Kosova në mandatin tim u bë funksionale
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka bërë me dije se me qeverisjen e tij ka ndryshuar Kosovën.
Ai ka thënë se me punën që ka bërë gjatë këtij mandati ia ka lehtësuar punën pasardhësit, Albin Kurtit.
Në intervistën dhënë për gazetën “Epoka e re”, e cila do të botohet e plotë në numrin festiv të gazetës, Haradinaj ka thënë se e ka bërë Kosovën shtet funksional.
“Sot Kosova është tjetër vend. Kur kam qenë unë mandatar para dy vjetësh ka qenë problematike gjendja në vend, si rendi, ligji, siguria në veri dhe shumë probleme të tjera. Tash Albin Kurti e ka livadh, le të flasë çfarë të dojë, sepse Kosova është funksionale. Vonesat për krijimin e qeverisë së re nuk sjellin ndonjë problem në Kosovë. Natyrisht se është mirë që sa më shpejt ta bëjë qeverinë e re, por kështu nuk ka qenë kur e kam marrë unë mandatin. Kosova ka ndryshuar fort për dy vjet të qeverisjes sime”, ka thënë Haradinaj.
Ai ka vlerësuar se pasardhësi i tij do ta ketë më të lehtë që të merret me çështje të tjera. “Ju po e shihni edhe vetë. A ka ndonjë shqetësim në Kosovë? Çdo gjë është funksionale në këtë vend, si në jug e veri, ashtu edhe në lindje e perëndim. Ai të dalë e të thotë çfarë të dojë publikisht. Merret me Sanxhakun, me Maqedoninë, me Tiranën, mos të flasim për të tjerat. Ka nge kryeministri i ardhshëm, i cili do të vijë dhe do të merret me shëndetësi, arsim dhe me i ndalë harxhimet e paarsyeshme e me çkap shtetin qysh po thotë. Por, prapëseprapë Kosova po funksionon”, është shprehur Haradinaj.
Shefi i qeverisë ka vlerësuar se funksionaliteti i shtetit të Kosovës është dëshmuar edhe në ditën e zgjedhjeve, duke shtuar se institucionet e Republikës së Kosovës kanë treguar integritet të lartë më 6 tetor duke mos lënduar vullnetin e qytetarëve të Kosovës.
Ai ka thënë se gjatë gjithë mandatit ka respektuar opozitën. “Opozita është trajtuar me respekt gjatë gjithë kohës së qeverisjes time. Asnjë diskriminim apo ndëshkim nuk iu ka bërë opozitës në këtë mandat. Përkundrazi, e kemi respektuar gjatë gjithë mandatit. E kemi respektuar ditën e zgjedhjeve dhe kemi respektuar rezultatin. Kjo është Kosova që e kemi krijuar bashkë. Kjo është meritë e pozitës dhe opozitës. Pra, është meritë edhe e pozitës e cila ka ditë të sillet asisoj që t’i japë hapësirë opozitës që të vijë deri te fitorja. Ka vende të tjera që nuk e lejojnë opozitën të vijë deri te fitorja. Ne i shohim këto në të dyja anët e Kosovës. Këtu nuk e ka penguar dikush opozitën për të fituar, për t’u rritur dhe që të ndihet e lirë”, është shprehur Haradinaj.
Në këtë intervistë i pari i AAK-së ka folur edhe për rezultatin jo të mirë të kësaj partie në zgjedhjet e 6 tetorit.
Ai ka treguar se pse pushteti këtij subjekti politik nuk i ndihmojë ta rritë votën qytetare. “Kam prishur shumë plane dhe kam bërë shumë armiq gjatë dy vjetëve të qeverisjes sime. Kemi dalë kundër shumë erërave të fuqishme. Unë nuk jam shumica sot, por kam bërë punë për shumicën. Nuk kam qenë as në kohën e luftës për liri shumicë, por kemi bërë punë për shumicën. E vërtetë është ajo që thotë Surroi, se UÇK-ja nuk ka qenë shumicë. Por, si pakicë kam kryer mision në shërbim të shumicës. AAK-ja sot nuk është shumicë, por ka kryer punë në funksion të shumicës për qindra vjet”, ka thënë ai, duke shtuar se nuk ka punuar si kryeministër për ta përvetësuar shumicën, por për të kryer punë në shërbim të vendit.
“Unë kam punuar për të kryer punë dhe nuk kam punuar për ta përvetësuar qytetarin me votë. Kam punuar që t’ia lë do punë qytetarit tim në themel, të cilat nuk mund t’ia marrë askush. Asnjë resurs i Kosovës nuk është sot i kontestuar prej ndonjë vendi tjetër ose prej dikujt që pretendon se ka hise në Kosovë. Ushtria, energjia dhe taksa, këto janë punët që ne i kemi bërë”, ka vlerësuar Haradinaj.
Ndër të tjera, Haradinaj ka folur edhe për përplasjet me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama.
Ai ka thënë se i vjen keq prej shqiptarëve që kryeministrat e këtyre dy vendeve po polemizojnë në distancë. I pari i qeverisë ka sqaruar se kur pozicionohet për çështje nacionale nuk e bën këtë për inat apo për hatër të dikujt tjetër.
“Krejt shqiptarët, pavarësisht feve, krahinave, partive politike, jemi vëllezër e motra. Ne jemi një. Por, për interesa nacionale nuk kam qare pa u pozicionuar. Dhe kur pozicionohem nuk e bëj për inat të njërit apo për hatër të njërit, sepse për interes nacional janë vrarë Shkëlzeni, Luani dhe familja ime i ka kaluar ato që i ka përjetuar. Kur kam dalë kundër ndarjes dhe kundër asaj se ‘Trepça’ t’i mbetet Serbisë nuk mërzitem se kush hidhërohet. Aty është burimi i ndasive që kemi. U kërkojmë falje të gjithë shqiptarëve që i mërzisim tash me këtë gjuhë që përdoret”, ka thënë Haradinaj.
Kryeministri në detyrë i Kosovës ka kritikuar Qeverinë e Shqipërisë që i ka sjellë pengesa dy ekonomive në momentin që Kosova ka vendosur taksën prej 100 përqindësh për produktet serbe.
Ai ka vlerësuar se Shqipëria është dashur ta marrë tregun e Kosovës dhe jo të vendosë taksë. “Me dhimben shqiptarët e Shqipërisë, vëllezërit e motrat e jugut, sepse ne kur i kemi vendosur taksë Serbisë është dashur që Shqipëria ta fitojë tregun në Kosovë. Kur Kosova iu heq si treg Serbisë, në vend se Shqipëria ta marrë këtë treg, shqiptarët mes vete kanë vendosur taksë në rrugë, e cila është 42 euro për kamion e 5 euro për makinë. Pra, ne kemi vendosur bllokadë që mos me u lidh këto ekonomi”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë intervistë Haradinaj ka folur për vendimet e veta më të vështira gjatë këtij viti, për raportet me ndërkombëtarët, për liberalizimin e vizave, për taksën dhe për partnerët e koalicionit.
(Muhamet KOCI / Epoka e re)