Kosova në samitin e Berlinit duhet të flasë me një zë

23 prill 2019 | 14:38

Njohësi i integrimeve evropiane, Vigan Qorrolli, ka thënë se presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri Ramush Haradinaj duhet të flasin me një zë në Samitin e Berlinit i cili do të mbahet më 29 prill.

Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se kjo do ta forconte pozicionin shtetëror të Kosovës në raport me Serbinë.

Qorrolli ka treguar se Samiti i Berlinit do t’i japë një përgjigje çështjes së shkëmbimit të territoreve dhe do t’i kornizojë në masë të madhe negociatat Kosovë – Serbi.

Sipas tij, Samiti i Berlinit do të japë lajme të mira edhe për çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën

“Epoka e re”: Z. Qorrolli, janë bërë gjashtë vjet nga nënshkrimi i marrëveshjes së parë për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi. Këtë proces deri më tani e kanë përcjellë problematika të shumta. Si do ta vlerësoni në përgjithësi dialogun e deritashëm të Brukselit?
Qorrolli: Gjashtë vjet të negociatave janë gjashtë vjet tejet problematike në raportet në mes të Kosovës dhe Serbisë. Pothuajse fare nuk ka ndryshuar gjendja faktike dhe që të dy shtetet janë larg normalizimit mes vete. Shumë marrëveshje janë arritur, por shumë pak janë implementuar. Dialogu që në fillim është konceptuar sipas modelit “më mirë negociata se luftë”, prandaj edhe ulja në një tavolinë mes shqiptarëve dhe serbëve është konsideruar si një lloj triumfi nga ana e BE-së, ndërsa kjo ka ardhur pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe “traumave” që i ka përjetuar Serbia në periudhën e post 17 shkurtit 2008. Bashkimi Evropian, duke qenë se nuk është unik në politikën e jashtme, e ka arritur vetëm një rezultat në këtë proces. Ai është ulja në bisedime mes palëve. Asnjë garanci tjetër nuk është dhënë për palët rreth zbatimit të marrëveshjeve dhe një strategjie për arritjen e paqes finale mes dy kombeve. Në mungesë të kësaj strategjie, Kosova dhe Serbia janë krekosur para publikut të tyre të brendshëm, se janë të gatshme për negociata dhe dialogu do t’i sjellë frytet më të mira për ta: për Kosovën do ta sjellë njohjen nga Serbia dhe ulësen në OKB, ndërsa për Serbinë ndarjen e Kosovës në vija etnike dhe anëtarësimin e saj në BE. Që të dyja shtetet me një fjalë janë treguar thellësisht të pasinqerta me publikun e tyre sepse, siç po vërehet gjashtë vjet më pas, arritja e një paqeje përfundimtare midis dy shteteve është ende larg. Së dyti, vetë dialogu nuk ka pasur një strategji konkrete në bazë të të cilës do të arriheshin disa rezultate të prekshme dhe jo synime për rezultate të tilla utopike siç pretendojnë palët. Rezultat i prekshëm do të ishte përmirësimi i jetës së qytetareve brenda territoreve të tyre, zbatimi i marrëveshjes për lëvizje të lirë dhe respektimi ekonomiko-politik i ndërsjellë. Asnjëri prej këtyre tre faktorëve nuk është respektuar. Përkundrazi, Serbia është treguar tejet destruktive në raport me Kosovën në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke lobuar kundër njohjeve të saj, madje duke i paraqitur si suksese të saj disa “çnjohje”, kryesisht nga vendet e botës së tretë. Së treti, dialogu asnjëherë nuk është afatizuar sepse, duke mos qenë i tillë, ai nuk mund të vazhdojë pafundësisht. Bashkimi Evropian si ndërmjetës nuk ka vendosur afat kohor se kur duhet të përfundojë ky dialog, por për këtë as palët në bisedime asnjëherë nuk kanë qenë të gatshme. Pra, do të duhej të kishte një pajtim paraprak për prioritete dhe afate, gjë që me këtë format aktual ky dialog nuk i ka asnjërën. Afatizimi i dialogut është çelësi i suksesit të tij. Prandaj, dialogu ka “vdekur klinikisht” dhe, si i tillë, është i pasuksesshëm sepse nuk e ka arritur emprikisht asnjë rezultat konkret, të cilin në fillim e ka synuar. Shtetet nuk i kanë normalizuar raportet mes tyre, dy popujt janë larg pajtimit historik dhe, në mungesë të këtyre dy rezultateve të synuara, ka lindur ideja tejet e rrezikshme për shkëmbim territoresh si epilogu i fundit eventual për normalizim.

