Kosova në rrugëtimin e sajë drejt forcimit të subjektivitetit shtetëror

30 gusht 2022 | 17:26

Autor: Isa Krasniqi, ish Drejtor i Agjencisë së lajmeve “Kosovapress”

Që nga Vendimi i GJND-së lidhur me të drejtën e Kosovës për shpalljen e pavarësisë, ka një Plan ndërkombëtar të pa elaboruar në aspektin kritik. Me pajtueshmërinë edhe të SHBA-së, procesi i forcimit të subjektivitetit të Republikës së Kosovës përveç tjerash, qoftë edhe me mundësinë e anëtarësimit të Kosovës në OKB, i është lënë në kompetencë BE-së.

Çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodhë në proceset e realizimit të kësaj strategjie ndërkombëtare? Kjo kërkon elaborim detal por edhe guxim. Për fillim po sjelli një përvojë të thjeshtë, që unë e konsideroj si nisje të vendosjes së fakteve rreth kësaj analize.

Ishim në malet e Berishës gjatë luftës në selinë e Agjencisë së lajmeve “Kosovapress” të UÇK-së gjatë bombardimeve të NATO-s. Në seli na erdhën për vizitë dy “gazetarë” të huaj nga një vend i BE-së. Gjatë bisedave na pyetën se, pse shqiptarët kanë gjithë këtë simpati për amerikanët? Në përgjigje vendosa disa shembuj nga historia, por e thash edhe haptas, se pa amerikanet nuk do të ndodhnin kurrë bombardimet e NATO-së dhe se Evropa do t’i linte shqiptarët vetëm, ashtu siç kishte ndodhur disa herë gjatë historisë.

Megjithatë, çështja e avancimit të subjektivitetit shtetëror të Republikës së Kosovës, anëtarësimit në organizata ndërkombëtare përfshi këtu edhe OKB-në dhe sidomos e normalizimit të marrëdhënieve Kosovë-Serbi, i është lënë kryesisht BE-së. Në kontekstin politik, gjeografik dhe ekonomik kjo është krejt në rregull. Kosova është pjesë e Evropës dhe aspiron për tu integruar në BE.

Të gjithë jemi dëshmitarë se çfarë ka ndodhur, por për mendimin tim në kontekstin e mësipërm, asnjëherë nuk i kemi analizuar në detale ndodhitë kyçe rreth dhe për Republikën e Kosovës. Po ashtu, të gjithë e dimë se, pa amerikanet nuk kishte ndodhë pavarësia e Republikës së Kosovës në vitin 2008. Por, çfarë ndodhi më pas? Si veproj BE? Si vepruan shtetet kryesore të BE-së pas GJND-së dhe rezolutës së OKB-së? Si veproi faktori politik në Republikën e Kosovës?

Në procesin e rrugëtimit të Kosovës drejt avancimit të subjektivitetit si shtet në botë, sigurisht që është ndihmuar në mënyrë të pandërprerë nga SHBA-të dhe disa vende mike të tjera në botë, por ky proces kryesisht i është lënë BE-së. Por, BE-ja asnjë proces nuk ka mundur ta qoj përpara pa involvimin e palës amerikane. E përsëris, asnjë proces. Pra, BE-ja për nxjerrje të kompromiseve nga faktori politik në Kosovë, çdo herë i ka ftuar në ndihmë amerikanët. Për afro 14 vite të Republikës së Kosovës si shtet, BE-ja ka kërkuar nga Kosova vazhdimisht kompromise. Gjatë gjithë kësaj periudhe vetëm janë shtuar problemet dhe asnjë problem në mes të Kosovës dhe Serbisë nuk është zgjidhur deri në fund. Në rregull, kjo është strategjia serbe, por pse BE-ja, me gjithë potencialin shumë dimensional që ka, sikur është pajtuar me këtë strategji të prolongimit të çështjeve në vazhdimësi. Dikush ndoshta do të më kundërshtonte se, BE-ja e ka ndihmuar shumë Kosovën ekonomikisht. Po, na ka ndihmuar, por shumë më pak, krahasuar me Serbinë.

