Kosova nënshkruan marrëveshjen me BE-në dhe Gjermaninë në vlerë prej 80 milionë eurosh
Republika e Kosovës, Bashkimi Evropian (BE) dhe Gjermania kanë nënshkruar marrëveshjen e huas dhe grantit për projektin “Solar për Kosovën – Ngrohje Qendrore”. Kjo marrëveshje kap vlerën e 80 milionë eurove dhe përfshin dy grante nga qeveria gjermane dhe BE-ja në vlerë prej 31.6 dhe 21.5 milionë euro, ndërsa pjesa tjetër e projektit do të financohet nga një kredi e butë nga BERZh-i në vlerë prej 23.2 milionë euro.
Marrëveshja në fjalë do të implemetohet përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW).
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka thënë se nënshkrimi i kësaj marrëveshje dëshmon përkushtimin e qeverisë për të ngritur kapacitetet për prodhim të energjisë në harmoni me agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian (BE).
“Ky projekt është i rëndësisë së veçantë për vendin tonë duke pasur parasysh nevojën për diversifikim të burimeve të ripërtërishme të energjisë në vend sidomos në sferën e ngrohjes qendrore si një nga konsumuesit më të mëdhenjve të energjisë në vendin tonë”.
“Ky projekt është i pari në rajon, i cili përdor masë të madhe energjinë diellore për ngrohje të shtëpive dhe si i tillë e dëshmon përkushtimin e qeverisë për të ngritur kapacitetet për prodhim të energjisë në harmoni me agjendën e gjelbër të Bashkimit Evropian dhe nën kornizën e strategjisë për energji të cilën sapo e kemi miratuar edhe në qeveri”, ka thënë Murati.
Ndërsa shefi i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, ka thënë se projekti do të ketë ndikim afatgjatë, duke sqaruar se BE-ja do të sigurojë 75 milionë euro mbështetje.
“Ky projekt nuk është vetëm për mjedis e sigurimin e energjisë, prandaj Bashkimi Evropian e mbështet edhe Kosovën me këto projekte”.
“Ne po ashtu po mundësojmë që të pastrojmë furnizimin me energji sidomos tani që ka ndikuar agresioni rus në Ukrainë. Këto projekte do të ketë ndikim afatgjatë. BE-ja mundëson 75 milionë euro mbështetje buxhetore për Kosovën”, ka thënë Szunyog.
Në anën tjetër, Matthias Cornard, zëvendësambasador i Gjermanisë, ka thënë se shteti i tij është përcaktuar ta ndihmojë Kosovën në rrugën për furnizim me energji të qëndrueshme dhe të gjelbër.
“Kam kënaqësinë që të përfaqësojë sot Gjermaninë në marrëveshjen financiare për këtë projekt për Kosovën. Është lajm shumë i mirë për një hap përpara. Është mirë për këtë fundvit dhe kërkesë shumë e madhe dhe i përgëzoj gjithë partnerët kosovarë dhe ndërkombëtarë për këtë bashkëpunim. Gjermania është përcaktuar me i ndihmuar Kosovës në rrugën për energji të qëndrueshme dhe në bazë të agjendës së gjelbër për Ballkanin Perëndimor”, ka thënë Cornard.
Më tutje, Pablo Obrador-Alvares, shef i Energjisë për Evropën dhe Lëvizshmërisë në Evropën Juglindore, ka thënë se janë duke sjellë në Kosovë teknologjinë më të re për energjinë.
“Ky projekt është i rëndësishëm për qytetin e Prishtinës dhe rajonin dhe për tërë Evropën që po sjell teknologjinë e re që nuk ka qenë më parë”, ka thënë ai.