“Epoka e re”: Prej verës së vitit të kaluar është folur shumë për fazën finale të dialogut. Gjatë kësaj kohe ka pasur reagime vendore dhe ndërkombëtare rreth idesë së korrigjimit të kufijve, miratim të delegacionit shtetëror dhe platformës, si dhe vendosjes së taksës ndaj produkteve serbe. Së fundi, disi janë heshtur këto debate. Pse mendoni se ka ndodhur kjo?
Qorrolli: Kjo që po ndodh është më tepër si pasojë e mungesës së konsensusit ndërmjet spektrit politik kosovar. Shumë ide, shumë polemika, shumë strategji, por mungesë totale e një përgjegjësie shtetërore të partive politike parlamentare. Mungesa e konsensusit prodhon revanshizëm dhe kundërgoditje, prandaj duhet vendosur një konsensus moral midis grupeve të ndryshme politike në Kosovë, i cili do t’i detyronte politikanët tanë për një rivlerësim të shqetësimeve dhe prioriteteve të shoqërisë. Në veçanti, shoqëria jonë kërkon që të hiqet një herë e mirë nga “menyja ditore” çështja e dialogut me Serbinë. Cili do që të jetë rezultati, shoqëria jonë ka nevojë për përfundimin e këtij trileri politik. Dhe kjo gjë duhet të arrihet përmes konsensusit, përndryshe një vazhdim i tillë i egër i luftës ditore nga një ekstrem politik në tjetrin, do të prodhojë ngjarje të tmerrshme për jetën e kosovarëve. Vendosja e taksës nga kryeministri Haradinaj është bërë me qëllim që të parandalohet fushata agresive për ndarjen e Kosovës, të cilën dy presidentët, Thaçi dhe Vuçiq, e kanë në kokë që një kohë të gjatë. Problemi fundamental nuk është vetëm ndarja, është mungesa e ideve kreative për përmirësimin e jetës së qytetarëve në vend, prandaj në tranzicionin e stërzgjatur të Kosovës partitë e përdorin inercionin brenda tyre si alibi për mosarritjen e rezultateve të prekshme për jetën e njeriut në baza ditore. Konsensusi gjithëpartiak nuk është vendosmërisht i njëjtë si “konsensusi për të qeverisur”, prandaj ndonjëherë liderët tanë politikë thirren në legjitimitet për t’i justifikuar gabimet e tyre ditore. Delegacioni i votuar shtetëror në Kuvend, bashkë me platformën, por edhe taksa ndaj Serbisë, janë dokumente të cilat do te jetojnë për një afat të shkurtër. Shoqëria jonë kërkon konsensus për këtë temë dhe arritja e tij do ta delegjitmojë edhe ndarjen, edhe Serbinë, si problemi më akut i vonesës në shtetndërtimin tonë.

