Kosova në agjendën e Këshillit të Sigurimit më 21 tetor
Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara do të mbajë takimin informues të radhës për Kosovën më 21 tetor.
Është ky takimi i dytë për këtë vit, pas atij të mbajtur më 24 prill.
Rusia drejton aktualisht presidencën mujore të Këshillit të Sigurimit.
Ambasadori rus pranë OKB-së, Vassily Nebenzia, ka shpjeguar se më 8 tetor Këshilli i Sigurimit do të mblidhet fizikisht në sallën e vet, shtatë muaj pas mbajtjes së takimeve në rrugë virtuale për shkak të Covid-19. Nuk dihet aktualisht në çfarë forme do të mbahet takimi për Kosovën. Në muajin prill takimi u zhvillua virtualisht, raporton DW.
Sipas njoftimeve paraprake të securitycouncilreport.org i Dërguari Special dhe shefi i UNMIK-ut, Zahir Tanin do të informojë Këshillin e Sigurimit për zhvillimet e fundit në Kosovë.
Deri më 9 tetor, anëtarët e Këshillit të Sigurimit do të marrin në dorë raportin për Kosovën të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Antonio Guterres.
Mbi bazën e tij, anëtarët e Këshillit të Sigurimit përgatisin fjalën që do të mbajnë në takim.