Kosova nën sanksione ndërkombëtare tash e një vit
Anëtari i Kryesisë së Lidhjes Demokratike të Kosovës, Muhamet Hamiti ka kujtuar se para një viti Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken i kishte dënuar veprimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në veri.
Duke cituar fjalët e Blinken për paralajmërimin për “pasoja në marrëdhëniet bilaterale”, ai ka kujtuar gjithashtu se si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i kishte quajtur ato “naive” e se si kryediplomatja Donika Gërvalla e kishte quajtur BE-në “tigër prej letre”.
Postimi i plotë i tij në “Facebook”:
KOSOVA NËN SANKSIONE NDËRKOMBËTARE TASH E NJË VIT
Blinken: “Këto veprime do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”
Si sot një vit, më 26 maj 2023, Sekretari amerikan i Shtetit Antony J. Blinken pati dënuar vendimet e pakoordinuara të Qeverisë së Kosovës në veri. Më tej Blinkeni pati tërhequr vërejtjen se “këto veprime (…) do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona bilaterale me Kosovën”.
Katër ditë më vonë, më 30 maj 2023, duke folur përr gazetën britanike “The Guardian”, Kryeministri i Kosovës Albin Kurti i pati quajtur deklaratat e Blinkenit “naive”. Bashkëpunëtorja e tij, Donika Gërvalla-Schwarz e pati quajtur BE-në “tigër prej letre” në atë kohë.
Po më 30 maj 2023, Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, njoftoi se Kosova, më saktë FSK-ja, ishte përjashtuar nga stërvitja ushtarake e NATO-s “Defender ‘23”, si masë sanksionimi mbas zhvillimeve në veri të Kosovës.
Dy javë më vonë, më 14 qershor 2023, të 27 vendet anëtare të BE-së vendosën unanimisht masa ndëshkuese ndaj Kosovës që përfshinin, simbas zëdhënësit të BE-së, Peter Stano, “pezullim të vizitave të nivelit të lartë…si dhe të bashkëpunimit tonë financiar me Kosovën”. Janë bllokuar projekte/programe të BE-së për Kosovën në vlerë prej qindra milionë euro deri tani.
Republika e Kosovës është në nivelet më të ulta në raportet me SHBA-të gjatë këtij viti. Po ashtu, tash e gati një vit me sanksione ndërkombëtare të miqve dhe aleatëve të vet.
Këtë arritje Qeveria e Vetvëndosjes nuk i shënon. Pasojat e tyre i vuajnë qytetarët e Kosovës, pa dallim, si ata që e kanë votuar Qeverinë e Shpresës që po del të jetë Qeveri e Zhgënjimit, ashtu edhe ata që nuk e kanë votuar.