“Epoka e re”: Samiti i Berlinit pritet të mbahet në fund të këtij muaji. Cilat janë pritjet tuaja nga ky samit, ngaqë çdo ditë e më tepër po forcohet përshtypja se në këtë takim mund të prezantohet ndonjë plan për marrëveshjen Kosovë – Serbi?
Qorrolli: Tashmë kemi disa pozicione shumë të qarta të krerëve të diplomacisë botërore lidhur me shkëmbimin e territoreve ose jo mes Kosovës dhe Serbisë, si qëllim për ta arritur paqen finale. ShBA-ja dhe Gjermania janë zyrtarisht kundër një ideje të tillë. Mbledhja në Berlin e të gjithë liderëve të Ballkanit Perëndimor është bërë për ta sqaruar vetëm një çështje, që është e një karakteri empirik: “A është shkëmbimi territorial midis shteteve përgjatë vijave ndarëse etnike në shekullin e 21-të një mjet i përshtatshëm për zgjidhjen e konflikteve?” Kjo do të jetë pyetja kryesore, së cilës përgjigje do t’i japin liderët e vendeve të Ballkanit para dyshes Merkel – Macron. Gjermania nëpërmjet kancelares Merkel tash është pozicionuar haptazi kundër shkëmbimit dhe për këtë do ta bindë edhe presidentin francez, Macron, si bashkënikoqir i kësaj konference. ShBA-ja ndodhet në një pikë më strategjike sepse e ka lënë të hapur çdo mundësi për të cilën merren vesh palët, por me gjasë do të pozicionohen kundër pas argumenteve të cilat do t’i prodhojë samiti i Berlinit. Gjermanët veçanërisht janë të bindur se nuk ka asnjë garanci që nëse preken kufijtë e Kosovës dhe Serbisë, kjo nuk do të ketë efekte anësore edhe për vendet e tjera të Ballkanit. Precedenti pozitiv i marrëveshjes në mes të Maqedonisë dhe Greqisë për emrin i ka luhatur vendet e BE-së që fillimisht mendonin se zgjidhja territoriale është zgjidhja më e mirë. Duhet thënë se koncepti i shkëmbimit fillimisht u mbështet nga shefja e politikës së jashtme e BE-së, Federica Mogherini, komisionari i BE-së, Johannes Hahn, këshilltari për siguri kombëtare i ShBA-së, John Bolton, nga Austria dhe Hungaria, ndërsa u kundërshtua qysh në fillim nga Gjermania. Po ashtu, ideja e shkëmbimit territorial ka krijuar frikë të fortë të zhvendosjes së popullsive, veçanërisht për serbët në jug të Kosovës, që janë shumicë për dallim prej atyre në veri. Pyjet dhe livadhet ndoshta mund të shkëmbehen, por kjo për shekullin 21 do të thotë traumë për njerëzit që jetojnë brenda atyre territoreve. Siç e dimë, dy vendet, veriu i Kosovës dhe jugu i Serbisë, janë të populluara respektivisht dhe nuk janë toka të pabanuara. Sidoqoftë, në Berlin do të theksohet se është më e rëndësishme të “ketë një marrëveshje të mirë” mes Serbisë dhe Kosovës sesa një të shpejtë. Kjo është ajo që unë pres sepse në instancë të fundit qëllimi i marrëveshjes në mes të Kosovës dhe Serbisë është t’i normalizojë marrëdhëniet mes dy vendeve vetëm në kontekstin e afrimit me BE-në.

“Epoka e re”: Deri më tani nuk kemi parë ndonjë koordinim të presidentit dhe kryeministrit për këtë samit. Si do të duhej të paraqiten institucionet e Kosovës në këtë samit?
Qorrolli: Do të duhej të paraqiteshin me një zë të unifikuar se nuk ka ndarje të Kosovës dhe nuk ka shkëmbim territorial me Serbinë. Kjo do ta forconte pozicionin shtetëror të Kosovës në raport me palën e kundërt (Serbinë). Në rast se ka diskrepanca dhe, siç po shihet, do të ketë, atëherë kjo gjë do ta vështirësojë pozicionin ndërkombëtar të Kosovës. Në nivelin e brendshëm, presidenti Thaçi dhe kryeministri Haradinaj kanë dallime të mëdha për çdo çështje, por kjo e samitit të Berlinit do të duhej t’i përafronte me idenë e ruajtjes së Kosovës së 17 shkurtit 2008. Problemi i tyre politik është shumë i rëndësishëm sepse është problem i autoritetit dhe i kontrollit. Që të dy përmes pushteteve të tyre synojnë autoritet dhe kontroll mbi institucionet e tjera kosovare. Përshtatja me demokracinë duhet t’i mësojë që të dy të sillen konform kritereve dhe procedurave të saj dhe një prej kushteve esenciale të demokracisë është pajtimi dhe konsensusi.

“Epoka e re”: Në bazë të rrethanave vendore dhe ndërkombëtare, sa janë gjasat që të kemi një marrëveshje përfundimtare gjatë këtij viti?
Qorrolli: Për këtë duhet pritur përfundimi i Samitit të Berlinit i cili do t’i kornizojë në masë të madhe këto negociata dhe një konferencë ndërkombëtare për Kosovën (sipas gjasave do të mbahet në ShBA) pritet të ndodhë së shpejti, aty ku do të nënshkruhet “paqja e madhe mes dy shteteve”. Në muajin maj do të mbahen zgjedhjet për institucionet e BE-së, ndërsa në vjeshtë është me realiste të presim për një afatizim më të saktë kohor se kur do të ndodhë kjo marrëveshje. Megjithatë, Samiti i Berlinit do të japë lajme të mira edhe për çështjen e vizave për Kosovën, pastaj për kandidaturat për BE të Shqipërisë dhe Maqedonisë si dhe një varg çështjesh të tjera ekonomike dhe politike për vendet ballkanike.

Muhamet KOCI

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, sot mori…