“Kosova në KiE mund të hyjë në minutën e fundit”, Gjermania kërkon guxim nga Kurti
Kushte pas kushtesh për Kosovën edhe pse i premtuan se nuk do kishte me kushte të reja. Dhe e gjitha për një votim në Këshillin e Evropës. Mbi këtë procedurë po nxitohet që ti merret sa më shumë Kosovës në procesin e gjatë dhe të mundimshëm mes saj dhe Serbisë, ndërkohë që kjo e fundit nga ana e saj nuk ka bërë pothuaj asgjë.
Madje Serbia të gjithë e pranojnë që edhe ka minuar procesin e dialogut dhe shkelur marrëveshjet për të mos penguar anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare apo në procesin e njohjes. E thënë thjesht edhe pse ndërkombëtarët i dinë të gjitha këto ata përsëri i kërkojnë më shumë Kosovës dhe konkretisht i kërkojnë të bëjë Asociacionin, apo së paku ta çojë draftin në Kushtetuese, që të sigurojë një lobim të miqve të saj evropianë që të mund të arrijnë t’i mbushin mendjen 2/3 të vendeve në Këshillin e Evropës që të votojnë pro Kosovës.
Për të gjitha këto dhe pyetje të tjera ambasadori gjerman në Prishtinë, Jorn Rohde, ka pranuar të flasë ekskluzivisht për kamerën e Ditarit të Kosovës dhe gazetarin Ideal Gola.
Ambasadori gjerman ka shfrytëzuar intervistën në mënyrë indirekte për ti thënë qeverise së Albin Kurtit se ka ende kohë nëse vendos të bëjë diçka në këtë drejtim, pasi agjenda mund të ndryshojë edhe në minutën e fundit, duke ngritur kështu temperaturën politike të Kosovës dhe ndërkombëtarëve.
INTERVISTA:
Zoti ambasador, le t’ja nisim nga çështja më e nxehtë. Pse u vendos asociacioni si një kusht për pranimin e Kosovës në Këshillin e Evropës? Nuk ishte mjaftueshëm letra e liderëve me premtime se do të përmbushin çdo detyrim pas anëtarësimit?
“Më lejoni që t’ia nis nga ajo që kam përsëritur tashmë disa herë. Ne e duam Kosovën në Këshillin e Evropës. Megjithatë, ju duhet një shumicë prej dy të tretave të shteteve anëtare për ta siguruar këtë. Prandaj po bëhen përgatitje dhe diskutime për mbledhjen e Këshillit të Ministrave dhe për çështjen e aderimit të Kosovës në Këshillin e Evropës. Ne gjithashtu koordinohemi ngushtë me partnerët tanë dhe, e dini, në qendër të Këshillit të Evropës është mbrojtja e pakicave. Në këtë kontekst, zbatimi i gjykimit për Manastirin e Deçanit ishte një hap i rëndësishëm. Megjithatë, themelimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe është gjithashtu një çështje shumë e rëndësishme për të cilën Kosova është përkushtuar tashmë në marrëveshjet e Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 dhe në marrëveshjet e Ohrit. Ne mendojmë se nga një numër bisedash që kemi pasur, ia kemi bërë të qartë qeverisë së Kosovës që një votim i suksesshëm, ka nevojë për hapa të mëtejshëm për ta siguruar këtë shumicë prej dy të tretash. Megjithatë, këto hapa të nevojshëm ende nuk janë ndërmarrë dhe keni parë deklarata edhe nga partnerët e QUINT-it se një hap i tillë i domosdoshëm mund të jetë dhe duhet të jetë dërgimi i këtij draft-statuti në Gjykatën Kushtetuese. Dhe në këtë sfond, mendoj se ende nuk është vënë në rend dite aplikimi i Kosovës për anëtarësim.”
Kur iu bë e qartë për herë të parë kryeministrit Kurti se nuk do të ketë anëtarësim të Kosovës në Këshillin e Evropës pa formimin e asociacionit?
“Jo, unë e refuzoj atë interpretim. Nuk bëhet fjalë për mungesë anëtarësie. Ne duam një votë të sigurt, dy të tretat e shumicës. Dhe kryeministri, siç e kemi thënë publikisht unë dhe të tjerët, ka pasur biseda me liderët politikë, me presidentin Macron, me kancelarin Scholz. Ai u takua me ministrin tim të jashtëm më 26 prill dhe ne gjithmonë, të gjithë, i kemi dhënë Kosovës pritshmëri të qarta për këtë temë. Pra, nuk është një surprizë. Dhe e kemi thënë edhe publikisht, një votim i dështuar do të ishte një fatkeqësi. Pra, ne duam Kosovën në Këshillin e Evropës dhe duam një shumicë të sigurt. Dhe për ta siguruar atë, ju duhet të bëni disa hapa pozitivë, të cilët sapo i shpjegova.”
