Kosova në vazon e katërt në shortin për eliminatoret e Botërorit 2026
Kosova është në pritje të një tjetër ngjarje të rëndësishme në futbollin ndërkombëtar – tërheqjes së shortit për kualifikimet e Kupës së Botës 2026.
Ky turne, për herë të parë do të përfshijë 48 ekipe, e ku edhe për Evropën është rritur numri nga 13 në 16 ekipe pjesëmarrëse.
Në shortin që do të mbahet më 13 dhjetor 2024 në Cyrih, Kosova do të jetë pjesë e vazos së katërt. Në këtë vazo janë edhe Bullgaria, Luksemburgu, Bjellorusia, Armenia, Kazakistani, Azerbejxhani, Estonia, Qipro, Ishujt Faroe, Letonia dhe Lituania, që do të thotë që Dardanët nuk mund të përballen me këto ekipe. Po ashtu, shorti do të evitojë edhe përballjet e Kosovës me Serbinë dhe Bosnje e Hercegovinën.
Kualifikimet për Botërorin 2026 do të fillojnë në vitin 2025, me 12 grupe, ku gjashtë grupet e para do të kenë nga 4 ekipe dhe 6 grupet e tjera nga 5 ekipe. Fituesit e grupeve do të sigurojnë një biletë direkte për në Botëror, ndërsa vendet e dyta dhe disa ekipe të tjera të dala nga Liga e Kombeve do të kenë mundësinë të garojnë në fazën “play-off” për të arritur në fazën finale të turneut.