Kosova në INTERPOL është domosdoshmëri
Burim Ramadani
Anëtarësimi i Kosovës në INTERPOL është jashtëzakonisht i rëndësishëm, jo vetëm për shkaqe të subjektivitetit ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, por edhe për luftimin e drejtpërdrejt të Krimit të Organizuar Transnacional, terrorizmit, apo dukurive tjera negative të cilat e kërcënojnë jo vetëm Kosovën, por edhe rajonin dhe globin.
Ajo që duket tepër e qartë është se mungon një qasje serioze e institucioneve të Kosovës për të ndërtuar një Strategji të mirëfilltë, Plan Veprimi të lobimit dhe diplomacisë në mënyrë që Kosova të merr mbështetjen e shteteve Perëndimore partnere dhe aleate për të fituar apo për të siguruar votat e mjaftueshme që Kosova të jetë anëtare e INTERPOL-it.
Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë vitin 2024, Asambleja e Përgjithshme e INTERPOL do të mbahet në Glasgow dhe është jashtëzakonisht me rëndësi që Kosova të aplikojë dhe të lobojë fuqishëm, të koordinohet me partnerët dhe aleatët Perëndimorë.
Tash duket se përgatitjet dhe interesimi për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL janë zero. Pra, nuk kemi parë as interesim, as përpjekje, as grup profesional apo lobues diplomatik dhe në të njëjtën kohë nuk kemi parë asnjë shfaqje të interesimit zyrtar të shtetit të Kosovës, Qeverisë së Kosovës për anëtarësim në INTERPOL.
Duhet të mos harrojmë se sa herë që Kosova ka nevojë të komunikojë me INTERPOL-in për të përfaqësuar interesin e vet atë duhet ta bëjë, fatkeqësisht, edhe më tutje përmes UNMIK-ut. Ne duhet të jemi të sinqertë, shpesh Rezolutën 1244 e quajmë të vdekur klinikisht, të skaduar afati apo jo praktike, porse në rastin e INTERPOL-it është Rezoluta 1244, është UNMIK-u që përfaqëson Kosovën. Dhe, kjo jo vetëm që nuk i bën nder Kosovës, porse kjo e dëmton shtetësinë e Kosovës dhe subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit tonë.
Besoj se një qasje më profesionale, më gjithëpërfshirëse e të gjitha institucioneve, një prioritet i qartë i Qeverisë së Kosovës do të ndikonte në një grumbullim të përpjekjeve dhe të marrjes së mbështetjes të partnerëve dhe aleatëve perëndimorë për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL.
Fatkeqësisht, kjo po mungon! Dhe, në rastin e Milan Radoicic dhe të serbëve të tjerë pjesëmarrës në sulmin në Banjskë, është dashur sërish që komunikimi të bëhet përmes UNMIK-ut.
Unë uroj dhe shpresoj që një Qeveri e Kosovës të vendos prioritetin nr. 1 anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL për një vit të caktuar dhe gjatë krejt asaj periudhe në nivele jo vetëm politike, por edhe profesionale të lobojë e të argumentojë profesionalisht se cilat janë të mirat, përparësitë dhe domosdoshmëritë që Kosova të jetë në INTERPOL.
Tash për tash shohim që përpjekjet e Qeverisë së Kosovës janë zero për anëtarësimin e Kosovës në INTERPOL dhe duket që nuk është fare prioritet!