A ka ndonjë skenar që Kosova t’i bashkohet Këshillit të Evropës javën e ardhshme apo tashmë është një mundësi e humbur?
“Ju mund të vendosni diçka në rendin e ditës në një periudhë shumë të shkurtër. Megjithatë, sa më shpejt të merret një vendim i guximshëm nga ana e qeverisë, aq më të mëdha janë shanset për të pasur një votë dhe për të pasur një shumicë të sigurt, sepse në politikë duhet të bindësh edhe vendet skeptike. Dhe më kujtohet viti i kaluar kur Gjermania bëri shumë lobim në emër të Kosovës për t’u siguruar që ky aplikim i Kosovës të kalojë në asamblenë parlamentare, sepse për këtë duhej edhe shumicë. Dhe ne manovruam të gjitha vendet anëtare të Këshillit të Evropës në atë kohë. Pra, argumenti im është që unë si ambasador transmetoj qëndrimet e qeverisë gjermane, shpjegoj qëndrimet. Dhe në këtë drejtim, nga partnerët më të afërt të Kosovës ka pritshmëri se çfarë duhet të bëjë Kosova për ta shndërruar këtë në një sukses. Dhe do të përsëris, mendoj se do të ishte suksesi më i madh i politikës së jashtme të Kosovës që prej një dekade. Dhe, e dini, nuk do të doja asgjë më shumë se sa ta shihja Kosovën në Këshillin e Evropës sa më shpejt që të jetë e mundur.”
Kryeministri Kurti duket i zhgënjyer dhe i surprizuar lidhur me kushtëzimin me asociacionit, pasi e konsideron të padrejtë. Si i përgjigjeni ju kësaj?
“E kam thënë më herët në intervistë. Nuk kam asgjë për të shtuar.”
Kurti mendon se proceset nuk duhet të përzihen, pra dialogu dhe Këshilli i Evropës. Ai madje ka folur për një dëm të pariparueshëm nëse kjo ndodh. A është ky një kërcënim?
“Sërish, jam përgjigjur më herët për këtë dhe siç ta përsërita dhe ty: në qendër të Këshillit të Evropës ndodhet mbrojtja e minoriteteve. Ky është një detyrim 12 vjeçar I Kosovës që duhet ta përmbushë.”
Ne e dimë që Këshilli i Ministrave takohet 1 herë në vit, por nëse qeveria ndërmerr hapa konkretë, le ta themi gjatë muajve të verës, ka një mundësi që ministrat të takohen sërish, ndoshta në Shtator, gjatë këtij viti. Pra është e mundur që të mblidhen vetëm për Kosovën?
“Po, është e mundur.”
Kështu që i mbetet në dorë vetëm qeverisë që të bëjë hapat e duhur?
“Kështu paraqitet të jetë situata. Në politikë gjithçka është e mundur. Nëse ka zhvillime të mira, do të ketë dhe shpërblime. Nëse nuk ka asnjë zhvillim, gjithashtu do të ketë reagime, të cilat nuk do të jenë në favor të Kosovës. Mendoj se koha është gjithçka. Sa më shpejt që qeveria e Kosovës, të bëjë një vendim të guximshëm, aq më të mira janë shanset për të siguruar maxhorancën me dy të tretat dhe që të kemi një votim. Sërish, për mua, të kemi një votim të dështuar do të ishte e tmerrshme. Ne dëshirojmë që Kosova të jetë në Këshillin e Evropës sa më parë dhe kërkojmë një votim të suksesshëm.”
Pse e quani diçka të tmerrshme, zoti ambasador?
“Sepse, ju e dini, mund të flasim nga përvoja të kaluara, le të themi, kur u votua për UNESCO-n disa vite më parë. Dhe nëse i humbisni mundësitë, e dini, në vitin 2016 ka pasur mosmarrëveshje për demarkacionin. Kosova ishte në listën e shteteve anëtare për të marrë liberalizimin e vizave dhe atëherë ju e kishit këtë mosmarrëveshje me Malin e Zi për demarkacionin dhe iu deshën pesë vjet për Kosovën. Jo, jo pesë vjet. Tetë vjet për të marrë liberalizimin e vizave. Pra, nëse humbisni një mundësi, kjo nuk e përmirëson situatën tuaj.”