Është shumë e çuditshme që BE-ja vazhdimisht ka kërkuar që Kosova të bëjë kompromise. Dhe këtë jo vetëm me bisedime me palën kosovare, por edhe me skenarë të tjerë. Një nga skenarët më të përgatitur nga ana e eksponentëve të BE-së është procesi i hetimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pra eksponentët e BE-së, përfundimisht nuk janë pajtuar, që Kosovës në vazhdimësi duhet të ia nxjerrin kompromiset përmes amerikaneve. Për BE-në ishte shumë e çartë, se nga eksponentët e UÇK-së ata nuk mund të nxjerrin asnjë kompromis siç ajo e donte, pa e kërkuar nga ata amerikanët. Kjo qasje është e argumentuar me një rast krejt minor, me rastin e arrestimit të pjesëtarëve të Shërbimit Informativ Gjerman në kohën sa ishte në pushtet lidershipi i UÇK-së, dhe ka vazhduar deri sot për të gjitha proceset e dialogut Kosovë-Serbi. Prandaj eksponentët e BE-së këtë vijë të pakapërcyeshme në Kosovë, duhej ose ta eliminonin, ose të pakten ta dëmtonin aq shumë sa ta ç’orientonin, në mënyrë që mos ta kenë pengesë të marrjes së kompromiseve. Këtë deri diku e arriten me aktivizimin e Gjykatës Speciale në Hagë kundër UÇK-së. Them deri diku, se pro amerikanizmi i popullit të Kosovës është i palëkundur, edhe pse një pjesë e lidershipit të Kosovës që tashmë është në pushtet, është plotësisht në linjën e planifikuar të eksponentëve të BE-së. Angazhimet e fundit të palës amerikane në dialogun Kosovë-Serbi e argumentojnë katërçipërisht këtë.

Eksponentët kryesor të BE-së, për interesa të caktuara e orientuan një pjesë të zhvillimit ekonomik të tyre në bashkëveprim me interesin ekonomik rus dhe me këtë jo që përfitoj vetëm Rusia, por përfitoj edhe Serbia. Madje Serbia mbi këtë bazë ka përfituar jashtëzakonisht shumë, duke përfituar edhe kohë në planin e sajë strategjik të zhagitjes së normalizimit të raporteve me Kosovën. Aq shumë ka përfituar Serbia në këtë bashkëveprim të disa vendeve të BE-së me Rusinë, sa që kushti i BE-së i vendosur ndaj Serbisë për normalizimin e raporteve me Kosovën, tashmë është krejt formal dhe pa kurrfar efekti për gati më shumë se një dekadë.

Në konstelacionin e interesave të fuqive të mëdha botërore, dihet se qëndrojnë edhe pozicionet e interesave të vendeve të vogla dhe në këtë kontekst, prap vjen në shprehje arsyeja e pro amerikanizmit të shqiptarëve. Është administrata e kaluar amerikane që e shpërfaqi me vendosmëri këtë shkarje të eksponentëve të BE-së në ndërtimin e marrëdhënieve ekonomike me Rusinë. Me vendosmëri amerikanët përmes debateve rreth ardhmërisë së NATO-s, zbuluan haptas rrezikun e këtyre raporteve ekonomike për sigurinë kombëtare për të gjitha vendet e BE-së, përfshi këtu edhe vendet e Ilirikut Perëndimor. Kjo në kontekst të sigurisë së vendeve evropiane në nivel bote.

Prapëseprapë është administrata aktuale amerikane që shkërmoqi orientimet e çoroditura të eksponentëve të kaluar të BE-së, duke ndihmuar Ukrainën në luftë kundër hegjemonisë ruse dhe me këtë, përveç që siguroi sigurinë kombëtare të të gjitha vendeve të BE-së, filloj përfundimisht krijimin e Rendit të Ri botëror.

Pasojat e çoroditjes së mësipërme evropiane, ende Kosova po i përjeton sot, në rrugën e forcimit të subjektivitetit të vet shtetëror, jo vetëm në aspektin e politikes së jashtme por edhe në atë të brendshme.

Çoroditja evropiane përmes Gjykatës Speciale kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përveç që ka arritur të filloj një proces tepër enigmatik dhe të kamufluar në kuptimin e synimit, ka goditur nën brez strukturën shtet krijuese dhe shtet ndërtuese të Republikës së Kosovës, ka goditur tradicionalen e rezistencës dhe ekzistencës sonë ndër dekada dhe shekuj, ka goditur vlerën fondamentale të cilën edhe vet na ka ndihmuar ta krijojmë, me synim të vendosjes së dëgjueshmërisë dhe marrjes së kompromiseve, pa pasur nevojë të thërrasin në ndihmë amerikanët.

Fatmirësisht krijimi i Rendit të Ri botëror po ndodhë dhe prijëse janë SHBA-të. Fatmirësisht që ndryshime të mëdha po ndodhin edhe në Evropë, aq sa një ditë çoroditja evropiane e vendosur nga eksponentët e dikurshëm të vendeve të fuqishme të BE-së ndaj Kosovës, do të ndaloj përgjithmonë. Kemi mësuar nga ngritjet dhe rëniet gjatë historisë. Kosova që nga Dardania, edhe kur të tjerët kanë menduar se ka përfunduar përgjithmonë, është ngritur sërish pothuajse në mënyrë mitologjike. Mbi të gjitha, tashmë është pjesë e vlerës më të madhe botërore, e lirisë dhe e demokracisë.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Pas dorëheqjes së drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit,…