Kosova në 2019-n / Fundi i neutralitetit asimetrik
Kosova në vitin 2019 po hyn në dy procese paralele sfiduese: mbylljen e fazës finale negociatore me Serbinë dhe fillimin e përballjes me Gjykatën Speciale. Në të dyja roli i ShBA-së do të jetë vendimtar. Pas shtatë vjetësh të dialogut shterp të Brukselit, me doktrinën neutrale ndaj statusit dhe me asimetrinë në raport me Serbinë, Uashingtoni do ta mbyllë çështjen e fundit të hapur në rajon, me një “Kemp Dejvid Ballkanik”
Nga Blerim Reka
Kosova po hyn në vitin 2019 me shumë të panjohura, një nga të cilat pa dyshim mbetet epilogu negociator ndërshtetëror: Kosovës – Serbi. Sidomos që bëhet fjalë për negociata të dy shteteve që ishin në luftë dhe ende nuk kanë nënshkruar traktat paqe, pa pajtim bilateral dhe me mohim reciprok të shtetësisë së tjetrit. Pa njohje reciproke ndërshtetërore, vështirë se procesi mund të përfundojë.
Dy shtetet edhe pas 20 vjetësh nga përfundimi i luftës nuk kanë nënshkruar: as traktat paqe, as marrëveshje për reparacione lufte dhe pa marrëveshje diplomatike për njohje reciproke. Tri proceset negociatave gjatë dy dekadave të fundit kishin dështuar: i Rambujesë (1999), i Vjenës (2005-2007) dhe i Brukselit (2011-2018).
Finalja në Nju Jork, via Uashington
Nuk dihet nëse në vitin 2019 do të vazhdohet me Procesin e Brukselit, apo ai do të zhvendoset në Uashington, prej nga në Nju Jork; në një format të ndryshuar “lehtësues” me përfshirjen e artilerisë së rëndë diplomatike të Këshillit të Sigurimit?
Para shtatë vjetësh Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi nga BE-ja që ta lehtësonte dialogun për normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit. Mirëpo, pas rezultateve të dobëta të këtij procesi dialogues, gjithnjë e më tepër po flitet për ndryshimin e adresës dhe të formatit të këtij dialogu.
Në vitin në të cilin hymë, BE-ja do të merret me vetveten (zgjedhjet për PE, formimi i KE të ri etj.), pa pasur kohë që të merret me tjerët. Po në vitin 2019, krahas ShBA-së, pritet forcimi gjeopolitik edhe i Rusisë dhe Kinës. Kosova tashmë kërkoi kyçjen në dialog të Uashingtonit, por Serbia paralajmëroi se do ta kërkojë kyçjen edhe të Moskës e Pekinit. Nëse kjo ndodh, ka të ngjarë që procesi të rikthehet në OKB me përfshirjen më aktive të këtyre tri shteteve anëtare të përhershme të Këshillit të Sigurimit.
Kyçja e dy anëtarëve të përhershëm të KS që kundërshtojnë pavarësinë e Kosovës sigurisht se do të shpie drejt kompromiseve të dhimbshme. Mirëpo, si çdo kompromis, edhe ky për anëtarësimin e Kosovës në OKB do të nënkuptonte koncesione tregtare diplomatike që mund t’u bëhen kundërshtimeve të tilla nga: Krimea (ndaj Rusisë) dhe Tajvani (ndaj Kinës).
Viti 2019, pra, mund të jetë vit i adresimit të sërishëm para Kombeve të Bashkuara tash në rrafshin më të lartë diplomatik, pas adresimit juridik të çështjes së Kosovës para GJND-së (në vitin 2010). Pa pëlqimin e kësaj “tresheje të madhe” në KS nuk mund të abrogohet Rezoluta 1244/99, edhe pse me afat qëmoti të skaduar; dhe as të ç’bllokohet anëtarësimi i Kosovës në organizatën botërore. Prandaj pritet që finalja negociatore Kosovë – Serbi të zhvendoset nga Brukseli në Nju Jork, via Uashington.
Nëse abstrahohen raportimet periodike për Kosovën para KS-së, herën e fundit që një organ i lartë i OKB-së diskutoi për Kosovën ishte viti 2011, kur Asambleja e Përgjithshme e delegoi çështjen te BE-ja (me Rezolutën 64/298/ 2011).