Në Prishtinë kanë frikë se kjo çështje do të shndërrohet në liberalizimin e vizave 2.0. Pra do të ketë shtyrje pa fund edhe në Këshillin e Evropës?
“Prandaj ne dëshirojmë që të veprohet tani, që të shfrytëzojmë këtë mundësi. Kjo është një mundësi e mirë për të përshpejtuar rrugën e Kosovës drejt strukturave europiane. Këshilli I Evropës është gjithmonë, le të themi, fruti më i afërt i pemës së Evropës për tu këputur, pra i rrugës suaj për në Bashkimin Europian dhe organizatat e tjera. Ne kemi rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, madje me maxhorancë shumë të madhe, por i mbetet qeverisë që vendos. Nga sa kemi parë nga deklarata të ndryshme të partnerëve të afërt të Kosovës, ne presim më shumë për të siguruar mazhorancën me dy të tretat, sepse kemi 10 vendet mos njohëse në Këshillin e Evropës dhe keni një faktor ndikues. Është një rezultat i ngushtë, dhe në mënyrë që të sigurohemi ka gjëra që Kosova duhet të bëjë përpara se të kemi një votim.”
Një tjetër proces i rëndësishëm është dialogu mes Kosovës dhe Serbisë. Aktualisht duket se ka ngecur për të qenë të sinqertë. Çfarë duhet të bëhet në këtë drejtim për të kthyer palët në procesin e normalizimit?
“Një nga gjërat kryesore është që të dyja palët të vazhdojnë të angazhohen, edhe nëse pala tjetër nuk është shumë konstruktive. Por argumenti im do të ishte nëse njëra palë thotë, nuk i bëj detyrat e shtëpisë, ky nuk është një justifikim që ju të thoni, nuk i bëj as unë, sepse ju keni detyrime dhe duhet të tregoni konstruktivitet. Mendoj se kjo është rruga përpara dhe ne kemi nevojë për angazhim dhe të kemi rezultate. Për herë të parë në 20 vjet kemi rezultate dhe po vjen nga dialogu që në veri po paguhen faturat e energjisë. Po shohim që pak a shumë është zgjidhur çështja e targave. Tani mund të udhëtojnë me karta identiteti. Qeveria të martën, dhe unë e përgëzoj, e ka lehtësuar shumë mundësinë e shkëmbimit të patentave të shoferëve. Pra, ka rezultate dhe të gjitha këto rezultate kanë ndodhur për shkak të një procesi dialogu.”
A mendoni se ka më shumë presion ndaj palës kosovare. A është toleruar Serbia, madje edhe kur i ka shkelur marrëveshjet?
“Sigurisht. Domethënë, ka gjithmonë, le të themi një perceptim që më trajtojnë padrejtësisht. Dhe siç thashë, pavarësisht se çfarë mendoni për palën tjetër, bëni detyrat e shtëpisë tuaj dhe unë mund t’ju them, dhe kjo nuk është asgjë e re, që gjithashtu ka pritshmëri dhe presion të madh ndaj Serbisë për të bërë pjesën e saj. Kjo është arsyeja pse dy javë më parë, detyrimet sipas Ohrit tashmë janë futur zyrtarisht si pjesë e negociatave të pranimit të Serbisë në BE. Pra, tani është pjesë e marrëveshjes siç është për Kosovën. Gjëja e dytë është që ne vazhdimisht kërkojmë nga Serbia që të arrestojë autorët e dyshuar të sulmit në Banjskë.”
Dëshiroj që të ju pyes për situatën e sigurisë këtu në Kosovë. Ka pasur paralajmërime se Serbia po trajnon njerëz për të sulmuar Kosovën. Gjithashtu bazat ushtarake të Serbisë në kufirin me Kosovën, a ju shqetësojnë? Shikoni ndonjë kërcënim për luftë?
