Kosova në kualifikuese do të luajë për Gazmend Sinanin

28 qershor 2018 | 10:48

Federata e Basketbollit të Kosovës (FBK) në një konferencë për medie i ka bërë thirrje publikut të jetë i pranishëm në numër sa më të madh në përkrahje të djelmoshave të Kosovës, të cilët të enjten dhe dielën do të dalin në fushë dhe do të luajnë për Gazmend Sinanin, i cili ka ndërruar jetë ditë më parë.

Në konferencën para ndeshjes kualifikuese për Kupën e Botës “Kina 2019” ndërmjet Përfaqësueses së Kosovës dhe asaj të Hungarisë, të pranishëm ishin kapiteni Dardan Berisha, basketbollisti Erjon Kastrati, përzgjedhësi i Kosovës Brad Greenberg dhe kryetari i FBK-së, Arben Fetahu.

Ndeshja Kosovë – Hungari do të zhvillohet të enjten me fillim nga ora 20:30 në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë, ndërsa në të njëjtin orar do të luhet edhe të dielën takimi Kosovë – Poloni. “Jemi duke u përballur me një situatë shumë të vështirë emocionale. Po mundohemi ta përballojmë, por nuk është aspak lehtë. Ne vetëm kemi dalë në fushë dhe e kemi zhvilluar stërvitjen e parë, s’ka qenë lehtë, sepse të gjithë kemi pasur emocione për faktin se dy javë kemi stërvitur së bashku me Gazin dhe lojtarët e tjerë që janë të lënduar. Në aspektin fizik dhe mental nuk jemi të përgatitur, por po bëjmë përpjekje që deri të enjten në mbrëmje, kur edhe do të luhet ndeshja, ta japim maksimumin për të hyrë në fushë dhe për të luajtur mirë për Gazin dhe për shtetin tonë”, ka thënë Dardan Berisha, kapiten i Përfaqësueses së Kosovës. “Shfrytëzoj rastin t’u bëj thirrje të gjithë adhuruesve të sportit të jenë në numër sa më të madh në palestër, sepse vërtet kemi nevojë për mbështetjen e të gjithëve”, ka shtuar Berisha.

Ndërsa Brad Greenberg ka thënë se Kosova është duke kaluar nëpër një situatë të vështirë pas aksidentit që ndodhi në Gjakovë.  “Mendimet tona janë me familjen e Gazit dhe të tjerë që janë lënduar në aksident. Pas aksidentit të gjithë kemi qenë në shok dhe nuk kemi menduar për basketboll. Ne kemi stërvitur për herë të parë dhe as paraqitja në parket nuk ka qenë e lehtë për të gjithë ne, veçanërisht për lojtarët. Të enjten kundër Hungarisë dhe të dielën kundër Polonisë do të mundohemi të paraqitemi sa më mirë. Është e rëndësishme të theksoj se grupi po mundohet ta përballojë situatën duke qëndruar i bashkuar dhe lirisht mund të them se karakteri i grupit është vërtet i lartë. Do të bëjmë përpjekje të hyjmë në fushë dhe të luajmë me shpirt, ashtu siç edhe Gazi e ka dashur jetën me plot shpirt. Këto janë momente të vështira për të gjithë ne, por vetëm kështu të bashkuar mund t’ia dalim”, ka deklaruar përzgjedhësi Greenberg.

Ndërsa kryetar i FBK-së, Arben Fetahu, ka deklaruar: “Rast të tillë si ky çfarë na ka ndodhur nuk ka pasur në të kaluarën as në radhët tona, as në ato të FIBA-s. Edhe pse kemi kërkuar që të mos luajmë, sepse në aspektin emocional nuk jemi në gjendje ta bëjmë këtë, FIBA na ka informuar se ndeshjet duhet të zhvillohen. Tani ne duhet t’i mbledhim forcat dhe t’i motivojmë djemtë tanë që të hyjmë në ndeshje dhe ta gjejmë forcën për të luajtur. Në aspektin e basketbollit, ekipi nuk është në gjendje të mirë, pasi kemi të lënduar nga aksidenti, pastaj të lënduar në stërvitje dhe kjo na e ka vështirësuar edhe më shumë situatën. Sidoqoftë, të enjten dhe të dielën në fushë do të paraqiten 11 lojtarë, ndërsa vendi i 12-të do të jetë për Gazmend Sinanin. Në të dyja këto ndeshje mendimet tona do të jenë me familjen e Gazit dhe të atyre që janë lënduar nga aksidenti. Në çdo ndeshje shikuesit janë shumë të rëndësishëm, këtë e dimë të gjithë, por kësaj radhe është diçka e veçantë, andaj ftojmë opinionin që në numër sa më të madh të jenë në palestër për t’i përkrahur djelmoshat tanë, sepse me të vërtetë këta janë heronjtë e kësaj ngjarjeje”.

/Epoka e re/

 

Fjalët Kyçe:

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Çështja e migracionit është në krye të agjendës së liderëve…