Kosova në dioptrinë e gabuar të Hagës!
Ajo çka ndodhi dje, nuk ishte e papritur. Ka kohë që në shënjestër të Dhomave të Specializuara në Hagë, ndodhen disa drejtues të luftës dhe pasluftës. Siç dihet, deri më tani janë konfirmuar aktakuzat për pesë persona, për të cilët aktakuza është njoftuar publikisht. Aktakuzë është ngritur kundër ish-eprorit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Salih Mustafa. Të enjten, më 5 nëntor, u bë e ditur se është konfirmuar aktakuza ndaj Hashim Thaçit dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, kreut të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli. Ndërkaq, të mërkurën, (më 4 nëntor) u njoftua se është konfirmuar aktakuza ndaj shefit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi, si dhe ish-kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.
Ajo çka mbetet për të debatuar tash e tutje, nuk është nëse këta drejtues dhe ish-drejtues janë apo nuk janë fajtor, sepse trupi gjykues i Gjykatës Speciale do ta konfirmoj këtë së shpejti.
Por, ajo çka shtrohet si domosdoshmëri urgjente është që shteti i Kosovës të ngrejë kapacitetet profesionale në mbrojtjen sa më të dinjitetshme të këtyre personave, në njërën anë, dhe arritja e një koncensusi të gjerë në lidershipin kosovar, pa të cilin nuk mund të zhvillohet procesi i mëtejmë i shtetndërtimit, në anën tjetër.
Është thënë disa herë se mbrojtja më e mirë e atyre që akuzohen në Hagë, do të jenë veprat e tyre. Kosova ka pasur fatin të jetë gjatë e pushtuar dhe kjo ka lënë pasoja të pariparueshme në ndërtimin një strategjie më efikase kundër djallëzive të të tjerëve. Për rrjedhojë, kjo u reflektua edhe në periudhën e pas luftës së fundit, kur institucionet tona nuk punuan seriozisht në krijimin e një dosje penalizuese për serbinë. Madje edhe premtimi i ish-presidentit Thaçi për ta paditur (për shpifje) ish-senatorin zviceran Dik Marty, rezultoi në fjalamani boshe. Tani janë të vonuara konstatimet dhe ankesat se gjithë këto aktakuza janë përpiluar në Beograd, ndërkohë që ne si shtet kemi pasur kohë të mjaftueshme ta tregojmë anën tjetër të medaljes. Të tregojmë se Kosova dhe populli i saj ishin viktimë, kurse Serbia dhe makineria e saj gjenocidale ishin agresor.
Të tregojmë se Serbia ka ndryshuar edhe Kodin e saj penal, me të cilin i fshin të gjitha gjurmët e krimit që ka bërë në Kosovë, kurse disa eksponent të gjenocidit (Mlladiq, Karagjiq, Sheshel) papengueshëm reklamohen nëpër sheshet e Beogradit si heronj.
Ajo çka është dashur të bëhet nuk është bërë dhe tani nuk kemi kohë ta kthejmë kokën prapa, sepse Kosovën e presin punë prej të cilave varet shtetndërtimi i saj mëtejmë i saj.
Domosdoshmëria e daljes së interesave shtetërore mbi të gjitha interesat tjera klanore e partiake, është puna më e shenjtë që mund të bëhet tani për tani. Kosova, si një fëmijë i vetmuar në pyll, ka nevojë për një dorë që do ta nxjerrë nga kjo amulli që i është imponuar. Kosova ka kapacitete të mjaftueshme institucionale, politike e intelektuale që të demonstrojë një unitet përmbajtësor për tema e çështje që janë jetike për të ardhmen e saj, duke mos anashkaluar edhe procesin e pambyllur me Serbinë.
E kaluara e hidhur e Kosovës është e mbushur plot me ngjarje që na bëjnë të reflektojmë në punët që bëjmë sot. Por, nuk duhet harruar edhe faktin se Kosova tash më është shtet i lirë, sovran dhe i njohur ndërkombëtarisht nga më shumë se 100 shtete të botës. Duke qenë kështu, Kosova dhe lidershipi i saj e kanë shansin të dëshmojnë kapacitete shtetformuese, duke mbajtur të pashuar shpesën te njerëzit për një ardhmëri më të mirë dhe duke bashkëpunuar intenzivisht me miqtë ndërkombëtar në fuqizimin e subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës. Vetëm kështu do t’iu ndihmojmë edhe proceseve në Hagë, ku po akuzohet një pjesë e historisë së Kosovës dhe detyra jonë e të gjithëve është që këtë histori ta mbrojmë duke diferencuar vlerat dhe sakrificat nga përgjegjësitë individuale të njerëzve.
Por koha do ta dëshmojë se Kosova padrejtësisht është futur në dioptrinë e gabuar të Hagës.