Kosova në vendin e dytë si partnere tregtare e Shqipërisë me eksporte
Për të tretin muaj me radhë, Kosova ka konsoliduar vendin e dytë në listën e partnerëve kryesorë tregtarë të Shqipërisë sa i përket eksporteve
Referuar të dhënave të tregtisë së jashtme të publikuara nga “INSTAT”, rezulton se Kosova është në vend të dytë pas Italisë në listën e vendeve ku Shqipëria eksporton më shumë.
Kthesa ka nisur në muajin janar të këtij viti, e ndikuar nga dy faktorë. Faktori i parë është taksa 100 % për produktet serbe që ka vendosur Kosova vitin e kaluar duke favorizuar kështu produktet që vijnë/kalojnë nga Shqipëria si dhe fakti se eksportet e mineraleve nuk po orientohen më nga Spanja (pas rritjes së vrullshme të vitit të kaluar), shkruan “scantv”.
Këtë vit niveli i eksporteve të Shqipërisë drejt Kosovës arriti në 8.9 miliardë lekë në një kohë që drejt Spanjës eksportet ishin në nivelin e 5.9 miliardë lekëve. Një vit më parë, raportet ishin të përmbysura. Drejt Kosovës u eksportuan 5.8 miliardë lekë mallra ndërsa drejt Spanjës u eksportuan 8 miliardë lekë.
Çfarë po eksporton Shqipëria në Kosovë?
Referuar të dhënave të “INSTAT”, rezulton se Shqipëria në prillin e këtij viti ka eksportuar më shumë “ushqime, pije e duhan”, “minerale e lëndë djegëse”, “produkte kimike e plastike” si dhe “materiale ndërtimi e metale”.
Në grupmallrat “ushqim, pije e duhan” rezulton se Shqipëria ka eksportuar drejt Kosovës 266 milion lekë më shumë gjatë këtij viti, “minerale, lëndë djegëse dhe energji elektrike” 1.7 miliard lekë më shumë, “produkte kimike dhe plastike” 208 milion lekë më shumë si dhe “materiale ndërtimi dhe metale” 624 milion lekë më shumë.