Kosova nënshkruan marrëveshje me Arabinë Saudite për lirim reciprok nga vizat të atyre që kanë pasaporta diplomatike e zyrtare
Të martën në Riad, zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, u prit nga zëvendësministri për Punë të Jashtme i Arabisë Saudite, Waleed Abdulkarim El Khereiji.
Gjatë takimit me zëvendësministrin për Punë të Jashtme, El Khereiji, u bisedua për ngritjen e bashkëpunimit ekonomik, bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe kundër terrorizmit dhe për nisjen dhe finalizimin e marrëveshjeve në fushën e transportit, edukimit dhe sportit.
Duke vlerësuar lartë bashkëpunimin në mes të dy shteteve, zëvendësministri Ahmeti ka falënderuar Arabinë Saudite për përkrahjen dhe kontributin e vazhdueshëm për Republikën e Kosovës.
Ahmeti kërkoi që qytetarët e Republikës së Kosovës të kenë procedura më të lehta për hyrje në Arabinë Saudite.
Takimi u përmbyll me nënshkrimin e marrëveshjes për heqjen reciproke të vizave për bartësit e pasaportave diplomatike dhe pasaportave zyrtare.