Pas dështimit të diplomacisë serbe për të nxjerrë një epilog kundër pavarësisë së Kosovës nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (e cila përkundrazi konfirmoi legalitetin ndërkombëtar të Republikës së Kosovës); Asambleja e Përgjithshme e OKB-së kërkoi që dy shtetet ta fillojnë dialogun nën ndërmjetësimin e BE-së, i njohur si “Dialog i Brukselit”. I filluar më 8 mars 2011, fillimisht si teknik, ai nga viti 2013 do të vijonte si dialog politik përmes: dialogut për çështje teknike (2011-2012); marrëveshjes “Fusnota” (24. 2. 2012); Marrëveshjes së Parimeve Udhëheqëse për Normalizim të Marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë (19. 4. 2013); dhe që nga gushti i vitit 2018 ajo që po quhet faza finale e këtij dialogu.
Kemp Dejvidi Ballkanik?
Kjo fazë finale u forcua me takimet e presidentit të Kosovës, Thaçi dhe të Serbisë, Vuçiq, me ndërmjetësimin e PLPPJS të BE-së, Mogerini, me synimin e përmbylljes së këtij dialogu me një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe juridikisht obliguese, e cila për presidentin Thaçi do të ishte “korrigjim kufijsh”, kurse për presidentin Vuçiq marrje e Mitrovicës veriore.
Pas reagimeve të shumta në vend dhe në bashkësinë ndërkombëtare ndaj një ideje të tillë për këmbim territoresh, negociatat u pezulluan, ndërkaq Serbia, pas vendosjes së taksës tregtare 100 % dhe formimit të ushtrisë së Kosovës, më 17 dhjetor 2018 përmes Rusisë kërkoi mbledhje të jashtëzakonshme të KS të OKB-së. Mirëpo, as në këtë përpjekje të dytë Beogradi nuk fitoi rezolutën e dëshiruar dënues ndaj Kosovës, sepse (hiq Rusinë dhe Kinën) shumica e shteteve anëtare të KS dhe të gjitha nga BE-ja, mbështetën formimin e ushtrisë së Kosovës si një e drejtë sovrane. Kuvendi i Republikës së Kosovës paraprakisht aprovoi Rezolutën për zhvillimin e negociatave me Serbinë (15 dhjetor 2018) me të cilën Kuvendi mbetet institucioni kryesor vendimmarrës, duke mandatuar edhe ekipin negociator, ndërkaq që Qeveria e Republikës së Kosovës finalizoi draftdokumentin për zhvillimin e këtyre negociatave.
Koincidentalisht, një ditë më herët presidenti i ShBA-së, Trump (në letrat e tij të 14 dhjetorit 2018 dërguar presidentit Thaçi dhe Vuçiq), kërkoi përmbylljen e shpejtë të negociatave me arritjen e një marrëveshje të dy shteteve, si involvimi më i drejtpërdrejtë i instancës më të lartë shtetërore amerikane drejt finalizimit të dialogut deri atëherë shterp të lehtësuar nga BE-ja.
Duke e njohur diskursin e tij mohues ndaj BE-së, ftesa e tij për t’i pritur dy presidentët në Uashington mund të kuptohet edhe si një zhvendosje e fazës finale negociatore jashtë Brukselit. Mbetet të shihet nëse kjo ftesë e presidentit Trump do të jetë një “Kemp David Ballkanik” (si ai i para 40 vjetësh për pajtimin izraelit- egjiptian); apo pritja eventuale në Shtëpinë e Bardhë e dy presidentëve ballkanikë do të jetë hapje e derës së OKB-së për Kosovën?
Kjo nguti për mbylljen e çështjes së fundit të hapur në Ballkan deri në mars të vitit 2019 lidhet me zhvillimet po aq sfiduese ndërkombëtare. Në janar pritet të fillojë tërheqja e trupave amerikane nga Siria. Në shkurt skadon ultimatumi amerikan ndaj Rusisë për fatin e Traktatit të Denukleairizimit (INF). Një muaj më vonë, pritet hyrja në fuqi e marrëveshjes për BREXIT-in, ndërkaq nga prilli BE-ja hyn në fushatën zgjedhore për Parlamentin Evropian.
