
Kosova ndalon në Jarinjë një të dyshuar për krime lufte
Në pikëkalimin kufitar të Jarinjës – që lidh Kosovën me Serbinë – Policia e Kosovës tha se ka ndaluar një person të dyshuar për krime lufte kundër popullatës civile.
Sipas njoftimit, personi i ndaluar i identifikuar me inicialet D.R, dyshohet se ka kryer këtë vepër penale në komunën e Gjakovës në periudhën 7-10 maj të vitit 1999, “duke vepruar në grup dhe të organizuar si zyrtar të mobilizuar me njësi të përbëra nga Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë”.
Policia tha se në prani të avokatit të tij mbrojtës, i dyshuari është intervistuar nga zyrtarët policorë. “Prokurori i rastit në Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës është informuar për të gjitha veprimet hetimore dhe ka lëshuar aktvendimin për ndalimin e të dyshuarit për 48 orë, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi”, u tha në njoftim.
Organet kosovare të ndjekjes kanë ngritur së fundi dhjetëra aktakuza lidhur me krime që kanë ndodhur gjatë luftës më 1998-99.
Krimet e luftës në Kosovë nga viti 2000 deri më 2008 ishin hetuar nga Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), më pas nga Misioni i Bashkimit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë (EULEX).
Ndërkaq, nga viti 2018, EULEX-i ia ka dorëzuar lëndët prokurorive dhe gjykatave të Kosovës.
Në luftën e fundit në Kosovë janë vrarë më shumë se 13.000 persona dhe janë zhdukur mijëra të tjerë. Më shumë se 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë.