Kosova në përgatitje të pasaportës digjitale Covid-19

17 shtator 2021 | 10:15

Republika e Kosovës e njeh certifikatat digjitale COVID -19 të shteteve të miratuara nga Komisioni Evropian, por vetë ende nuk është pjesë e sistemit digjital të këtyre certifikatave. Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë thanë se janë duke punuar ngushtë me përgjegjës të Komisionit Evropian, që të pranohet certifikata edhe për qytetarët e imunizuar të Kosovës.

Certifikata digjitale Covid-19 është brenda Bashkimit Evropian që nga 1 korriku 2021. Kjo certifikatë u mundëson qytetarëve të BE-së të lëvizin lirshëm në 27 shtetet e bllokut evropian, nëse janë të vaksinuar me vaksinat e autorizuara nga Agjencia Evropiane e Barnave (EMA).

Procesi i imunizimit të popullatës në Kosovë ka nisur në muajin mars dhe deri më tani, rreth 400 mijë qytetarë janë vaksinuar me dozën e dytë kundër koronavirusit. Të vaksinuarit në Kosovë pajisen me kartelë vaksinimi për COVID-19.

Krahas kësaj kartele me QR kod (që identifikon statusin rreth vaksinimit), Republika e Kosovës ka dizajnuar edhe certifikatën digjitale për lëvizje të lirë në shtete të ndryshme, është thënë në përgjigje të Ministrisë së Shëndetësisë (MSh). Kjo është aprovuar nga Komiteti për imunizim kundër COVID-19 në Kosovë dhe është duke punuar ngushtë me akterët përkatës të Komisionit Evropian, duke ndjekur procedurat përkatëse, në mënyrë që e njëjta të pranohet, është thënë në përgjigje.

Çdo procedurë që kërkohet nga Komisioni Evropian do të plotësohet me qëllim që certifikata digjitale e Kosovës të njihet. Në përgjigje të MSh-së, po ashtu është thënë se disa çështje janë jashtë ndikimit të ministrisë, por që ky institucion do të përmbushë përgjegjësitë e veta, që i takojnë sa i përket kësaj certifikate, në raport me palët e jashtme.

“Përgjegjësitë e Ministrisë se Shëndetësisë janë të dizajnojnë certifikatën sipas kritereve të Komisionit Evropian dhe të përmbushë standardet që ky dokument duhet t’i ketë, normalisht, të kërkojë dhe avokojë sa më shumë që ka mundësi te KE-ja, që certifikata të njihet sa më parë që ka mundësi”,është thënë në përgjigjen e Ministrisë së Shëndetësisë.

Nga vendet e rajonit,Komisioni Evropian, të mërkurën ka miratuar certifikatën digjitale të vaksinimit për Shqipërinë, kurse më 20 gusht, në sistemin digjital të certifikatave, është pranuar edhe Maqedonia e Veriut.

Certifikata digjitale lëshohet pa para dhe është në formë të shtypur si dhe format digjital dhe do të ketë validitet deri në një vit. Certifikata ka një QR-kod me informacione, si emri, data e lindjes, shteti që e ka lëshuar këtë dokument, lloji i vaksinës (ose dëshmia për ndonjë imunitet) dhe kur mbajtësi i kësaj certifikate është vaksinuar.

 

Edona Deva, specialiste e shëndetit publik në Kosovë është shprehur se angazhimet e autoriteteve kompetente duhet të jenë të pandalshme sepse certifikata digjitale është shndërruar në pasaportë për lëvizje.

Ajo konsideron se Kosova mund të jetë pjesë e sistemit digjital të këtyre certifikatave, pasi në Kosovë administrohen vaksinat e miratuara nga Agjencia Evropiane e Barnave. Deva ka treguar se gjatë verës ka udhëtuar nga Kosova në shtetin e Kroacisë që është vend i Bashkimit Evropian, por ka thënë se nuk ka pasur problem me certifikatën e vaksinimit të lëshuara nga autoritetet e Kosovës. Në Kosovë administrohen vaksinat e kompanisë “Pfizer” dhe “AstraZeneca”.

“Nuk jam e njoftuar me përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë në këtë aspekt, por mund të them se angazhimi nuk duhet të ndalet, për shkak se udhëtimi nuk mund të ndalet për shkak të njohjes apo mosnjohjes së një certifikate”, ka thënë Deva.

Integrimi në sistemin digjital të certifikatave, në aspektin teknik nuk është problem për Kosovën, ka thënë Driart Elshani, ekspert i çështjeve të telekomunikimeve. Ky informacion mund të ruhet në telefon apo në pajisje të tjera mobile, të cilat më pas udhëtari ua tregon punëtorëve të linjave ajrore apo zyrtarëve kufitarë.

“Certifikata digjitale në aspektin teknik, duhet të jetë e qasshme përmes telefonit mobil, në mënyrë që të skanohet QR kod nga autoritetet në kufi. Kur skanohet kodi, vërtetohet se personi ka marrë vaksinën. Kosova duhet të punojë edhe në aspektin teknik dhe kjo nuk është e vështirë të realizohet. Kosova lehtë mund të realizojë këtë proces në mënyrë që të integrohet në sistemin digjital të certifikatave, nëse nuk ka kërkesa të tjera nga BE-ja”, ka thënë Elshani.

Por, për të hyrë dhe dalë një person në dhe nga Republika e Kosovës, sipas masave në fuqi, për parandalimin dhe luftimin e koronavirusit, të vendosura më 13 shtator nga Qeveria e Kosovës, duhet të posedojë një nga dëshmitë pasuese: certifikatën e vaksinimit për vaksinimin e plotë ose marrjen e një doze të vaksinës kundër Covid-19, testin RT-PCR negativ për Covid-19, jo më i vjetër se 72 orë ose dëshmi se personi ka kaluar Covid-19 (test RT-PCR pozitiv i lëshuar jo më pak se 21 ditë dhe jo më shumë se 180 ditë ose rezultat pozitiv i testit të antitrupave serologjik – IgG, i lëshuar më së shumti para 30 ditëve) ose testi i shpejtë antigjen negativ jo më i vjetër se 48 orë.

Në rast se nuk i kanë këto dëshmi, duhet të vetizolohen për shtatë ditë. /EO/

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nëse në vitin 2019 një konsumator do të blinte 1…