Kosova ndaj Turqisë luan për fitore

29 gusht 2019 | 11:31

Futbollistet e Kosovës të premten në mbrëmje në stadiumin “Fadil Vokrri” e ndajnë mejdanin me futbollistet e Turqisë. Përzgjedhësja Afërdita Fazlija ka kërkuar fitore në këtë ndeshje.

Përzgjedhësja e përfaqësueses së Kosovës në konkurrencën e femrave, Afërdita Fazlija, është optimiste se vashat që i drejton mund të shënojnë fitore ndaj Turqisë. Ndeshja në mes të Kosovës dhe Turqisë është e vlefshme për kualifikimet “Euro 2021” dhe zhvillohet të premten nga ora 20:00 në stadiumin “Fadil Vokrri”. “Sigurisht se kjo ndeshje do të jetë mjaft cilësore nga të dyja skuadrat, por pres që ne t’i gëzohemi fitores. Nuk mund ta themi se na kanë futur nën presion rezultatet e përfaqësueses së meshkujve, pasi ato vetëm sa e kanë motivuar ekipin tonë”, ka thënë Fazlija, e cila e ka rikujtuar edhe përballjen e fundit ndaj Turqisë. “Para dy vjetësh kemi zhvilluar një ndeshje miqësore me Turqinë, por që nga atëherë progresi ynë është evident”, ka shtuar ajo.

Në krah të përzgjedhëses në konferencë për medie ishte edhe kapitenia e Kosovës, Valentina Limani. Edhe limani është optimiste se futbollistet “dardane” kanë potencial për të fituar në përballje me futbollistet turke. “Besoj se vajzat janë shumë të motivuara. Mendoj se do ta japim maksimumin. Duhet t’i kryejmë detyrat që na thotë trajneri dhe besoj se në fund do të dalim triumfues. Skuadra është e bashkuar, andaj shpresojmë në rezultat pozitiv”, ka deklaruar Limani.

Për ndeshjen që zhvillohet të premten është deklaruar edhe futbollistja Erleta Memeti: “E dimë se Turqia ka një përvojë më të madhe, por besoj se do ta kemi përkrahjen e tifozëve dhe në fund do t’i gëzojmë me fitore”.

Të mërkurën përzgjedhësja e Kosovës, Afërdita Fazlija, së bashku me ndihmësit e saj, Veton Çitaku, Sanije Krasniqi dhe Besart Ismajli, kanë mbajtur dy stërvitje në stadiumin e “Agron Rama” në Obiliq, kurse duhet cekur se bën pjesë në Grupin A, së bashku me Holandën, Rusinë, Turqinë, Slloveninë dhe Estoninë.

Lista e futbollisteve

Besarta Leci, Lavdije Behramaj, Florentina Kolgeci, Fjolla Shala, Lirdona Syla, Egzona Zeka, Donjeta Halilaj, Feride Kastrati, Verona Berisha, Flutura Agaj, Blerta Shala, Valentina Limani, Leonora Ejupi, Modesta Uka, Besarta Hisenaj, Qendresa Bajra, Erleta Memeti, Besiana Reçica, Alberina Syla, Kaltrina Biqkaj, Flaka Aslanaj, Fleta Musaj.

/Veton ZYMBERI/

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Futbollistet e Kosovës të premten në mbrëmje në stadiumin “Fadil…