas tij, nëse arrihet fitorja ose barazimi, do të ishte një gjë e shkëlqyeshme për Kosovën, por edhe nga humbja do të nxirret një mësim i ri. “Dikush do të mendojë se nuk është ndoshta e udhës që të luajmë kundër një skuadre kaq të fortë para ndeshjes me Bullgarinë, sepse mendojnë se janë shumë të fortë për neve, por dua që në ta shfrytëzojmë rastin për t’u përballur me një kundërshtar të madh. Ndoshta nuk do të kemi mundësinë të mbajmë topin shumë, por edhe mund të humbim por, gjithsesi, edhe kjo do të na ndihmojë neve që të zhvillohem. Nëse fitojmë ose barazojmë është shkëlqyeshëm, nëse humbim, mësojmë diçka të re”, ka thënë Challandes.

Trajneri zviceran, duke iu kundërpërgjigjur trajnerit kundërshtar, se kjo ndeshje do të jetë vetëm stërvitje për skuadrën e tij, ka thënë se në futboll nuk ka kundërshtar dhe ndeshje të lehtë. Ndërkohë qendërmbrojtësi Amir Rrahmani ndihet shumë krenar që e përfaqëson Kosovën pasi, sipas tij, çdo fëmijë që fillon të merret me futboll ëndërron që një ditë të luajë për kombëtaren. “Ta përfaqësosh një shtet është ndjenjë shumë e veçantë, privilegj, nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër. Çdo fëmijë sapo fillon ta godasë topin e ëndërron kombëtaren”, ka thënë Rrahmani, i cili foli edhe për kundërshtarin e Kosovës, Danimarkën.

Mbrojtësi i Dinamo Zagrebit ka thënë se kjo ndeshje është e njëjtë ma ato të kualifikimeve për Kampionatin Botëror. “Danimarka ka një ekip të mirë, është një ndeshje ndryshe nga ato që kemi luajtur në Ligën e Kombeve, por ka një ngjashmëri me ndeshjet për kualifikimet për botëror. Kjo ndeshje është një test për gjithë ekipin dhe duhet ta kalojmë së bashku”, ka shtuar Rrahmani. Ndërsa trajneri i Danimarkës, Age Hareide, nuk ka hezituar edhe një herë ta përsërisë deklaratën e tij se ndeshja me Përfaqësuesen e Kosovës është një miqësore për ekipin përfaqësues danez. “Stërvitore apo miqësore? Çka ka kjo rëndësi, njëjtë – do të jetë ndeshje stërvitore”, ka deklaruar Hareide. “Jam ballafaquar me Jugosllavinë në karrierën time. Ekipet që kanë dalë nga ai vend janë të mira. Të gjithë dëshirojnë të luajnë futboll. Kosova dëshiron të luajë futboll. Kosova ka mundësi që të shkojë edhe në Kampionatin Evropian. Ne duam të mësoheni që të luajmë me kundërshtarë që mund të ballafaqohemi në të ardhmen. Ishte e mirë që të vinim dhe të luanim futboll këtu. Kemi mundur të luanim me Gjermaninë, por ishte e vështirë para ndeshjes me Zvicrën. Janë kualifikuar për një grup më lart në Ligën e Kombeve. Kanë luajtur mirë dhe luajnë mirë në sulm dhe transformohen shpejt”, ka deklaruar trajneri i Danimarkës, i cili ka siguruar tifozët se në fushë do t’i shohin yjet danezë”, ka deklaruar trajneri i Danimarkës.

Pas konferencave për medie, të dyja përfaqësueset kanë zhvilluar stërvitjet e fundit para ndeshjes, kurse duhet cekur se dy yjet e Kosovës, Hekuran Kryeziu dhe Benjamin Kololli, janë stërvitur ndaras nga pjesa tjetër e grupit.

Për ndeshjen miqësore për “Epokën e re” ka folur edhe trajneri i njohur në Kosovë, Gani Sejdiu, i cili ka deklaruar: “Ndeshja me Danimarkën është një test i rëndësishëm për përfaqësuesen e Kosovës, pasi është në momentin më të mirë për lojtarët tanë, të cilët do të kenë përballë një kundërshtar të nivelit të lartë. Edhe kundërshtarët në grupin kualifikues që ka Kosova janë të nivelit të lartë sikurse Danimarka dhe kjo ndeshje do t’u shërbejë shumë përfaqësueseve. Ajo që ka rëndësi të madhe në këto çaste është fakti se të gjithë lojtarët e Kosovës po tregojnë formë të lartë nëpër klube. Duhet të besojmë se përfaqësuesja po rritet sikurse edhe lojtarët nëpër klubet dhe ligat ku paraqiten. Duhet të luajnë për fitore, ani pse rezultati nuk është shumë i rëndësishëm, pasi është ndeshje miqësore. Selektori do ta ketë mundësinë që në këtë ndeshje ta përgatisë edhe ndeshjen me Bullgarinë”, ka thënë Sejdiu.

/Veton ZYMBERI/

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Liderët e Bashkimit Evropian mblidhen këtë të enjte në Bruksel…