
Kosova në qershor zhvillon miqësore me Armeninë
03 mars 2025
| 11:39
Federata e Futbollit e Kosovës ka aranzhuar një ndeshje miqësore me Armeninë, e cila do të zhvillohet më 6 qershor në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.
Kjo përballje do t’i shërbejë përzgjedhësit Franco Foda për të testuar dhe përgatitur ekipin për ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës 2026, që do të nisin në shtator, e ku Kosova bën pjesë në grup shumë të fortë me Suedinë, Zvicrën dhe Slloveninë.
Para kësaj miqësoreje, “Dardanët” do të kenë dy sfida vendimtare gjatë këtij muaji ndaj Islandës, në kuadër të “play-off”-it të Ligës së Kombeve, e ku synojnë promovimin në Ligën B. Ndeshja e parë zhvillohet më 20 mars, në orën 20:45 në stadiumin “Fadil Vokrri”, derisa ndeshja e dytë më 23 mars, në qytetin spanjoll Mursia.