Kosova në programin “Evropa për qytetarët”
Me propozimin e ministres së Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, kabineti qeveritar sot ka miratuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët”.
Marrëveshja ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrjen e Kosovës në programin “Evropa për qytetarët” është nënshkruar më 26 qershor të këtij viti në Bruksel.
Fondi i agjencive të BE-së për këtë program është 187 milionë euro që i dedikohen fushave si ndërgjegjësimi për historinë dhe vlerat e përbashkëta evropiane, angazhimi demokratik dhe pjesëmarrja qytetare, debati i së ardhmes së Evropës dhe sfidimi i euroskepticizmit, nxitja e dialogut ndërkulturor dhe mirëkuptimi i ndërsjellë, viti evropian i trashëgimisë kulturore 2018 dhe të tjera.
Ministrja Hoxha ka thënë se kjo marrëveshje rregullon anëtarësimin e Kosovës në kuadër të programit “Evropa për qytetarët” dhe sipas saj, Kosova do të paguajë anëtarësimin prej 15 mijë eurosh, të cilat janë të planifikuara në kuadër të buxhetit të këtij viti për Ministrinë e Integrimit Evropian.
“Pasi të realizohet marrëveshja dhe pagesa e anëtarësimit, organizatat dhe qytetarët nga Kosova mund të aplikojnë gjatë këtij viti në thirrjet për propozime të cilat shpallen nga ky program”, është shprehur Hoxha.
/Epoka e re/