“Situata e sigurisë këtu në Kosovë është e pandryshuar në muajin e fundit. Dua të them, pas Banjskës, sulmit në Kosovë, KFOR ka reaguar. Tani kemi një qëndrim më të fortë. Unë nuk shoh asnjë kërcënim. Dua të them, KFOR është këtu me 27 kombe me gati 5000 ushtarë. Gjermania do të katërfishojë forcat e saj. Unë do të udhëtoj javën e ardhshme bashkë me kontingjentin e ri gjerman që do të bazohet në bazën Bondsteel. Kishim 70 veta personel këtu. Tani kemi pothuajse 300. E shihni, ne reagojmë ndaj zhvillimeve dhe shpresoj që një sulm si Banjska të mos ndodhë më kurrë. Prandaj kemi shtuar patrullimet, sigurinë dhe nuk shoh ndonjë kërcënim të afërt. Nuk kemi asnjë indikacion. Kjo nuk përjashton që mund të ketë incidente në të ardhmen.”
Ambasador, çfarë duhet të presim nga takimi i Procesit të Berlinit këtë vit? Procesi i Berlinit ka hyrë në vitin e tij të 10 tani.
“Do të ketë një samit të përvjetorit të organizuar nga kancelari Scholz gjatë vjeshtës. Ne kemi pritshmëri të larta për të parë më shumë progres rajonal, bashkëpunim dhe një treg të përbashkët rajonal. Ne kemi pasur rezultate. Tarifat roaming janë eliminuar në 6 vendet e Ballkanit Perëndimor. Gjithashtu do të ulen gradualisht tarifat roaming mes rajonit dhe Bashkimit Evropian. Keni çështjen e udhëtimit vetëm me karta identiteti. Është ende çështja e pazgjidhur me Bosnjën dhe mund të ju siguroj se po punojmë fort që ta zgjidhim këtë deri në Tetor. Kemi nisur këtë iniciativë të bashkëpunimit rajonal të rinisë, në të cilën kemi parë shumë sukses, sepse shkollat nga të gjitha shtetet po punojnë së bashku, madje edhe nga Serbia dhe Kosova. Por kërkon bashkëpunim. Për ne, çështja e tregut të përbashkët rajonal është shumë e rëndësishme, sepse vetëm atëherë, vendet do të kenë marrëdhënie të mira fqinjësore. Duhen raporte të mira fqinjësore dhe integrim ekonomik, sepse normalisht tregtinë më të madhe e bëni me fqinjët. Dhe po flas sinqerisht, për sa kohë Kosova ka një ndalim importi të padeklaruar ndaj Serbisë, kjo nuk e ndihmon situatën. Ne duhet që të punojmë lidhur me këtë, sepse bojkotet dhe ndalimet nuk janë një rrugë që të çojnë përpara. Do të kemi marrëveshje të reja. Ne shpresojmë që çështja e tregut rajonal të ecë përpara për shkak të disa bllokadave nga Kosova dhe Serbia. Disa marrëveshje janë në pritje. Por mund të ju them se po punojmë për këtë. Emisari gjerman për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin, është shumë shpesh në Prishtinë, ne Beograd dhe në Bosnje për t’i zgjidhur këto çështje të pazgjidhura.
Kam edhe një pyetje të fundit për një event të rëndësishëm. Do të nisë pas një muaji pak a shumë. Bëhet fjalë për kampionatin europian të futbollit. A është gati Gjermani që të presë tifozët, veçanërisht ata nga Kosova?
“Po, mendoj se jemi gati. Liberalizimi i vizave erdhi në kohë. E di që shumë miq të mi, madje edhe anëtarë të qeverisë shkojnë në Gjermani për të brohoritur, për të parë ndeshje. Dhe unë mendoj se Shqipëria, për shembull, është e kualifikuar, është e shkëlqyer dhe shpresojmë në një turne të ngjashëm si kampionati botëror i vitit 2006, i cili ishte një sukses i madh. Dua të them, jo për Gjermaninë sepse nuk arritëm në finale. Kështu që personalisht si tifoz futbolli, shpresoj sigurisht për një fund më të mirë këtë herë, por shpresoj vetëm për një festë të madhe miqësie dhe futbolli.”
Si një tifoz futbolli, si e shikoni kombëtare shqiptare të futbollit?
“Ata kishin një grup të fortë në kualifikuese, por mund të shkaktojnë surpriza. Kanë shanse për të kaluar në raundin e dytë, por kanë një grup shumë të vështirë. Por siç e kemi parë në futboll, gjithçka mund të ndodhë. Kjo është e bukura e kësaj loje. Por në fund, Gjermania do të fitojë. Ju e dini atë shprehjen: loja quhet futboll, por në fund, Gjermania fiton gjithmonë. Kjo nuk ishte aq e vërtetë vitet e fundit, por shpresoj që ta përdorim sërish. Kjo është një dëshirë personale.