Kosova nënshkruan në Bruksel marrëveshjen e veprimit kundër terrorizmit
Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme (MPB), Ekrem Mustafa, gjatë një vizitë zyrtare në Bruksel ka nënshkruar Marrëveshjen për zbatimin e Planit të Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe Komisionit Evropian.
Me këtë rast, Mustafa ka falënderuar komisionarin Dimitris Avramopoulos për mbështetjen e tij të vazhdueshme në proceset integruese të Kosovës dhe në forcimin e kapaciteteve në fushën e sundimit të ligjit.
Ai ka theksuar se Kosova si anëtare e Koalicionit Global kundër ISIS, por edhe duke u bazuar në obligimet nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit, është treguar partnere e besueshme e Bashkimit Evropian në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
Më tutje, Mustafa e ka njoftuar komisionarin Avramopoulos rreth zbatimit të programeve të deradikalizimit dhe riintegrimit të personave të kthyer nga zonat e konfliktit.
Ndërsa komisionari Dimitris Avramopoulos, ka përgëzuar Qeverinë e Kosovës për veprimin e guximshëm të treguar me rastin e kthimit të qytetarëve nga zonat e konfliktit dhe inkurajoi institucionet që të vazhdojnë me punën profesionale dhe zbatimin e Planit të Përbashkët.
Marrëveshja e nënshkruar buron nga Plani i Përbashkët të Veprimit Kundër Terrorizmit për Ballkanin Perëndimor i nënshkruar nga Ministrat e Brendshëm të Ballkanit Perëndimor me 5 tetor 2018 në Tiranë.
Në këtë marrëveshje parashihen pesë objektiva dhe aktivitete specifike që do realizohen në vitin 2019 dhe 2020 në parandalimin dhe luftimin e terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.
/Epoka e re/