Kosova në vitin 2022 importoi 5 miliardë euro mallra, 370 milionë vetëm nga Serbia
Drejtori i përgjithshëm i Doganës së Kosovës, Agron Llugaliu, ka prezantuar të arriturat e doganës gjatë vitit 2022.
Ai ka thënë se gjatë vitit 2022, Dogana e Kosovës ka pasur rritje të të hyrave dhe se Turqia është vendi që Kosova ka import më të madh.
Llugaliu, ka bërë me dije se gjatë vitit 2022 importi nga Serbia ka arritur vlerën e 370 milionë eurove.
“Performanca e të hyrave varet nga shumë faktor, natyrisht që është edhe inflacioni. Turqia është dukshëm vendi që importojmë më shumë. Sa i përket importit nga Serbia kemi pasur 370 milionë euro”, ka thënë Llugaliu, duke shtuar se gjatë vitit të kaluar kanë mbledhur 1 miliard e 531 milionë euro.
Më tutje, ai ka treguar se gjatë vitit të kaluar, importi ka arritur vlerën e mbi 5 miliardë eurove dhe eksporti mbi 869 milionë euro.
“Gjatë këtij viti kemi pasur 11 mijë e 157 aktivitete. Të sekuestrimi i mallrave kemi 11.3 milionë euro, vendimet për inkasim me 4.5 milionë euro. Zbulimi i mallrave të ndaluara gjatë vitit 2022 nga zyrtarët doganorë janë zbuluar 83.6 kilogram heroinë. Gjatë këtij viti kemi pasur lehtësia tregtare, me fillimin e zhdoganimit të plotë në Portin e Durrësit dhe Porto Romano”.
“Të gjitha këto arritje janë konfirmuara edhe nga institucionet e tjera që vlerësojnë Doganën e Kosovës. Kemi vërejtur që besueshmëria ndaj doganës gjatë vitit të kaluar është rritur”.
“Gjatë vitit 2022 importi ka arritur vlerën 5.603 miliardë euro ndërsa eksporti 869.5 milionë euro”, është shprehur Llugaliu, duke shtuar se gjatë barrikadave në veri, doganierët kanë qëndruar me Policinë e Kosovës.
“Në fakt zyrtarët tonë doganorë kanë dashur që të qëndrojnë me Policinë, kemi pasur kushte të konsoliduar. Zyrtarët doganorë kanë qëndruar me Policinë e Kosovës”, është shprehur ai.