Kosova, ndër vendet më të sigurta në botë nga terrorizmi
Terrorizmi mbetet problem i rëndësishëm dhe serioz në shumë vende, pavarësisht nga rënia e përgjithshme e ndikimit të tij në të gjithë botën gjatë vitit 2019, vlerësoi Instituti për Ekonomi dhe Paqe (Institute for Economics & Peace – IEP) në një raport mbi Indeksin Global të Terrorizmit 2020: Matja e Ndikimit të Terrorizmit.
Vitin e kaluar, 63 vende regjistruan të paktën një vdekje nga një sulm terrorist, ndërsa 17 vende regjistruan më shumë se 100 vdekje nga terrorizmi.
Kosova, Kroacia dhe Sllovenia, së bashku me Islandën, Portugalinë dhe Rumaninë, janë vendet e renditura më mirë në Evropë dhe janë ndër vendet më të sigurta në botë ku ndikimi i terrorizmit është minimal. Ato ndiqen nga Serbia, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Shqipëria.
Bosnjë-Hercegovina thuhet se ka përjetuar rënien më të madhe të ndikimit terrorist në krahasim me vendet tjera në botë.
Siguria në Ballkanin Perëndimor
Raporti thekson se rreth 6.8 milionë armë të lehta mbeten të depozituara në Ballkanin Perëndimor pas konflikteve të viteve 1990. Përveç rrezikut të shpërthimeve aksidentale në këto depo, krimi i organizuar në rajon dhe kthimi i luftëtarëve terroristë përmenden gjithashtu si një problem.
“Është e arsyeshme të shqetësohemi se këto armë mund të vidhen nga këto depo në mënyrë që të pajisen më shumë se një ushtri e vogël terroriste”, thuhet në raport.
Më tej thuhet se nuk është për t’u habitur që secili vend vendos përdorimin terrorist të eksplozivëve, materialeve dhe armëve të rrezikshme në vendin e parë në regjistrat e tij të rrezikut. Shumica e qeverive pretendojnë se mund të merren vetë me këtë rrezik, por provat sugjerojnë se shumë prej tyre nuk ndërmarrin hapat e nevojshëm.
Nitrati i amonit ruhet në sasi të mëdha në depo të mbrojtura dobët në shumë vende të tjera, jo vetëm në Bejrut. Por besohet se ishte i nevojshme një shpërthim në Bejrut që disa qeveri të vendosnin të rishikonin pikëpamjet e tyre.
“Bashkimi Evropian, dhe jo vendet e Ballkanit Perëndimor, po punojnë kryesisht për zgjidhjen e çështjes së armëve të vogla dhe të lehta”, thuhet në raport.
Bosnjë-Hercegovina ka bërë përparimin më të madh në vlerësimin për vitin 2019, dhe ajo ka marrë pak më shumë vëmendje krahasuar me vendet e tjera në rajon, pasuar nga Austria dhe Suedia.
Në përgjithësi, që nga viti 2002, ndikimi i terrorizmit në Bosnjë-Hercegovinë është zvogëluar. Nga 24 sulme të regjistruara që nga viti 2002, asnjë nuk u është atribuuar grupeve të njohura terroriste.
Kroacia, Kosova dhe Sllovenia renditen ndër vendet më të sigurta në Evropë dhe në botë në përgjithësi. Sipas kësaj matjeje, ato ndajnë vendin e 138-të me 23 vende të tjera, duke përfshirë Islandën, Portugalinë dhe Rumaninë nga vendet evropiane dhe Kubën, Kamboxhian, Mongolinë, Singaporin, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Korenë e Veriut, e cila gjithashtu renditet si një vend i prekur minimalisht nga terrorizmi.
Maqedonia Veriore është në vendin 123-të dhe Mali i Zi në 107-të, ndërsa Shqipëria është në vendin e 95-të.
Serbia është gjithashtu ndër vendet e renditura më mirë në Evropë dhe botë dhe renditet në vendin e 128-të.
Në vitin 2019, numri i të vdekurve nga terrorizmi ra për të pestin vit radhazi, pasi arriti kulmin në 2014. Numri i përgjithshëm i vdekjeve është ulur për 15.5 për qind dhe ky raport thotë se një total prej 13,826 njerëz janë vrarë. Rënia e numrit të vdekjeve pasqyron një ulje të ndikimit të terrorizmit, me 103 vende që regjistruan një përmirësim në rezultatin e tyre, krahasuar me 35 që e kanë gjendjen e përkeqësuar.
Afganistani, vendi më i prekur
Afganistani është ende vendi më i prekur nga terrorizmi, pasi me 2018 e kaloi Irakun.
Në Amerikën e Veriut, Evropën Perëndimore dhe Oqeaninë, sulmet e ekstremit të djathtë janë rritur me 250 për qind që nga viti 2014 dhe numri i vdekjeve është rritur me 709 për qind gjatë së njëjtës periudhë. Në vitin 2019, 89 vdekje iu atribuuan terroristëve të ekstremit të djathtë, 51 prej tyre në sulmet ndaj një xhamie në Kristçërç të Zelandës së Re.
Raporti thekson se fuqia dhe ndikimi i të ashtuquajturit Shteti Islamik (IDIL) vazhdoi të bie, dhe vdekjet që i atribuohen këtij grupi në 2019 ranë në 942, krahasuar me 1,571 në vitin paraprak. /rel/