Forcimi i pozitës negociatore
Në tryezën finale negociatore, në vitin 2019, Republika e Kosovës do të hyjë me sovranitet jo vetëm të shpallur formal, por edhe të dëshmuar faktik, ekonomik, me taksën tregtare 100 % dhe, mbrojtës, me Ushtrinë e Kosovës. Pra me një pozitë të fuqizuar, si: ndërkombëtarisht (pas mbështetjes së parezervë nga ShBA-ja (edhe përkundër kundërshtimeve nga BE-ja dhe NATO ndaj vendimeve të fundit të Qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës); po aq edhe në rrafshin e brendshëm (pas përkrahjes popullore të vendimeve të fundit karshi Serbisë). Me fjalë të tjera, Republika e Kosovës po hyn në fazën finale të këtij dialogu, me negocimin e rreth 15 çështjeve të mbetura, por tash me dy adute në tryezë që nuk i pati më herët. Me pozitë të këtillë të avancuar negociatore, pas sovranizimit të brendshëm dhe pas mbështetjes së fuqisë kryesore botërore, Kosova më nuk do të mund të mbahet peng e së ashtuquajturës doktrinë e BE-së për neutralitetin ndaj statusit dhe as viktimë e qasjes asimetrike të BE-së ndaj dy palëve negociuese. Uashingtonin nuk e obligojnë asnjëra prej tyre sepse si Republikën e Kosovës ashtu edhe atë të Serbisë i trajton njëlloj si shtete të pavarura dhe sovrane.
Gjatë shtatë vjetëve të kaluar dialogu i Brukselit, me qasjen neutrale ndaj statusit, dëmtoi pozitën negociatore të Kosovës, kurse qasja asimetrike e BE-së i dha epërsi negociatore Serbisë. Si rrjedhojë, kjo e fundit edhe doli përfituesja më e madhe e këtij dialogu. Në vitin 2011, kur filloi ky dialog, Serbia e fitoi statusin e kandidates dhe për vetëm katër vjet negociata anëtarësuese me Komisionin Evropian hapi gati gjysmën e kaptinave anëtarësuese (16 nga 35) dhe mbylli dy sosh. Për shtatë vjet të dialogut të Brukselit, tek para dy vjetësh hyri në fuqi MSA me Kosovën, ndërkaq dhjetë vjet nga liberalizimi i vizave për Ballkanin Perëndimor, ajo mbeti ende i vetmi shtet i rajonit pa lirinë e qarkullimit brenda Shengenit!
Tremujori i parë i vitit 2019 do të jetë sfidues për Kosovën sepse, krahas finalizimit të negociatave me Serbinë, në Gjykatën Speciale në Hagë do të fillojë një proces tjetër sfidues: procedimi i lëndëve të para gjyqësore. Balancimi i dy proceseve kaq të rënda në të njëjtën kohë do të jetë jo i lehtë për cilëndo qeveri të Kosovës. Si t’i bëjë ballë qasjes neutrale dhe asimetrike të BE-së ndaj Kosovës dhe po aq presionit të qytetarëve për mosliberalizimin e vizave? Si të adaptohet ajo në formatin e ri eventual të dialogut nga Brukseli në Nju Jork, me dy kundërshtarë ndërkombëtarë të pavarësisë së saj? Dhe e tërë kjo, njëkohësisht, kur para Gjykatës Speciale do të dalin gjeneralët e ushtrisë së djeshme, nga e cila lindi kjo e sotmja?
Neogociatat ndërshtetërore ishin dhe mbetën gjithnjë kompromise të dhimbshme, ku asnjëra palë, në emër të fitores, nuk mund t’i shpëtojë as humbjes. Ato, siç na mëson historia, mund të jenë edhe të rënda për t’u pranuar, sidomos nëse ky pranim rishkruan historinë. Fundja, në Ballkan asnjëherë nuk pati zgjidhje të lehta. Politikanët e vegjël parapëlqejnë zgjidhje të shpejta. Vetëm shtetarët e mëdhenj marrin vendime të rënda, por vizionare.
Mirë se vini në një vit sfidues për Kosovën!
(Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për gazetën “Epoka e re”)